Më 16 janar, ditën kur po mbahej Referendumi serb për ndryshime kushtetuese, shkova në Mitrovicë të Veriut për ta parë nga afër se si po kapërdihej nga serbët refuzimi që i bëri shteti i Kosovës mbajtjes së votimeve në territorin e saj.
Mbërrita afër shtatores së Car Llazarit pak minuta me vonesë, por arrita ta shohë aktin simbolik ku një kuti votimesh u nis nga Ura e Ibrit për në Beograd. Por, serbët që hasja në rrugë dukeshin krejtësisht shpërfillës.
Po këta serbë të çinteresuar për këtë Referendum ishin e janë subjekt i një problemi të madh politik mes Kosovës dhe Serbisë, e më tej edhe mes Serbisë dhe rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian (BE).
Në këtë shkrim do të flasim për të ashtuquajturin “dialog të brendshëm”. Janë dy ‘dialogje të brendshme’ që janë bërë/premtuar deri tash me serbët e Kosovës, njëri nga presidenti Vučić dhe një tjetër nga kryeministri Kurti.
Monologu i Vučić-it
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, do ta botonte një letër në pikë të verës së 2017-s. Aty, derisa sulmonte ata që nxisnin luftë, ai paralajmëronte edhe fillimin e një ‘dialogu të brendshëm’ me serbët e Kosovës.
“Këta, ashtu si ata të tjerët që heqin dorë nga gjithçka, nuk e dinë as se ku bie Kosova, nuk kanë qenë kurrë atje, nuk kanë ndër mend të shkojnë ndonjëherë, e aq më pak të jetojnë atje,” shkruante Vučić në letrën e tij.
Dialogu në fjalë u nis, por nuk u bitis. Ai i ngjau më shumë një monologu. Dialogu i brendshëm me serbët e Kosovës u duk se u zhvendos nga vendbanimet serbe, ku ishte paraparë të mbahej, në brendinë e mendjes së Vučić-it.
Ato që ndodhën prej 2017-s e këndej na e konfirmojnë një gjë të tillë. Në janar 2018, politikani kundërshtues i Vučić-it me emrin Oliver Ivanović u vra në afërsi të zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut. Në gusht 2018, Vučić do të fliste fjalë të mira për Slobodan Milošević-in, atë që njihet si ‘Kasapi i Ballkanit’. Në mars 2019, u rrah Slobodan Petrović në qendër të Prishtinës. Më pas, disa politikanë tjerë, po ashtu kundërshtues të Vučić-it, u morën në pyetje dhe u intimiduan në Serbi. Këto mes shumë aktesh tjera që na e rrëfejnë të vërtetën e këtij ‘dialogu’.
Si të mos mjaftonte kjo, ‘dialogu i brendshëm’ efektivisht çoi drejt homogjenizimit politik të serbëve të Kosovës. Lista Serbe do t’i fitonte 95% të votave në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë që u zhvilluan dy respektivisht tri vjet e gjysmë pas letrës së famshme.
Ja çka thotë për këtë dialog profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Avdi Smajlaj:
“Dialogu (i brendshëm), u dëshmua që u instrumentalizua duke krijuar një lloj ndjenje të serbët e Kosovës, sikur zëri i tyre është i rëndësishëm, por në fakt ai u përdor për të shtuar kontrollin e tij tek serbët e Kosovës.
Monologu i Kurtit
Jo shumë kohë pasi Vučić pushoi së përmenduri ‘dialogun e brendshëm’ me serbët e Kosovës, një të tillë donte ta niste edhe Albin Kurti. Ishte vjeshta e 2019-s, dhe kryetari i Vetëvendosjes po përgatitej të merrte pushtetin.
Madje, Kurti konsideronte që dialogu i brendshëm me serbët kosovarë duhej të niste para se të riniste dialogu me Serbinë.
Albin Kurti është në pushtet tash e më shumë se një vit, nëse i numërojmë edhe mandatin e parë. Ai u turr drejt Brukselit për të diskutuar me Serbinë, duke shkelur si qëndrimin e tij për dialogun e brendshëm me serbët tanë ashtu edhe qëndrimin e tij tjetër për plotësimin e kushteve të kërkimfaljes dhe dëmshpërblimeve të luftës nga Serbia.
Për më tepër, dialogu i brendshëm edhe pse premtim elektoral (i dhënë në kohë zgjedhjesh) nuk kishte zënë asnjë rresht të vetëm në Programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025.
Profesori Avdi Smajlaj bile vë në dyshim edhe qëllimin e kryeministrit të Kosovës për dialogun në fjalë:
“Premtimi për një dialog të tillë më shumë duket të jetë bërë si vazhdimësi e një përpjekje kundër dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte edhe diskurs i vazhdueshëm i partisë së kryeministrit, se sa një projekt për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.”
