Shpejt vjen prilli

Mbetet një fije shprese që megjithatë do të ketë mjaft mendje të shëndosha dhe dialog të hapur që këto probleme të tejkalohen në mënyrën më të mirë të mundsme e që asnjëra palë të mos dëmtohet në çfarëdo mënyre të mundshme. 

0
217

Shpejt vjen prilli, e në kuadër të prillit, një javë që është e një rëndësie të madhe për një mandat politik të ardhshëm i cili duhet të zgjasë për katër vitet e ardhshme. Po bëhen përgatitje të mëdha për fillimin e fushatës në Serbi dhe po krijohet përshtypja se ka vendosmëri si nga ana e pozitës ashtu edhe nga ana e opozitës që të fitohet mandati ashtu që të sigurohet pushteti për katër vitet e ardhshme. Në këto kushte dhe me një synim të dhënë në atë mënyrë, çdo votë vlen sa ari. Përafërsisht secili grupacion politik paraprakisht e di se ku i ka votat e veta të sigurta dhe në bazë të kësaj grupohen sferat e interesit dhe përgatitet terreni për të fituar votat. Për këtë arsye, fokusi i madh i pushtetit është që me kohë t’i drejtohet të gjithë votuesve si në territorin e Serbisë ashtu edhe në territorin e Kosovës si dhe të mundësohet që secili qytetar të dalë në votime dhe që me vullnetin e tij të përmbushë obligimin e tij qytetar.

Pikërisht për këtë nuk guxon të përsëritet situata që ndodhi më 16 janar kur ishte shpallur referendumi, sepse pikërisht në atë datë serbët e Kosovës nuk mundën zyrtarisht të përmbushin obligimin e tyre qytetar, e me këtë nuk patën mundësi që të deklarohen lidhur me çështjen e referendumit. Kjo ishte një goditje e madhe për Beogradin zyrtar dhe paralajmërimi i fundit që këtë çështje duhet ta zgjidhin me kohë ashtu që të mos ketë pengesa juridike për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme të planifikuara.

Me rastin e tërë kësaj që u tha më lartë, kryetari i Kuvendit Popullor të Serbisë, Ivica Dačić, deklaroi që “bashkësia ndërkombëtare duhet të sigurojë kushtet që serbët në Kosovë të votojnë në zgjedhjet e ardhshme dhe që të mos përsëritet situata e referendumit të fundit”. Ai theksoi që bëhet fjalë për një “çështje parimore” dhe që Serbia nuk do të heq dorë nga kjo, si dhe që “serbët duhet të kenë të drejtën të votojnë në Kosovë, siç ka ndodhur kjo edhe më parë”.  

Sa për rikujtim, referendumi i përmendur për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë është mbajtur më 16 janar, por nuk është mbajtur në Kosovë. Beogradi zyrtar si dhe bashkësia ndërkombëtare kanë dërguar kërkesë por Prishtina e injoroi këtë kërkesë dhe, në përputhje me këtë, e ndaloi mbajtjen e referendumit në territorin e Kosovës duke miratuar Rezolutë për këtë çështje. Në mënyrë që Beogradi zyrtar të shmangë pasojat e këtij vendimi që mori Prishtina, i njëjti organizoi votimin për serbët e Kosovës në qytetet që territorialisht janë në afërsi të Kosovës, si Rashka, Novi Pazari, Vraja, Kurshumlija. Në këtë mënyrë pjesërisht është zvogëluar dëmi që është shkaktuar nga ky vendim por gjithsesi ka supozim që gjithsesi do të dilnin në zgjedhje më shumë njerëz po të kishin pasur mundësinë që vullnetin e tyre ta shprehin në vendbanimet e tyre në njësitë e tyre zgjedhore, dmth. në vendvotime.      

Duke pasur parasysh të gjitha ato që u thanë më lartë, si dhe deklaratën e dhënë së fundmi të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, se serbët do të dalin në zgjedhje në vendvotimet në veri të Kosovës si dhe në tërë territorin e Kosovës, dhe që i njëjti ka shprehur shpresën se “dikush ka mend në kokë që edhe ta kuptojë këtë”, fitohet përshtypja se kjo do të jetë një periudhë tejet e vështirë dhe e tensionuar me përplot fjalë të ashpra dhe retorikë ndezëse. Por, mbetet një fije shprese që megjithatë do të ketë mjaft mendje të shëndosha dhe dialog të hapur që këto probleme të tejkalohen në mënyrën më të mirë të mundsme e që asnjëra palë të mos dëmtohet në çfarëdo mënyre të mundshme.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.