Ndonëse kohë pushimesh, në gusht u zhvilluan disa takime që kanë të bëjnë direkt me Dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ka hyrë në muajin e tretë me protagonistë të rinj.
Në Bruksel qëndruan kryenegociatorët Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, dhe Petar Petković, drejtor i zyrës së Serbisë për Kosovën, për takime të ndara me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak. Lajčak tha se me ta kishte zhvilluar “diskutime përmbajtësore rreth përgatitjeve për takimin e ardhshëm në nivel kryenegociatorësh në fillim të shtatorit”. Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar se kryenegociatorët Bislimi e Petković pritet të takohen në javën e dytë të shtatorit.
Takim në gusht në Bruksel ishte në fakt rezultati i vetëm – me fjalët e Lajčakut – i takimit të kaluar kur palët kishin rënë dakord që kryenegociatorët do të zhvillonin takime në baza mujore për të trajtuar çështje aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë.
Por, vera ofroi edhe një rast tjetër për diskutim të “hapave të ardhshëm në javët e ardhshme në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve” midis Kosovës e Serbisë. Lajčak takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, në Slloveni. Kurti tha se, mes tjerash, kishin diskutuar “takimet e kaluara dhe të ardhshme” në kuadër të dialogut, ndërsa Vučić theksoi se i kishte shprehur shqetësimin Lajčakut se “shqiptarët do të nisin fushatë për anëtarësim në institucione të ndryshme”.
Më 4 shtator bëhet një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila përmban zotimin e palëve për një moratorium njëvjeçar – për kërkimin e anëtarësimeve të reja në organizatat ndërkombëtare nga ana e Kosovës, dhe për fushatën e çnjohjeve nga ana e Serbisë.
Fillimi i shtatorit do të sjellë ndryshime edhe në Departamentin amerikan të Shtetit. Në postin e Zëvendësndihmëssekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë pritet të vijë Gabriel Escobar, zëvendësambasadori aktual i SHBA-së në Beograd. Në detyrën e re, Escobar zëvendëson Matthew Palmer-in, përfaqësuesin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor.
Një vendim i gjykatës së Apelit në Kosovë për të hedhur poshtë ankesën e deputetit të parlamentit të Kosovës, Ivan Todosijević, kundër dënimit me dy vjet burgim për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” nxiti reagime që çuan deri te vlerësimi se vendimi përbënte shkelje të pikës 10 të marrëveshjes së Brukselit.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, “marrëveshja parashikon ndër të tjera se ‘Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serbë të Kosovës që do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe të Kosovës’. Në këtë rast të veçantë, nuk është respektuar,” citohet se ka thënë Stano. Por, Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), argumenton se gjykata e Apelit “ka vepruar drejt kur në kolegj të rregullt e ka gjykuar rastin” e Ivan Todosijević-it dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian “që të ketë kujdes të shtuar në reagimet publike lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, me theks të veçantë në Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi”.