Duhet të ndryshojë qasja e jo formati i dialogut në Bruksel

Në vend të presionit ndaj Kosovës që të vazhdojë të dyshojë në shtetësinë e vetvetes, dhe të kërcënimeve se dështimi i dialogut do ta lërë veriun jashtë kontrollit të Kosovës, BE-ja duhet të insistojë që dialogu vërtet të jetë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sot, edhe pse flitet për suksese historike në këtë dialog, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më jonormale sesa ishin para nisjes së dialogut. Edhe Kosova, edhe BE-ja, edhe Serbia duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj dialogut, e jo formatin e tij. Për ata që në të ardhmen do ta kenë pushtetin në Kosovë do të mbetet një detyrë e hidhur që të zbatojnë obligimet që i kanë marrë ata të cilët para tyre ishin në pushtet.

0
1188

Pjesëmarrësit në dialog duan që ta shohin atë dhe rezultatet që ka sjellë vetëm në aspektin pozitiv. BE-ja thotë se ka arritur një sukses historik, sepse përmes dialogut janë zgjidhur “shumë çështje praktike për qytetarët”. Përfaqësuesit e Kosovës në dialog thonë se përmes tij Kosova arriti të ketë Marrëveshje Stabilizim-Asocimi me BE-në dhe i është afruar liberalizimit të vizave, ndërkohë që Kosova ka shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj. Beogradi thotë se përmes dialogut ka arritur të mbrojë interesat e shtetit në territorin e “Krahinës së Kosovës dhe Metohisë”, ndërkaq ka arritur përparim të madh edhe në procesin e integrimeve në BE. Dhe nëse shikohet kështu, atëherë askush nuk do të duhej ta kritikonte këtë dialog e as të shprehet kundër tij.

Por ky dialog ka pasur edhe shumë pasoja negative, sidomos për Kosovën. Të gjitha ato “ të arritura” mund të paraqiten edhe si dëme, disa prej të cilave të pariparueshme për Kosovën. E disa edhe si të arritura të kufizuara.

Për çdo “rezultat” që përmendet mund të gjenden argumente për të dëshmuar të kundërtën. Ta zëmë, pohimin se me dialog Kosova “ka shtrirë sovranitetit në tërë territorin e vet”. Kjo shpesh argumentohet me pjesëmarrjen e serbëve nga veriu i Kosovës në zgjedhjet e Kosovës. Por e pamë edhe në zgjedhjet e fundit se në atë pjesë zgjedhjet zhvillohen ndryshe nga pjesët e tjera të Kosovës, ato i “ndihmon” OSBE-ja, ndërsa qytetarët e Kosovës, e të tillë janë edhe ata me përkatësi etnike serbe, nuk janë të lirë për t’u kandiduar dhe për të votuar, sepse janë të frikësuar nga një shtet fqinj, nga Serbia. Dhe si rezultat i këtyre zgjedhjeve del një listë me 10 deputetë, të cilët do të jenë në Kuvendin e Kosovës, me gjasë edhe në Qeveri, e që në fakt përfaqësojnë Qeverinë e Serbisë e cila nuk e njeh Kosovën si shtet. Liria e lëvizjes në veri të Kosovës nuk ka lëvizje. Kosova në praktikë nuk i ka kontrollin e as pushtetin në veri të Kosovës, dhe këtë mund ta shohë në hapin e parë secili që e viziton atë pjesë.

Në fakt, ajo që quhet sukses në integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës është më shumë pranim i segregacionit etnik. Sot Kosova e BE-ja nuk i mbrojnë, ndërsa Beogradi ashpër i sulmon dhe i frikëson ata serbë të Kosovës që vërtet do të donin të integroheshin dhe këtë integrim ta bënin pa e pyetur Beogradin për secilin veprim të Kosovës. Sot integrimi i vërtetë i serbëve të Kosovës dhe pranimi i realitetit se Kosova është shtet, nga ata është më i vogël sesa ishte para nisjes së dialogut. Në vend të serbëve më shumë në institucionet e Kosovës është integruar Serbia, dhe kjo nuk është vetëm një parullë. BE-së kjo i duket krejt normale, ndërsa në Kosovë heshtin ndaj këtij realiteti.

Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është gjithsesi qëllimi kryesor i deklaruar i dialogut. Kjo në kornizën negociuese të BE-së në procesin e anëtarësimit të Serbisë është formuluar si “normalizim gjithëpërfshirës, përfshirë edhe përmes dokumentit obligues ligjor”. Jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj shumë këtë e shohin si një lloj obligimi për njohjen e Kosovës nga Serbia. Kjo edhe e ka atë qëllim, por jo në një të ardhme të afërt. Kjo mund të ndodhë vetëm në prag të anëtarësimit të Serbisë në BE, që duket një perspektivë jo edhe aq e afërt.

