Ri-rifillimi i Dialogut midis Kosovës e Serbisë pritet te ndodhë në qershor e jo në maj, siç ishte paralajmëruar në fillim të javës. Këtë e bëri të ditur Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, më 29 prill. Synimi është që takimi i parë në nivel të lartë të mbahet para fundit të qershorit, tha Borrell.
Tri ditë më parë, në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucić, Borrell tha se shpresonte që të zhvillonin “një sesion të ri të dialogut në datën e caktuar – më 11 maj.” Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës reagoi po atë ditë duke thënë se “zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve.” Të mërkurën, në Bruksel, kryeministri Kurti ua konfirmoi gazetarëve se ai nuk do të marrë pjesë në takimin e 11 majit meqë qeveria e tij nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
SIpas Kurtit, ‘kapitulli i ri i Dialogut’ do të fillojë në qershor pasi ndërkohë do të bëhen përgatitjet për të. “Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre,” tha ai.
Në kuadër të përgatitjeve bën pjesë edhe angazhimi i disa ekspertëve për t’i ofruar qeverisë së Kosovës “mbështetje profesionale dhe pëmbajtësore për procesin e dialogut.” Në mesin e ekspertëve të angazhuar deri më tani është edhe Veton Surroi ndërsa pritet t’iu bashkohet edhe Blerim Shala, të dy veteranë të negociatave me Serbinë. Sipas njoftimit, ekpertët e jashtëm nuk kanë rol përfaqësues apo udhëheqës dhe kontraktohen vetëm nga Grupi për Balkan (Balkans Policy Research Group, BPRG).
Përpjekjet për rifillimin e Dialogut u intensifikuan në ditët që i prinë krijimit të qeverisë së re në Prishtinë e cila doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit që i fitoi partia e kryeministrit Kurti, Vetëvendosje, me më shumë se 50% të votave, duke siguruar 58 vende në parlamentin e përbërë nga 120 vende.
Në fillim të marsit, në Prishtinë, e më pas edhe në Beograd, qëndroi i dërguari i posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak. Gjatë kësaj vizite, Lajčak deklaroi se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Ai po ashtu tha se procesi i dialogut është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara.
“Jam i lumtur të them se pas ardhjes së administratës (së presidentit amerikan, Joe) Biden, ky bashkëpunim nuk mund të jetë më i ngushtë sesa është. Ne po punojmë ngushtë në baza ditore, me partnerët tanë amerikanë dhe miqtë dhe ne e ndajmë qëllimin e njëjtë që është e ardhmja evropiane për Kosovën dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak.
Vetë Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e kanë theksuar gjatë kësaj periudhe disa herë mbështetjen e SHBA-së për Dialogun. Më së fundi, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “SHBA është e gatshme të mbështesë punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e obliguese të normalizimit midis Kosovës e Serbisë, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.” Në deklaratë thuhet se SHBA inkurajon palët që të riangazhohen në këtë proces me një ndjenjë urgjence për t’i adresuar çështjet teknike dhe politike.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, qëndroi në rajon në një vizitë, siç tha, për të hulumtuar në terren se si mundet Gjermania të mbështesë këtë dialog. Sipas Maas, “raporti ende i pazgjidhur midis Serbisë e Kosovës po e pengon zhvillimin e të dyja vendeve dhe të mbarë rajonit, e rrjedhimisht edhe progresin e mëtejmë drejt BE-së“.
BE beson se tani që u bënë dhjetë vjet qëkur ka filluar Dialogu, është koha që ai të përmbyllet me sukses me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese midis Kosovës dhe Serbisë.
Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar, kur pas një ndërprerje 20-mujore, dialogu rinisi (!) në korrikun e vitit 2020.