Këtë herë ia vlen ta nisim shënimin nga fundi i muajit meqë ishte më 27 prill kur gjykata në Colmar të Francës vendosi kundër ekstradimit në Serbi të njërit prej udhëheqësve të dikurshëm të UÇK-së, ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili u ndalua në janar me një fletarrest të vjetër të Serbisë. Ky zhvillim do të duhej t’i hapte rrugën tani edhe vazhdimit të dialogut të cilin pala kosovare e pezulloi në mars me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës deri në lirimin e zotit Haradinaj. Më herët në prill ishte një tjetër Haradinaj që ngjalli reagime të shumta me një deklaratë lidhur me atë se çfarë mund të ndodhë në rast të ekstradimit të vëllait të tij në Serbi. “Nëse e dojnë Kosovën etnikisht të pastër pa serbë, le t’bajnë hajgare me Ramushin,” tha Daut Haradinaj. Më pas, ai bëri përpjekje që ta ‘sqarojë’ deklaratën që kishte bërë por kjo duket se nuk mjaftoi për disa OJQ serbe të Kosovës të cilat ngrenë padi kundër tij në gjykatën e Pejës. Nenad Maksimović i “Qendrës për paqe dhe tolerancë” citohet se ka thënë që “çdo thirrje për dhunë forcon pranueshmërinë e përgjithshme shoqërore të akteve të mostolerancës, ku verbalizohen kërcënimet të cilat ndoshta janë edhe në kokat e politikanëve të tjerë dhe të njerëzve të tjerë dhe thjesht çdo akt i tillë duhet të dënohet dhe duhet të sanksionohet sa më parë, që të mos kemi situatë në të cilën do të jetë e pranueshme që pjestarët e pakicave të sulmohen pa kurrfarë shkasi”.
Në prill u shënua përvjetori i katërt i “Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” midis Kosovës e Serbisë dhe kjo në Prishtinë u shënua me një tryezë të rrumbullakët. Në të, përfaqësuesja e BE-së, Nataliya Apostolova, sipas disa mediave, tha se “marrëveshja për Asociacionin duhet të rishikohet edhe njëherë nga Gjykata Kushtetuese, duke kërkuar që Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe të themelohet sa më parë”. Kjo nxiti reagime të menjëhershme dhe brenda ditës zonja Apostolova u detyrua të publikojë fjalimin e saj në tërësi për të larguar keqkuptimet që supozohet se kishin lindur diku gjatë përkthimit! Nga transkripti i fjalimit të saj del se e tëra që ka thënë në lidhje me marrëveshjen mbi Asociacionin është se “Në kuadër të kornizës së dialogut BE-ja pret normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të palëve dhe që Asociacioni/Bashkësia të themelohet sa më shpejtë që është e mundur. Progresi i arritur në dialog është parakusht për të dy palët për të arritur progres në rrugën e tyre drejt BE-së.” Vlerësimi i zonjës Apostolova për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte se ai “është një arritje e vërtetë. Po, nganjëherë është i vështirë dhe i ngadalshëm. Por në përgjithësi ai ka arritur rezultate të shquara”.
Një tjetër zhvillim, në javën e parë të prillit, që po ashtu potencialisht i hap rrugën vazhdimit të Dialogut ishte mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në Serbi të cilat përfunduan me zgjedhjen – që në raundin e parë – e kryeministrit të deritashëm Aleksandar Vučić për president të ri të vendit. Pas kësaj pati spekulime se Dialogu do të mund të bartet në nivel presidentësh. Tani që Lista Serbe (LS) është kthyer në institucione, dhe këtë muaj nga radhët e saj u emëru edhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijević, duket se ngadalë po plotësohen kushtet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Për këtë edhe OSBE-ja citohet se ka thënë që “është e gatshme të japë ndihmën e saj”. Megjithatë, mosmarrëveshjet që përsëri morën hov brenda LS-së rreth udhëheqjes së këtij subjekti dhe disa incidente që ndodhën gjatë prillit në Mitrovicën e veriut, si pasojë e të cilave kryetari i saj, Milan Rakić, tha se kishte kërkuar pezullimin e punimeve te ura e Ibrit dhe sheshi ‘Kral Petri’, tregojnë se gjërat gjithmonë janë pezull në këtë pjesë të botës.