E ndërkohë Serbia nuk lë vend pa e penguar Kosovën që të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare, sa herë që e ka këtë mundësi. Madje në përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, Serbia me sukses arriti ta pengojë këtë duke përdorur edhe fyerjet më të rënda të cilat asnjë shtet me dinjitet nuk do t’i toleronte pa reaguar. Serbia u ka dërguar edhe letra shteteve të tjera ku Kosovën e krahason me të ashtuquajturin “ISIS”, ndërsa disa shtete fqinje të cilat e kishin mbështetur Kosovën i kishte kërcënuar.

Serbia, jo vetëm përmes deklaratave verbale të politikanëve, por edhe përmes fletarrestimeve formale, disa liderë politikë të Kosovës vazhdon t’i konsiderojë “kriminelë lufte” dhe të kërkojë arrestimin e tyre. Ka shumë shembuj me të cilët mund të dëshmohet se sa jonormale janë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, edhe pse dikujt në Bruksel ato mund t’i duken ndryshe në bazë të takimeve që zhvillohen në ndërtesën e Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së.

Edhe ajo “paketa e shpërblimeve” për të cilën fliste dr. Edita Tahiri për Kosovën duket shumë e varfër. Përpos një MSA-je, të cilën edhe ashtu shumë vende të tjera e arritën vite më parë, pa kushtëzime që të pranojnë njolla apo fjolla në emrin e tyre, Kosova nuk ka arritur diçka tjetër. Liberalizimi i vizave nuk është arritur ende, ndërkohë që Serbia tashmë ka harrur se kur i janë hequr vizat, ka marrë statusin e vendit kandidat, ka nisur procesin e negociatave të anëtarësimit dhe gradualisht është duke përparuar përmes hapjes së kapitujve negociues në këto negociata.

Tash në BE, kur pritet që edhe në Kosovë, edhe në Serbi të formohet qeveria e re, presin që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve. Kjo, mendojnë disa qarqe në Bruksel, do të siguronte kontinuitet, sepse nga Kosova edhe ashtu ka qenë Hashim Thaçi ai i cili që nga fillimi ishte në krye të dialogut dhe mori përgjegjësitë në të, ndërsa në Serbi tash e disa vjet rolin kryesor e ka presidenti i tashëm Aleksandër Vuçiq, i cili është “shef”, pa marrë parasysh postin zyrtar që mban.

Në vend të presionit ndaj Kosovës që të vazhdojë të dyshojë në shtetësinë e vetvetes, dhe të kërcënimeve se dështimi i dialogut do ta lërë veriun jashtë kontrollit të Kosovës, BE-ja duhet të insistojë që dialogu vërtet të jetë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sot, edhe pse flitet për suksese historike në këtë dialog, raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë më jonormale sesa ishin para nisjes së dialogut. Edhe Kosova, edhe BE-ja, edhe Serbia duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj dialogut e jo formatin e tij. Për ata që në të ardhmen do ta kenë pushtetin në Kosovë do të mbetet një detyrë e hidhur që të zbatojnë obligimet që i kanë marrë ata të cilët para tyre ishin në pushtet.

Këtë në BE do ta përmendin si “normë ndërkombëtare” sipas së cilës obligimet ndërkombëtare duhet të përmbushen edhe kur ndërrohet qeveria. Problemi në rastin e Kosovës qëndron se marrëveshjet me Serbinë nuk e kanë formën e “marrëveshjeve ndërshtetërore” dhe nuk ka një instancë gjyqësore ndërkombëtare e cila do të interpretonte obligimet nga to ose të zgjidhte kontestet që u bëhen atyre në interpretime. E interpretimet vazhdojnë të jenë shumë të ndryshme. Gjithsesi Kosova ka marrë obligime politike për zbatimin e tyre dhe çdo shmangie nga ato obligime do të hasë në kërcënime me pasoja.

Fokusimi i dialogut vërtet në normalizimin e raporteve do të sillte edhe zgjidhjen e problemeve praktike për qytetarët. Sepse, siç ka qenë nga fillimi e vazhdon të jetë edhe sot, secili problem për të cilin flitet në dialogun e Brukselit rrjedh si pasojë e mospajtimeve për statusin e Kosovës. E për statusin, siç kanë thënë nga fillimi, dhe duke pasur parasysh se tashmë shumica e shteteve të botës e kanë njohur Kosovën, nuk mund të rinegociohet më. Nëse BE-ja vazhdon të ketë “mirëkuptim” me qëndrimet e Serbisë për të mos e njohur Kosovën dhe për të punuar në ndarjen e saj, atëherë do të bëhet bashkëfajtore për rritjen e thirrjeve për ndryshime të kufijve të vendeve të Ballkanit, që është diçka shumë e rrezikshme.

(Marrë nga koha.net)