Ndonëse ende nuk është bërë publike data e saktë, “kapitulli i ri i Dialogut”, siç e ka quajtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të nisë në mes të qershorit. Kjo u konfirmua në ditën e fundit të majit pas takimit në Prishtinë të kryeministrit Kurti me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili është edhe zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë.
Kryeministri Kurti e vlerësoi si të domosdoshëm dhe të mirëseardhur bashkëpunimin dhe koordinimin në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut, për të cilin përsëriti se “duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme”.
Në konferencën për media në Prishtinë, i dërguari i BE-së, Lajčak, theksoi se qëllimi i kësaj vizite ishte përgatitja e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë midis kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, që, sipas Lajčakut, do të ndodhë “pas disa ditësh në Bruksel”. Ai tha se shoqërimi i tij nga përfaqësuesi amerikan tregonte se bashkëpunimi transatlantik rreth dialogut dhe Ballkanit Perëndimor është i shkëlqyeshëm dhe shtoi se ky vit ka potencial të jetë vit i mirë për raportin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, me interesimin e shtuar për rajonin.
I dërguari amerikan, Palmer, nga ana e tij, përsëriti se synimi i dialogut ishte normalizimi i plotë i marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe se objektivi i fundmë për SHBA-në ishte njohja reciproke. “Ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke ajo që përfundimisht do ta vendosë këtë çështje në të kaluarën dhe do të hapë rrugën për anëtarësim në BE,” tha Palmer. Ai shtoi se SHBA nuk ishte palë në këtë proces por një partner i angazhuar aktivisht që bashkëpunon me Beogradin, Prishtinën dhe BE-në.
Në fillim të majit, ministrat e jashtëm të G7-s i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialog për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që i kontribuon stabilitetit rajonal.
Edhe Ministrat e Jashtëm të BE-së e bënë të qartë se presin rifillim të shpejtë të Dialogut. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, përsëriti se me kryeministrin Kurti kishin rënë dakord për të rifilluar dialogun para fundit të qershorit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić ka thënë se do të shkojë në Bruksel atë ditë, nëse e ka ditën e lirë, “nëse jo, do t’i lusë që ta shtyjnë për një ditë tjetër.” Vučić e tha këtë me gjasë si kundërpërgjigje Kurtit i cili në prill refuzoi një takim të dakorduar nga Borrel e Vučić për datën 11 maj.
Kurti kishte paralajmëruar se në kohën deri në takimin e qershorit do të zhvilloheshin përgatitje, në të cilat përfshiheshin miratimi i programit qeverisës, ku përcaktohen edhe parimet nga të cilat do të udhëhiqet qeveria në dialogun me Serbinë, dhe takimet me opozitën për të pasur edhe qëndrimet e tyre.