Shënimi i muajit

0
350

Me afrimin e afatit të caktuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave, kanë filluar të dalin më shumë hollësi rreth opsioneve që janë shqyrtuar në takimet e Grupit të punës që nga tetori i vitit të kaluar.

Kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, thotë se vazhdimi i regjimit (aktual) të sticker-ave (letrave ngjitëse) nuk është një zgjidhje e përhershme dhe nuk është në pajtim me standardet më të mira dhe praktikat e BE-së. Sipas Bislimit, në tryezë janë disa opsione, tri prej tyre kryesore:

“Një prej tyre është që vendet të merren vesh që regjimet aktuale të të dyjave vendeve të jenë në pajtim me BE-në dhe kjo do të jetë jashtëzakonisht lirë për të dyja vendet sepse nuk sjell shpenzime plotësuese. Opsioni i dytë do të ishte modifikimi i targave të të dyja vendeve – simbolet nacionale do të mbaheshin por shkurtesat do të ndryshoheshin nga të dyja vendet. Opsioni i tretë do të ishte që shkurtesat të mbaheshin por të modifikohen simbolet nacionale, ose të hiqen tërësisht ose të modifikohen.”

Bislimi thotë se pala kosovare që nga fillimi ka theksuar se për te nuk ekziston problemi, por se problemi ekziston sepse Serbia bën kërkesat shtesë. Për palën kosovare, thotë Bislimi, zgjidhja më e mirë do të ishte të vazhdohet me targat e njëjta që tashmë kanë vendet, jo me stickera. Sipas tij, Serbia dëshiron të vazhdohet me stickera.

Kryenegociatorit kosovar ka thënë se takimi i radhës për targat mbahet të enjten, më 7 prill, pas të cilit pritet të mbahen edhe dy takime të tjera këtë muaj; më 20 prill, për të dalë me një qëndrim më 21 prill se a është arritur apo jo marrëveshje. Sipas Bislimit, BE-së i duhet të identifikojë në takimet e ardhshme se cila palë po pengon [marrëveshjen] dhe atë palë ta cilësojë si palë që po e bllokon dialogun në tërësi.

Në fillim të marsit, ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano rikujtoi se në takimin e fundit [më 22 shkurt] palët i janë afruar gjetjes së gjuhës së përbashkët për çështjen e rrymës për veriun e Kosovës dhe zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur. Ai tha se presin që palët të arrijnë shpejt një marrëveshje për këto çështje, për të lejuar fillimin e diskutimeve mbi tema të reja të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve”. ‘Finalizimin shumë të shpejtë’ të zgjidhjes për energjinë në veri e kishte paralajmëruar edhe kryenegociatori kosovar, Bislimi Bislimi, në një fjalim në Kuvend pas takimit të shkurtit në Bruksel.  

Të gjitha këto duken optimiste por vetëm pak ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, tha se “Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston”, dhe për këtë akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe “ata që e mbrojnë”. Vučić e tha këtë pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) suspendoi kryetaren e Gjykatës themelore të Mitrovicës së veriut, Ljiljana Stevanović, nga pozita e saj, për shkak se kishte marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë në Beograd bashkë me përfaqësuesë të tjerë të serbëve të Kosovës që janë pjesë e institucioneve kosovare. Vučić e kishte thirrë takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar, mes tjerash, gjendjen pas pamundësisë së organizimit të votimeve në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 3 prill. 

Në një deklaratë të përbashkët, shtetet e Kuintit (SHBA, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar), shprehën keqardhje për “vendimin e qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të paraqitur nga Kuint-i” për një ‘zgjidhje pragmatike’ për t’u mundësuar qytetarëve serb të Kosovës votimin më 3 prill. Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij nuk kishte marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë por nuk ka pasur marrëveshje paraprake. Ai shtoi se nuk kishte pranuar që gjithçka të përmbyllej përbrenda një lëtërkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës dhe shprehu bindjen që “letërshkëmbimi duhet të jetë mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë”.

Sikurse në rastin e referendumit për ndryshime të Kushtetutës së Republikës së Serbisë në janar, qytetarë serbë të Kosovës udhëtuan për të votuar në qendrat e votimit në qytete serbe afër kufirit me Kosovën, në Kurshumli, Tutin, Rashkë e Vranjë. Siç pritej, Vučić siguroi edhe një mandat si president ndërsa partia e tij fitoi numrin më të madh të votave, sipas rezultateve paraprake.

Në një reagim pas zgjedhjeve të së dielës, Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, dhe Komisioneri për Zgjerim, Olivér Várhelyi, inkurajojnë Serbinë që të japë “rezultate reale dhe të prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën përmes Dialogut të lehtësuar nga BE, që përcaktojnë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit të saj në BE”.

Në Beograd tashmë ka mbërritur ambasadori i ri i SHBA-së, Christopher Hill, diplomat i rryem, pasi gjatë muajit u konfirmua në këtë detyrë nga Senati. Hill pati thënë që, nëse konfirmohet, ai “do të inkurajojë Serbinë që të angazhohet seriozisht dhe urgjentisht për të arritur një kompromis” me Kosovën.

Po gjatë marsit, në një deklaratë të tij në lidhje me luftën në Ukrainë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar, tha se “nuk duhet të lejojmë Rusinë të shfrytëzojë luftën e saj, që e ka zgjedhur vetë, për të penguar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Duhet shfrytëzuar këtë, tha Escobar, “për të dyfishuar përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të ndalur veprimet që kërcënojnë stabilitetin dhe progresin në Bosnjë e Hercegovinë.”