Shënimi i muajit

1
426

Takimi i paralajmëruar tashmë një kohë të gjatë më në fund ndodhi në mes të qershorit. Në Bruksel, më 15 qershor, u zhvillua takimi i parë i nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në praninë e Përfaqësuesve të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajčak, në rolin e lehtësuesve.

Para fillimit të takimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Borrell, theksoi se ky Dialog nuk do të jetë i lehtë dhe shtoi se “ky proces dhe ky angazhim i sinqertë nga të dyja palët është i domosdoshëm për të mirën e popullit të Kosovës dhe të Serbisë”. Ai e bëri të qartë se “Dialogu dhe rezultati i Dialogut është rruga drejt të ardhmes evropiane të të dyja palëve” dhe shfrytëzoi rastin për të përmendur “rezultatet e rëndësishme” që tashmë ka sjellur Dialogu për qytetarët: integrimin e policisë dhe gjyqësisë në veri të Kosovës në sistemin e Kosovës, grumbullimin e të hyrave doganore nga tregtia me Serbinë si dhe pjesëmarrjen si anëtar me të drejta të plota në organizata dhe nisma të ndryshme rajonale.  Ai foli edhe për një momentum të ri, si një rast për tërë rajonin sepse, siç tha, “marrëdhëniet midis këtyre dyjave [Kosovës dhe Serbisë] janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e mbarë rajonit, për stabilitetin afatgjatë, për progresin ekonomik”. “Pa një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ai do të rrezikohet,” tha Borrell.

Pas takimit, kryeministri Kurti tha se kishin diskutuar për “dialogun e ardhshëm midis Kosovës dhe Serbisë”, se ai kishte theksuar që njohja reciproke ishte e vetmja rrugë përpara dhe se Kosova dëshironte t’i zgjidhte të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke paraqitur edhe propozime konkrete.

Nga ana e tij, presidenti Vučić tha se takimi nuk i kishte ngjarë një dialogu por një “paraqitjeje të do qëndrimeve politike personale,” dhe e cilësoi si “një përpjekje për t’i dhënë fund dialogut.” Ai akuzoi palën kosovare se nuk dëshiron t’i plotësojë marrëveshjet që i kanë nënshkruar.

Përfaqësuesi i BE-së për Dialogun, Lajčak, tha se takimi nuk kishte qenë i lehtë, dhe shtoi se “të dy liderët kishin pasur një këmbim shumë të hapur dhe të sinqertë lidhur me atë se çfarë duan nga Dialogu”. Lajčak njoftoi se të dy liderët kishin konfirmuar “se nuk kishte rrugë tjetër përpara, veçse t’i normalizojnë marrëdhëniet midis  Kosovës e Serbisë, dhe të dy u zotuan që të punojnë për një normalizim të gjithmbarshëm të marrëdhënieve përmes Dialogut”. Takimi tjetër i nivelit të lartë pritet të mbahet para fundit të korrikut.

Ndërkohë, në kuadër të përmbushjes së zotimeve që dolën nga Marrëveshja e Uashingtonit, e shtatorit të vitit të kaluar, SHBA i dorëzoi këtë muaj qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë studimin e fizibilitetit “për qëllim të shfrytëzimit të përbashkët të liqenit të Ujmanit, si burim të qëndrueshëm të ujit dhe furnizimit me energji”. Sipas njoftimeve, në raport  propozohet krijimi i një komisioni për lumin Ibër ku palët do të diskutonin rreth mundësive të menaxhimit të burimeve ujore, dhe rekomandohet një traktat midis SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia që të shërbejë si model për rregullimin e çështjes së Ujmanit.

Me Marrëveshjen e Uashingtonit, Serbia u zotua mes tjerash edhe për zhvendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem deri më 1 korrik 2021. Mospërmbushja e këtij zotimi në Prishtinë komentohet si shkelje e Marrëveshjes. I pyetur kur do të zhvendoset ambasada në Jerusalem duke qenë se sot skadon afati, presidenti Vučić tha se do të veprojë në pajtim me interesat e Serbisë, interesa të cilat, sipas tij, kanë ndryshuar nga momenti i njohjes së Kosovës nga ana e Izraelit. Njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit ishte një nga zotimet e nënshkruara në Marrëveshjen e Uashingtonit. SHBA thotë se shpreson që palët t’i përmbahen zotimeve të tyre dhe i inkurajon ato që të vazhdojnë me zbatimin e detyrimeve të marra.