Ambasadori i ri – politika e vjetër  

Në disa momente ashpërsist i sinqertë, pak kontradiktor, por përsëri fleksibil, racional. Ai i kontrollon kritikat e tij dhe normalisht është i kthyer nga mikpritësi. Lëvizjet e veta të ardhshme i ka të fshehura, sikur luan shah, përveç atyre që janë aq të dukshme, ato i servoi, si përgjigje të mbështjellura mirë. Ashtu siç i ka hije një diplomati. Ekziston një stereotip se amerikanët janë njerëz pragmatik, e kështu duket që është edhe ambasadori i ri në Kosovë, Jeff Hovenier.

0
231

Kohët e fundit në Kosovë ka mbërritur ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier. Ai iu vu punës me entuziazëm, menjëherë pas marrjes së detyrës. Që në ditët e para u takua me udhëheqësit e Kosovës, duke ua bërë me dije se politika amerikane ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar në mënyrë domethënëse. Krahas mbështetjes së padyshimtë, është i pranishëm edhe insistimi në përmbushjen e obligimeve tashmë të nënshkruara. Ai e konfirmoi këtë edhe në intervistën të cilën e dha për televizionin RTK.

Një njeri që e njeh mirë situatën në Kosovë dhe përreth. Sa për të rikujtuar, ai ishte në Konferencën e Paqes në Rambuje, madje edhe në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës në Vjenë. Hovenier është ambasadori i parë amerikan që merr pjesë në shënimin e përvjetorit të, siç thotë ai, masakrës së Reçakut, që ka një simbolikë të madhe, të paktën për shqiptarët e Kosovës. Sado të diskutueshme dhe të pashpjegueshme të jenë ngjarjet në Reçak, Hovenier do të fitojë simpati me këtë prani. 

Ai ka cekur se do të përpiqet të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e njohjes reciproke të Serbisë dhe Kosovës, që gjithsesi është një sfidë. Kjo mund të thuhet se është një klishe e zakonshme, demagogji e pastër; ai tha diçka që e kemi dëgjuar prej disa vitesh. Por politika është e tillë, kërkohet fleksibilitet, shpeshherë njerëzit me ndikim dinë të thonë atë që pritet prej tyre, atë që popullit i pëlqen të dëgjojë. Kështu edhe ambasadori Hovenier u përpoq të arsyetonte pritshmëritë.

Ajo që është interesante, Hovenier tha se Kosova është një histori e përfunduar, se ajo është e pavarur, sovraniteti dhe integriteti territorial i saj nuk vihen në pikëpyetje, por më vonë gjatë intervistës ai theksoi se “duhet të punohet më shumë që ky vend të zërë vendin që i takon si një shtet sovran dhe i pavarur që ofron shërbime për qytetarët e vet”. Sikur  nuk është i sigurt në atë çfarë ka thënë ose ndoshta ka dashur t’u sugjerojë autoriteteve të Kosovës se duhet të “luajnë” sipas rregullave amerikane nëse duan pavarësi të plotë.

Ambasadori i ri vuri në dukje në një mënyrë të butë se Kosova është mjaft e mbyllur, veçanërisht për mundësitë që po shfaqen, duke aluduar në nismën Ballkani i Hapur dhe projektin e gazit të mbështetur nga korporata amerikane Sfida e Mijëvjeçarit, MCC. Në rastin e parë, Kosova humb mundësinë për qarkullim më të mirë të mallrave dhe njerëzve dhe mundësinë për të reduktuar barrierat në tregti, ndërsa në rastin e dytë Kosova humb mundësinë për furnizim të besueshëm dhe modern me energji në shekullin 21. Qeverisë së Kosovës, injorimi i këtij projekti tashmë i ka shkaktuar kokëçarje këtë dimër kur kanë pasur probleme me ngrohjen. Hovenier e përdori situatën për të vënë në dukje atë gabim, dhe në një farë mënyre loboi për MCC-në.

Referendumi në Serbi ishte temë për të cilën foli ambasadori. I pyetur nga gazetari se pse SHBA-të kërkuan të mbaheshin zgjedhjet në Kosovë, ambasadori ishte sërish i paqartë, disa do të thoshin hipokrit. Ai në një moment e arsyeton atë vendim pasi sipas tij qytetarët kanë të drejtë të dalin të votojnë, gjë që edhe është normale. Në një moment tjetër ai thotë se “Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet në të cilat do të mbahen zgjedhjet e vendeve të tjera në territorin e Kosovës, ne e kuptojmë dhe e mbështesim këtë.” Shtrohet pyetja, ambasador, a i kuptoni dhe i përkrahni autoritetet e Kosovës apo e përkrahni qëndrimin e SHBA-së që zgjedhjet të mbahen në Kosovë? Por kjo pyetje është e ndjeshme, duhet kuptuar Hovenier-in.

Ambasadori lavdëroi kolegët e tij, Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin e SHBA-së në Beograd, Christopher Hill. Edhe pse ai nuk i bëri konkrete lëvizjet e tyre të ardhshme, ai e zhvendosi fokusin në kompetencën e tyre. Epo, më duket se kjo treshe kaubojësh, me pak vullnet, mund të ndryshojë shumëçka në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk jam i sigurt se kjo do t’i pëlqejë Kurtit, ambasadori Jeff Hovenier tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të ekzistojë. Ky do të ishte qëndrimi zyrtar i vendit të tij, sepse, siç thotë ai, Kosova është obliguar për këtë përmes marrëveshjes. Për ta zbutur atë qëndrim, Hovenier përsëri tha “por ai është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës”, sikur nuk donte që rastësisht të shkaktonte ndonjë zemërim të panevojshëm.

Në disa momente ashpërsist i sinqertë, pak kontradiktor, por përsëri fleksibil, racional. Ai i kontrollon kritikat e tij dhe normalisht është i kthyer nga mikpritësi. Lëvizjet e veta të ardhshme i ka të fshehura, sikur luan shah, përveç atyre që janë aq të dukshme, ato i servoi, si përgjigje të mbështjellura mirë. Ashtu siç i ka hije një diplomati. Ekziston një stereotip se amerikanët janë njerëz pragmatik, e kështu duket që është edhe ambasadori i ri në Kosovë, Jeff Hovenier. Do të ketë kohë të mjaftueshme për të dëshmuar veten dhe për të ndryshuar diçka së bashku me Escobar-in dhe Hill-in, qoftë edhe nëse kjo do të ishte zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara. Sido që të jetë, vetëm le të lëvizim nga pika e vdekur. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.