Kamenica njihet si njëra prej komunave me integrimin më të madh të komunitetit serb në Kosovë.
Që 26 vite, Predrag Stanković, është bërë “ilaç” për veturat e shqiptarëve në Kamenicë.
Ai e ka nisur punën e tij si elektricist i veturave që nga viti i largët 1996. Lokalin e ka në shtëpinë e tij, në paralagjen e Kamenicës, Berivojcë. Nga viti 1996 kishte pasur myshterinjë shqiptar.
Në një bisedë për New Prespektivën, ky 46 vjeçar ka treguar se ka myshterinjë shqiptar nga e gjitha Kamenica edhe nga qyteti i Gjilanit. Ai shprehet se e bën punën hallall dhe e ka një çmimore të arsyeshme në raport me të tjerët.


“E kom kry zanatin edhe shkollën para 27 viteve. Nga viti 1996 ia kam nisë me punu këtë punë. Myshterinjtë shqiptar i kam më shumë nga Kamenica, nga fshatrat përreth edhe nga Doberçani e Gjilani. Vinë njëherë këtu ia rregulloj, prapë kur të kenë probleme vinë të unë përsëri. Momentalisht punoj vetë, punëtorë nuk mundem me gjetë, për arsye se nuk po ka punëtorë. Unë punoj mirë, punoj ma lirë, jo ma lirë, po e kam çmimin normal, punoj mirë, drejt dhe pa hile”, tregon Stanković.
Ai thotë se myshterinjtë e tij i sjellin veturat të cilat nuk mund t’i rregullojnë mjeshtërit e elektrikës për vetura që janë nga Kamenica.
“Kur nuk munden me i rregullu veturat e tyre tjetërkund, atëherë vinë këtu të unë dhe kërkojnë që t’ia rregulloj. Unë profesion e kam autoelektricist, por tashti kur është sezoni verës kam me mbush klima edhe nonstop kam me kompjuter me ia gjet diagnozat, të gjitha veturat çka kanë të bëjnë me elektrikë”, thekson ai.
Predrag Stanković jeton me gruan dhe me dy vajzat e tij. Bashkeshortja e tij momentalisht është e papunë, kurse dy vajzat e tij janë në studime në Beograd.
“Unë jetoj me gruan time edhe me dy vajzat, gruaja momentalisht nuk është duke punu, pasi ka punu në Kamenicë në gjykatë, kurse dy vajzat studiojnë në Beograd, njëra vajzë studion ekonomikun, tjetra studion në punë sociale”, tregon ai.
Me komshitë serbë dhe shqiptarë nuk ka probleme; ai tregon se komshitë serbë nuk e kanë gjykuar asnjëherë se përse ua rregullon veturat shqiptarëve. Bile, ai tregon se pasi e përfundon punën del për kafe me miqtë shqiptarë në të gjitha lokalet shqiptare dhe nuk e ka problem aspak.
“Me komshitë serb nuk kam probleme, dy shpia afër i kam kojshit shqiptar, nuk kam problem, kojshia këtu nuk më bëjnë probleme as për parking të veturave as asgjë. Pasdite kur i kryej punët dal nonstop me shokët e mi shqiptarë, këtu te Konaku në Koretin ose te Joni Ranch – në të gjithë restorantet mundesh me shku pa problem hiç. Shokët i kam nga fshati Koretin dhe mjeshtrin, Burimin, me të cilin punojmë bashkë; kur kanë probleme me mekanikë i tregoj për Burimin, kurse kur kanë probleme me elektrikë, Burimi i dërgon te unë. Veturën që kam me e rregullu është e tipit Shkoda, Burimi e ka drejtu te unë për me e rregullu” thotë Stanković, i cili tregon se ka bashkëpunim të mirë me pronarët e lokalit “Autoservis Univerzal” në Kamenicë, të cilët i dërgojnë myshterinjë që kanë nevojë për rregullimin e elektrikës së veturave.


Vëllai i Burimit, Bujar Ramabaja, nga “Autoservis Univerzal”, tregon se që 21 vite kanë bashkëpunim me Predrag Stanković-in. Ai tregon se myshterinjtë që i dërgon te Stanković-i asnjëherë nuk kanë hezituar për t’i rregulluar veturat te ai dhe asnjëherë nuk kanë pasur paragjykime.
“Bashkëpunimin me Pedjen e kemi nga viti 2000. Kur nuk mundemi me i rregullu veturat çka kanë të bëjnë me elektrikë i dërgojmë te ai në Berivojcë; çka nuk mundet me i rregullu ai i drejton te na, domethanë e kemi një bashkëpunim të mirë. Ne me klima dhe me elektrikë nuk punojmë shumë edhe i dërgojmë te ai. Të gjithë klientët që i kemi në drejtim të Pedjes, nuk janë ankuar kurrë, janë ndarë të kënaqur me punën e tij. Këtu në Kamenicë, myshteritë shqiptar nuk hezitojnë me shku te ai në Berivojvcë kur i tregojmë për të se mund t’ia rregullojë veturën e tyre, nuk ka asnjë kundërshtim asnjëherë, pra nuk ka pasur asnjëherë reagime”, tregon Ramabaja.


Bekim Kastrati, inxhinier i ndërtimtarisë nga fshati Hogosht i Kamenicës, tregon se kur ka probleme me elektrikë me veturën e tij atë e sjellë tek mjeshtri Stanković. Ai kësaj radhe e ka sjellur puer ta rregulluar aparatin e instalimit të dyerve, pasi nuk po i hapen dyert.
“Është mjeshtër i mirë. Këtë e njohim që nga paslufta, moti kohë ky punon si elektricist edhe është i njohur si eliktricist i mirë. Rregullisht kur kemi probleme me elektrikë ose diçka, ky ma rregullon veturën. Që 20 vite rregullisht e sjellë veturën te ky me e rregullu. Sot kam ardhë me e rregullu aparatin e instalimit komplet të dyerve – nuk po më funksionon rryma për me i hapë dhe me i mbyll, u afrova te ky, automotakisht ky ma dha zgjidhjen dhe tash po pres me e kry punën”, thotë Kastrati, të cilit iu gjetë zgjidhja për rregullimin e veturës së tij.
Bislim Leci, pensionist i cili jeton në Zvicër, thotë se veturat e tij i sjellë gjithmonë te Stankovići për rregullimin e klimës. Ai i thurr lavde 46 vjeçarit duke e komplimentuar që e flet edhe gjuhën shqipe mirë.


“E kom pru veturën me e mbush klimën e kom pas edhe tjetër veturë, për auto elektricist është specialist. Veturat i sjellë këtu që mbi 4-5 herë; arsyeja që i sjellë këtu është se është mjeshtër shumë i mirë. Sa herë që vij nga Zvicra, kur ma lëshon klima ose diçka vij këtu e rregulloj. Mu nuk më pengon pse është serb, sepse ky din shqip edhe serbisht, unë në kohën e Jugosllavisë e kam kryer shërbimin ushtarak edhe e di gjuhën serbishte dhe shqip, merrna vesh qysh t’dush”, thotë Bislim Leci nga fshati Koretin i Kamenicës.