Ballafaqimi me të vërtetën

E Mira dhe e Keqja kanë një fillim. Ndaj, pa u ballafaquar me të vërtetën, gjegjësisht: pa u emëruar qartë se kë e pengonte barazia e të gjithë njerëzve në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht në Kosovë, gjegjësisht: pa e pranuar fajin ata që më përzunë mua nga shtëpia dhe nga shteti, pa e ditur kush ishin ata njerëz me mjekra që më përzunë nga shtëpia, kush i urdhëroi ata, pa u dënuar ata që ma dogjën shtëpinë dhe pa u kërkuar falje për... për gjithë ato vuajtje, për gjithë ato viktima, për gjithë ato dhunime, për gjithë ato kidnapime dhe humbje të njerëzve në Kosovë, askush me mend në kokë nuk duhet të besojë se do ketë pajtim, ecje përpara dhe normalizim raportesh mes njerëzve në Kosovë.

0
1162

(reagim ndaj artikullit “Kujtimet e 17 marsit” të botuar në New Perspektiva)

Si e Mira, poashtu edhe e Keqja kanë një fillim.

Jemi gati dy dekada pas një lufte të tmerrshme në Kosovë, në të cilën mbetën të vrarë 15.000 njerëz; mbi 20.000 femra shqiptare të dhunuara, mbi një milion shqiptarë të përzënë nga shtëpitë e veta në ndjekje jashtë atdheut, mbi 200.000 shtëpi të djegura, mijëra ekonomi familjare të plaçkitura, mijëra xhami e kisha të rrënuara…

Kurrë nuk do të mund ta harroj ditën kur mua dhe familjen time na përzunë nga shtëpia dhe na grahën, si bagëtive, drejt kufirit me Maqedoninë. Njerëz të uniformuar me mjekra, të armatosur deri në dhëmbë, derisa ne po largoheshim nga shtëpitë tona në Kodrën e Trimave në Prishtinë, na shikonin me sy zhbirues, si të donin të na përpinin të gjallë, derisa të gjithë shqiptarët e përzënë nga shtëpitë e veta, po largoheshin kokulur, pa guxuar as t’i shikonin njerëzit me tyta drejt nesh.

“Nënë, kah po shkojmë? Nënë, pse po Largohemi nga shtëpia?!” – pyetnin fëmijët që posa kishin mësuar të flasin e të ecin.

“Hesht, djali im. Mos fol se këta mund edhe të na vrasin”- ishte përgjigjja me zë të ulët.

Një natë bujtëm në Stacionin e Trenit në Prishtinë. Aty, nën qiellin e hapur, në ato net të ftohta të fundmarsit, shumë nëna shqiptare lindën fëmijët – pa kurrfarë përkujdesi mjekësor, përveç me ndihmën e Zotit dhe të ndonjë familjari, në ndonjë kthinë të improvizuar me batanijet që kishte marrë dikush me vete. Të nesërmen, nënat lehona, njerëz të tjerë të sëmurë (disa vdiqën gjatë rrugës) fëmijë gra e pleq, u ngarkuan nëpër trena, si kafshët, dhe u nisën drejt Maqedonisë. Në vendin e quajtur Bllacë, kaluam përsëri edhe dy net – nën qiellin e hapur, pa bukë, pa ujë të mjaftueshëm dhe duke u dridhur nga të ftohtit dhe nga lagështia e tokës.

Në Maqedoni na morën shumë familje shqiptare dhe na strehuan nëpër shtëpitë e veta. Më 19 prill 1999 në ofensivat serbe në Kosovë ndodhën shumë masakra mbi familjet shqiptare që nuk kishin mundur të iknin. Të nesërmen morëm lajmin se shtëpia ime në Kodrën e Trimave ishte djegur deri në themele. Kur jemi kthyer, kemi kuptuar se shtëpinë time e kishin djegur një ushtarpunëtor i KEK-ut i mobilizuar në luftë, të cilin e kishte njohur një fqinji im që kishte punuar me të, si dhe një polic që punonte në Stacionin Policor nr. 3 dhe i cili më kishte maltretuar në prani të familjarëve dhe të fqinjve vetëm pak ditë para se të na përzinin nga shtëpitë. Vallë, a janë gjallë ata dy individë dhe çka punojnë tani?! – pyesim veten shpesh.

Pra: e Mira dhe e Keqja kanë një fillim. Ndaj, pa u ballafaquar me të vërtetën, gjegjësisht: pa u emëruar qartë se kë e pengonte barazia e të gjithë njerëzve në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht në Kosovë, gjegjësisht: pa e pranuar fajin ata që më përzunë mua nga shtëpia dhe nga shteti, pa e ditur kush ishin ata njerëz me mjekra që më përzunë nga shtëpia, kush i urdhëroi ata, pa u dënuar ata që ma dogjën shtëpinë dhe pa u kërkuar falje për… për gjithë ato vuajtje, për gjithë ato viktima, për gjithë ato dhunime, për gjithë ato kidnapime dhe humbje të njerëzve në Kosovë, askush me mend në kokë nuk duhet të besojë se do ketë pajtim, ecje përpara dhe normalizim raportesh mes njerëzve në Kosovë.