Përpjekjet e intensifikuara të BE-së dhe të SHBA-së për t’i dhënë shtytje Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë në fillim të shkurtit, me vizitën e përbashkët të Miroslav Lajčakut, përfaqësues i posaçëm për Dialogun, dhe Gabriel Escobarit, përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ende pritet të japin ndonjë rezultat konkret me një takim të ri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.
Në javën e fundit të muajit, në Bruksel, Lajčak takoi ndaras kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi, dhe atë serb, Petar Petković, me orë të tëra, pa arritur të zhvillonin një takim trepalësh.
Petković tha se me Lajčakun kanë diskutuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, energjetikën dhe gjyqësinë, ndërsa për mosrealizimin e takimit trepalësh ai fajësoi kryenegociatorin kosovar, i cili, sipas tij, “përsëri ka refuzuar të bisedojë me palën serbe”.
Nga ana e tij, Bislimi tha se “në takimin trepalësh është dashur të diskutohet për përgatitjen e takimit në nivel të lartë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës. Kam insistuar të mbahet ky takim por si duket nuk ka pasur interesim nga pala serbe që pastaj është kompensuar me një deklaratë të pavërtetë në media ku thuhet se Bislimi ka rezistuar. Mendoj se kjo do të demantohet edhe nga vet zyra e Lajçakut sepse e tërë deklarata e Petkoviqit është e pavërtetë.” Bislimi shtoi se “konsultat kanë pasur për qëllim finalizimin e marrëveshjes për energjinë dhe gjithçka dukej mirë deri në momentin e fundit, por siç duket palës në Bruksel i duhet edhe pak kohë për finalizim”.
Vetë Lajčak tha se pas 11 orë negociatash intensive, “jemi afër arritjes së një marrëveshjeje mbi disa dokumenta. Por siç ndodh shpesh, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon.”
Tri ditë më vonë, më 25 shkurt, po në Bruksel, Grupi i Punës për targat zhvilloi takimin e pestë brenda pesë muajsh. Lajčak njoftoi se ekspertët nga Kosova dhe Serbia kanë avancuar për të kuptuar më mirë të gjitha opsionet ekzistuese që u janë paraqitur atyre, dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive. Lidhur me këtë, pala kosovare thotë se “grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare” dhe se “takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”. Grupi i Punës po punon për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme të kësaj çështjeje që u kthye në rend dite në shtator të vitit të kaluar pas përshkallëzimit të situatës midis dy vendeve. Detyra e Grupit të Punës është që gjetjet e veta t’ia prezantojë ‘formatit të nivelit të lartë të Dialogut’ deri në fund të marsit.
Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, kryeministri Kurti zhvilloi takime me Lajčakun dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme, Josep Borrell. Sipas zyrës së kryeministrit, Kurti ka thënë se “është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njejtë nga pala serbe”. Në një njoftim në twitter, pas takimit, Borrell tha se “pret me padurim progres konkret së shpejti”.
Për Dialogun mes Kosovës e Serbisë u fol edhe në nënkomisionin për punë të jashtme të Senatit amerikan, ku pyetjeve iu përgjigj i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Escobar tha se “kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin bisedimet si negociata të vërteta, për të arritur qëllimin kryesor të tyre – që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku duan të anëtarësohen”.
Gjatë shkurtit në Beograd dhe Prishtinë qëndroi i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në vizitën e tij të parë në rajon pas emërimit në këtë detyrë në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërkohë Gjermania njoftoi se edhe ajo ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Ish-deputeti i Partisë së të Gjelbërve, Manuel Sarrazin, zyrtarisht mori këtë detyrë më 1 mars.