Shënimi i muajit

1
385

Në ditën e fundit të janarit, i dërguari i posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar, filluan vizitën e tyre treditore në Prishtinë për të vazhduar më pas në Beograd, në përpjekje për t’i dhënë shtytje Dialogut që tashmë një kohë të gjatë ka ngecur. Takimet e tyre me udhëheqësit e të dyja vendeve ofruan “një mundësi për të diskutuar planet për javët dhe muajt e ardhshëm për ta çuar përpara këtë proces”. Lajčak dhe Escobar u takuan edhe me udhëheqësit e opozitës dhe pjestarë të shoqërive civile të Kosovës dhe të Serbisë. Vizita e përbashkët u tha se kishte për qëllim të tregonte se Uashingtoni dhe Brukseli po punojnë në partneritet të ngushtë. Pas takimeve të zhvilluara në Prishtinë e Beograd, u theksua se palët janë të gatshme që të takohen në Bruksel, se janë të përkushtuara ndaj procesit dhe se “gjithçka për të cilën është arritur pajtimi në të kaluarën në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet”.

“Ju kujtohet që pas dy takimeve të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, ne thamë se donim që takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit të sillte rezultate konkrete. Muajt e fundit kemi punuar për përgatitjen e këtij takimi. Ju nuk keni parë shumë dialog, por ndërkohë ka pasur shumë proces dhe përparim. Sot mund të them se jam optimist. Çështja është se kur do të ndodhë ai takim dhe jo nëse do të ndodhë ai”, tha Lajçak.

Ky takim midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, mund të ndodhë në mars. Kështu ka lënë të kuptohet kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tha se “duhet të krijojmë sa më shpejtë kushtet që krerët e shtetit të mblidhen në Bruksel dhe të bisedojmë për elementet që duhet të përfshihen në marrëveshjen e përgjithshme. Është problem të parashikohet, dakordimi im me Lajçakun është që gjatë muajit shkurt të kemi një takim në Bruksel apo diku tjetër në nivel kryenegociatorësh që të shohim se në ç’masë mund të sigurojmë një takim të tillë gjatë muajit mars”.

Duke pasur parasysh intensifikimin e dukshëm të përpjekjeve të përfaqësuesve ndërkombëtar, nuk është jorealiste të pritet që një marrëveshje e mundshme për çështjen e targave të ofrojë rastin e kërkuar për takimin e radhës në nivel të lartë. Ka katër muaj që një Grup i Punës po punon për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme të kësaj çështjeje që u kthye në rend dite në shtator të vitit të kaluar pas përshkallëzimit të situatës midis dy vendeve. Detyra e Grupit të Punës është që gjetjet e veta t’ia prezantojë ‘formatit të nivelit të lartë të Dialogut’ brenda periudhës prej gjashtë muajsh (deri në fund të marsit). Për takimin e rregullt të Grupit të punës që u mbajt në fund të janarit, Lajčak shkroi se “diskutimet sollën më shumë qartësi rreth opsioneve potenciale dhe rezultateve të mundshme”.

Por të gjitha mund të vihen në pikëpyetje kur të kihet parasysh se në Serbi pritet të mbahen zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në fillim të prillit. Në janar, Prishtina nuk lejoi mbajtjen e referendumit për ndryshime të Kushtetutës së Serbisë në Kosovë, përkundër thirrjes së QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe, SHBA) dhe Bashkimit Evropian drejtuar qeverisë së Kosovës që “të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit në zgjedhje dhe procese zgjedhore në pajtim me praktikën e vendosur” në të kaluarën. I pyetur përse SHBA kishte kërkuar që të lejohej mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier, i cili mbërriti në Prishtinë në fillim të janarit, u përgjigj se Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtë të caktojë se me çfarë kushtesh mund të mbahen zgjedhjet e vendeve të tjera në territorin e Kosovës.  “E kuptojmë dhe e mbështesim këtë,” tha ai, duke shtuar se kishin shpresuar “që qeveria e Kosovës të vazhdonte me të njëjtin aranzhim, i cili ne nuk besonim që përbënte kërcënim për sovranitetin e vendit — kjo nuk është kontestuese dhe absolutisht është vërtetuar nga SHBA-ja dhe partnerët tanë — me shpresë që ata njerëz të lejoheshin të ushtronin mundësinë e tyre për të votuar edhe në zgjedhjet serbe”. Sa i përket zjedhjeve të prillit, Hovenier tha se “qëndrimi amerikan do të vazhdojë të jetë ai që ka qenë: që do të duam të punojmë me qeverinë e Kosovës për të gjetur mundësinë, të pranueshme për qeverinë e Kosovës, por që gjithashtu mundëson që individët në Kosovë të mund të votojnë nëse e kanë atë të drejtë”.