Drejtësia e integruar

Marrëveshja u arrit dy vjet më parë, u zbatua vetëm tani; u dha një deklaratë neutrale në lidhje me statusin që ka kuptimin e një betimi, por jo edhe peshën e saj ligjore; shumëçka gjatë gjithë procesit është bërë jashtë normave ligjore dhe praktikave ligjore - shpresoj sinqerisht se të paktën proceset gjyqësore do të jenë në përputhje me parimet ligjore dhe etike të profesionit gjyqësor, sepse pa këtë, gjithçka ishte e kotë.

0
873

Kah fundi i muajit të kaluar, më në fund gjykatësit dhe prokurorët serbë nga veriu i Kosovës dhanë betimin apo, siç po interpretohet kjo, dhanë një deklaratë neutrale sa i përket statusit para presidentit të Kosovës dhe kështu i vunë pikë procesit të zbatimit të marrëveshjes për integrimin e drejtësisë të arritur në Bruksel në fund të shkurtit, 2015. Do të ketë nevojë për një distancë të caktuar kohore që në mënyrë të duhur të interpretohet ajo që do të vijë si pasojë e gjithë asaj që u tha më lartë, por një gjë është e sigurt, nuk ka më institucione paralele në lëmin e gjyqësisë. A do të sjellë kjo përparësi të caktuara në sendërtimin e drejtësisë nga ana e qytetarëve, siç ceket kjo në komunikatën zyrtare të të gjitha institucioneve relevante, këtë do ta shohim pas ca muajve, derisa procesi i zbatimit të ligjit dhe drejtësisë të fillojë me tërë hovin e tij. Mirëpo ajo që pothuajse askush nga Beogradi nuk e përmendi është se baza ligjore mbi të cilën do të kryhen proceset apo do të ngrihen aktakuzat do të jenë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, shtetit të cilin shumica e serbëve nga veriu i Kosovës ende nuk e pranojnë e zyrtarisht as vetë Beogradi – tingëllon joreale, por jemi mësuar me një qasje të tillë, kështu që edhe nuk po na pengon më.

Derisa gjatë gjithë këtyre viteve, të vetmet institucione që në njëfarë mënyre e kryenin funksionin e tyre e i përkisnin sistemit të Serbisë ishin pikërisht gjykatat, që pak ditë më parë, edhe këto institucione u integruan në një sistem që, sipas interpretimit ligjor të Serbisë, në fakt nuk ekziston, sepse nuk ka një njohje ndërshtetërore. Unë nuk jam jurist, por e tërë kjo shpie tek një përfundim se madje edhe ky veprim i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë nga veriu juridikisht nuk ekziston, e sipas disa ligjeve të caktuara të Serbisë do të mund të trajtohej edhe si vepër penale. Por të gjitha këto janë teori që bazohen në interpretimin autentik të normave juridike edhe të njërit edhe të tjetrit shtet, e siç e dimë, një numër i madh marrëveshjesh që janë arritur në Bruksel janë të tilla që, rrjedhimisht, për shkak të tyre do të duhet të ndryshohen edhe ligje të caktuara të të dy shteteve e vetëm atëherë do të mund të presim që këto marrëveshje të zbatohen në plotë kuptimin e kësaj fjale. Nuk do të diskutojmë për atë nëse ekziston vullneti politik që kjo të bëhet sa më parë që është e mundur, sepse disa herë kemi parë që gati se gjithçka ndodh në momentin e fundit dhe me presion nga anash. 

Sido që të jetë, gjyqtarët dhe prokurorët do të kryejnë punën e tyre, apo, siç tha njëri prej tyre, do të tregojnë se i përkasin esnafit që e di punën e vet, edhe pse tani kjo është sipas ligjeve që shkruhen në Prishtinë e jo në Beograd. Sido që të jetë, ligji është ligj, me rëndësi është që të ekzistojë zbatimi i asaj që është shkruar, nga marrëveshjet e në fund edhe të atyre ligjeve, sepse është evidente mungesa e drejtësisë dhe mbrojtjes ligjore për qytetarët para gjykatave. Shpresoj që qysh nga ditët e para të punës së tyre qytetarët nuk do të ndiejnë kuptimin e asaj fjale të urtë latine dura lex, sed lex, dmth ligji është i ashpër por është ligj. Marrëveshja u arrit dy vjet më parë, ajo u zbatua vetëm tani, u dha një deklaratë neutrale në lidhje me statusin e cila ka kuptimin e një betimi, por jo edhe peshën e saj ligjore; shumëçka gjatë gjithë procesit është bërë jashtë normave ligjore dhe praktikës ligjore – shpresoj sinqerisht se të paktën proceset gjyqësore do të jenë në përputhje me parimet ligjore dhe etike të profesionit gjyqësor, sepse pa këtë, gjithçka ishte e kotë.

Në fund, do t’i lejoj vetës që t’i porosis diçka gjyqtarët e rinj, dmth të vjetër, nga profesioni im e që është e shkruar në Kodin e car Dushanit, dhe porosia thotë: Gjyqtarët të gjykojnë sipas të drejtës dhe drejtësisë, e jo nga frika e mbretërisë sime. Qysh para 700 viteve ka qenë e garantuar paanësia e gjykatës, e do të ishte mirë që kështu të jetë edhe tani. Dixi!