Duhet të hapim një kapitull të ri

U duk sikur vetëm folësit e jashtëm në konferencën e mbajtur javën e kaluar në Mitrovicë folën rreth asaj se çka i bashkon serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës. Por krejt në fund, folësi i fundit Marko Đurić, drejtor i zyrës për Kosovë dhe Metohi, e ndryshoi pak këtë dhe solli një temë më unifikuese.

0
895

U duk sikur vetëm folësit e jashtëm në konferencën e mbajtur javën e kaluar në Mitrovicë folën rreth asaj se çka i bashkon serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës. Por krejt në fund, folësi i fundit Marko Đurić, drejtor i zyrës për Kosovë dhe Metohi, e ndryshoi pak këtë dhe solli një temë më unifikuese.

Ishte një konferencë interesante 7:7:7 me njën titull goxha të çuditshëm: Ndërtimi i marëdhënieve shqiptaro-serbe. Mbase duhej të ishte Ndërtimi i Marrëdhënieve Kosovë-Serbisepse thelbësisht kjo konferencë ishte për Kosovën. Aty ishin shtatë folës ndërkombëtarë, shtatë serbë dhe shtatë shqiptarë të Kosovës që jepnin mendimet e tyre rreth këtyre marrëdhënieve, pa ndonjë renditje të caktuar. Konferenca ishte organizuar nga RTV Mitrovica me mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Prishtinë.

Shumica e folësve duket se flisnin për çështjet e gjuhës dhe arsimimit dhe se si abuzimi me to kishte pasur një impakt negativ mbi demokracinë, të drejtat e njeriut, marrëdhëniet ndëretnike dhe përparimin në Kosovë. Mediat dhe politikanët u panë si fajtorët më të mëdhenjë në këtë aspekt dhe askush nuk ka nevojë që të na e vërtetojë këtë. Violeta Oroshi kujtoi se si njerëzit në Prishtinë në të kaluarën flisnin tri gjuhë lehtësisht, shqip, serbisht dhe turqisht. Për mua këto fjalë vazhdojnë të jehojnë. Ne duhet të vlerësojmë diversitetin e tillë dhe nuk duhet të lejojmë që të rinjtë kosovarë të dinë vetëm një “të vërtetë”, siç tha Oroshi.

Shkëlzen Gashi, i cili shumë qartë foli për shtrembërimet e tmerrshme të historisë në tekstet shkollore, ishte shumë ilustrativ rreth këtyre mëkateve të përbashkëta si nga shteti i Kosovës poashtu edhe nga ai i Serbisë. Ai foli (mbase metaforikisht) për kryeministrat që kishin miratuar tekstet shkollore. Përse, e pyeta veten, kryeministrat miratojnë tekste shkollore? Prej kur në një demokraci politikanët i miratojnë tekstet shkollore? Politikat e teksteve shkollore dallojnë prej vendit në vend. Mund të ketë autorizime ministrore por kjo, sidomos në Europë, bëhet vetëm për ta kontrolluar përmbajtjen a është në përputhje me ligjin, Kushtetutën, kontrollimin e cilësisë së librit, dhe jo që të sigurohet se është adoptuar një vijë e caktuar politike kombëtare. Disa ministri vetëm bëjnë rekomandime. Mësuesit dhe shkollat duhet të kenë një varg librash prej të cilave mund të zgjedhin.

Gjuha u diskutua edhe në kontekstin e asaj se a duhet shkollat në Kosovë t’ua mësojnë fëmijëve të dy gjuhët kushtetuese të Kosovës. E kemi diskutuar këtë çështje në këtë faqe më parë. Por ajo çka më befasoi ishte fakti se nuk e dëgjova askënd të thotë që nëse nxënësit serb do të mësonin shqip në shkolla kjo do të mund t’ua përmirësonte gjasat që ata më pas të gjenin punë në Kosovë. Por ndoshta kjo mund të këtë humbur gjatë përkthimit! Zëvendëskryeministri, Branimir Stojanović, i cili pranoi se është duke mësuar shqip, tha se ai do të angazhohej për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat serbe vetëm nëse prindërit e kërkojnë një gjë të tillë.

Marko Đurić foli krejt në fund kur konferenca kishte tejkaluar kohën e transmetimit, dhe sipas RTK-së kishte pasur një ndërprerje të rrymës. Disa prej deklaratave të tij janë raportuar goxha gjërësisht. Ai tha shumë qartë se as serbet e as shqiptarët nuk do të jenë të suksesshëm nëse nuk ka falje dhe pajtim. Ai foli për nevojën që të dyja palët të ndërrojnë gjuhën e viktimizimit, për ndryshimin e marëdhënieve njerëzore mes tyre. Ai shprehu qëndrimin se të dyja palët, Serbia dhe Kosova, duhet ta pranojnë tani që ka çështje rreth të cilave do të vazhdojnë të kenë mospajtime por kjo nuk duhet t’i ndalë që të ecin përpara; është koha të pajtohemi që të mos pajtohemi. Ai beson se duhet të zhvillohen bisedime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. Ai tha se gjyqësori duhet të marrë vendime për të kaluarën ndërsa njerëzit dhe lidershipi duhet të largohen nga gjykimet politike. Një kapitull i ri duhet të hapet, kapitull që shkon përtej nacionalizmit.

Rrjedhimisht konceptet e gjuhës, përdorimi i saj dhe ndryshimi ishin tema të pranishme vazhdimisht në këtë debat në Mitrovicë. Bashkimi Evropian dhe liberalizimi i vizave, ekonomia, tregtia, nevoja që Beogradi ta njohë Kosovën dhe disa çështje të tjera gjithashtu u diskutuan. Megjithatë, unë e lashë vendin ku po mbahej ky debat me temën e gjuhës që jehonte në kokën time sepse ishte gjuha ajo që u kishte mundësuar njerëzve, me diversitetin e tyre në të kaluarën, të jetojnë së bashku për shumë dekada në Kosovë dhe sepse një gjuhë tjetër u përdor aty nga njëri prej politikanëve kryesor serb në procesin e normalizimit. Shpresoj që kjo të ketë manifestuar një përkushtim më konstruktiv.

6 shtator 2015