‘Monumenti’ i dialogut të brendshëm
Edhe pse dialogu i brendshëm me serbët e Kosovës nuk duket në horizont, dhe rrezikon të mbetet thjesht një nga qëndrimet e shkelura të kryeministit Kurti, nevoja për të është më se evidente.
Dhe, nëse kryeministri Kurti papritmas do të jetë i vullnetshëm që ta bëjë dialogun e brendshëm, një varg pyetjesh konkrete shtrohen menjëhershëm mes të cilave dy më kryesoret: 1) me cilët serbë të Kosovës do të dialogojë Kurti?; dhe 2) cilat do të ishin temat më prioritare?
Aktivistja Milica Andrić Rakić, në një opinion të shkruar për dialogun e brendshëm, thotë se ai nuk është i mundshëm pa Listën Serbe. Ajo madje konsideron që LS e ka një rol shumë më konstruktiv se sa oponentët e saj.
“Kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe bashkëveprimin me institucionet dhe shoqërinë kosovare, Lista Serbe është po aq miqësore sa është e mundur të jetë. Çdo opsion tjetër politik që mund të shpresojë të fitojë mbështetje serioze të votuesve në veri janë lëvizjet e djathta nacionaliste që do të propagandonin bojkotim dhe mbylljen e institucioneve ekzistuese të Kosovës,” thotë Andrić Rakić.
Por, edhe nëse zgjidhet çështja se me kë do të dialogojë Kurti, cilat do të ishin temat e shtruara?
“Një dialog i brendshëm do të duhej të strukturohej e zhvillohej në kuadër të fuqizimit të pluralizmit politik e shoqëror, ku etnia si ndarje do të defaktorizohej, karshi organizimit e mobilizimit të interesave shoqërore e politike,” tha Avdi Smajlaj, i pyetur për këtë çështje.
Sidoqoftë, duke marrë parasysh që natyra e ndasisë mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës është krejtësisht politike, atëherë është e parashikueshme që si temë prioritare të përcaktohet edhe ndonjë kërkesë e pastër politike nga ana e serbëve të Kosovës.
Milica Andrić Rakić shprehet si vijon:
“Duke qenë i bindur se shumë prej kërkesave të këtij komuniteti diktohen nga Beogradi, Kurti mund të habitet kur të mësojë se apetiti i këtij komuniteti për vetë-rregullim dhe autonomi në të vërtetë është frenuar, e jo nxitur nga Beogradi.”
Fati i dialogut të brendshëm të premtuar nga Kurti mund të përfundojë po aty ku përfundoi premtimi i tij për Dialogun me Serbinë, Bashkimin Kombëtar, ulja e çmimit të energjisë elektrike dhe shumë e shumë të tjera. Meqë më 16 janar, ditën e Referendumit, nuk kishte kurrfarë zhvillimi domethënës politik në veri apo në jug të Mitrovicës, unë shkova që ta vizitoja për herë të parë Monumentin e Minatorit.
Ky Monument e hijeshonte Kodrën e Minatorit dhe gjithë Mitrovicën me praninë e tij prej vitit 1973. Ai ishte punuar nga Bogdan Bogdanović, arkitekti i shquar që kishte qenë edhe kryetar i Beogradit, dhe i dedikohej minatorëve shqiptarë e serbë që kishin luftuar kundër okupimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore duke formuar Çetën e Minatorëve (Rudarska četa).
Ideali i bashkëpunimit mes dy komuniteteve që ndryhej në monument dukej i rrënuar, dhe mosrrënimi fizik i monumentit dukej thjesht pasojë e dembelisë së nacionalistëve të andejmë e këndejmë për t’i përvjelë mëngët e për ta copëtuar. Parë nga larg në Kodrën ku ndodhej, monumenti dukej sikur të ishte thjesht dhe vetëm shpërfaqje e mendjes së një individi, autorit të saj. Asnjë vizitor i vetëm nuk ishte në atë vend.
Siç rrëfente studiuesi Alexandre Mirlesse, në një intervistë me Bogdan Bogdanović-in, banorët e Mitrovicës e shohin monumentin si “memorial komunist”, “monument të lavdisë së Milošević-it” apo edhe si “skarë”, duke shfaqur indiferencë të qartë për atë që simbolizon.
Çka bashkoi minatorët shqiptarë e serbë në vitin 1941? Ishte okupatori nazist. Përveç kushteve të rënda të punës, ishte edhe përfytyrimi i ndjellur dhunshëm nga ato kushte pune i një të ardhmeje mjeruese me një ideologji shtypëse. A s’çon ndasia etnike dhe mungesa e dialogut të brendshëm në një të ardhme të ngjashme?
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.