Evropa si implikim i paevitueshëm i Dialogut

Agjenda perëndimore ose, më saktë, agjenda evropiane e Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm e rëndësishme por edhe e natyrshme për Prishtinën dhe Beogradin. Në këtë drejtim, implikimet e perspektivës evropiane janë të një natyre që tejkalon politikën dhe përbëjnë një lloj racionaliteti (interesi) shumëdimensional për të dy shtetet.

0
53

Pa marrë parasysh dallimet mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut, të dy shtetet kanë një pikë të përbashkët që është (ose të paktën do të duhej të ishte) e paevitueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen e tyre evropiane. Një skenar i tillë është jo vetëm shumë i natyrshëm, por në të njëjtën kohë përkon me të ardhmen e paraparë për këto shtete. Si rrjedhim, veprimet e Kosovës dhe Serbisë duhet të jenë gjithmonë e më shumë në përputhshmëri me kërkesat e faktorit ndërkombëtar, e specifikisht të Evropës.

Tani, siç ka një lloj tendence të ndodhë herë pas herë, është rikthyer një momentum në rëndësinë e forcimit të strukturave evropiane dhe rrjedhimisht integrimit në këto struktura. Luftimet dhe pasiguria e perceptuar në ndërlidhje me situtatën e Ukrainës ka vënë edhe një herë në dukje rëndësinë e politikave të zgjerimit. Lidhur me këtë politikë është shprehur edhe kryediplomati austriak, Hans Schallenberg, i cili dekaroi se “sulmi në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE dhe kjo gjë s’ka qenë asnjëherë më e rëndësishme dhe tani premtimi që është dhënë para 19 viteve në Selanik është edhe më i rëndësishëm tani që të zbatohet dhe të vihet në jetë”. Thirrje të ngjashme janë bërë edhe nga Gjermania dhe SHBA dhe tashmë agjenda perëndimore është më evidente se asnjëherë. Në këtë drejtim, Kosova dhe Serbia do të duhej të përfitonin nga ky lloj momentumi për të çuar përpara proceset e tyre respektive të ndërlidhura me Evropën dhe perëndimin në përgjithësi.

Duhet theksuar se agjenda perëndimore ose, më saktë, agjenda evropiane e Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm e rëndësishme por edhe e natyrshme për Kosovën dhe Serbinë. Në këtë drejtim, implikimet e perspektivës evropiane janë të një natyre që tejkalon politikën dhe përbëjnë një llloj racionaliteti (interesi) shumëdimensional për të dy shtetet. Për këtë u shpreh edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili tha se “dialogu është rruga e cila i hapë Kosovës edhe perspektivën e mëtejme evropiane. Një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve këtu në Kosovë. Një marrëveshje politike midis dy vendeve është kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune dhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.” Scholz theksoi edhe ndërlidhjen ekonomike të shteteve si pjesë e një strukture të tillë duke bërë të qartë se arritja e një marrëveshjeje duhet të pasohet me arritje të prekshme por që natyrisht duhet të kenë si bazë marrëveshjen politike.

Një element tjetër që Kosova dhe Serbia duhet të kenë të qartë kur kemi parasysh çështjen e perspektivës evropiane janë edhe pasojat që ndërlidhen nëse eventualisht kemi devijim nga kjo rrugë. Në fakt, perëndimi vazhdimisht bën thirrje për pritjet që ekzistojnë për të dy shtetet për konstruktivitet dhe sjellje konform kërkesave të perëndimit. Lidhur me këtë, së fundmi, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, deklaori që Serbia duhet të mendojë se ku qëndron e ardhmja e saj dhe nëse “ky pozicion neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm. Pra, është e qartë që Serbisë në mënyrë implicite i është dhënë një sinjal i qartë për devijimin e bërë dhe që raporti bilateral në raport me Rusinë në fakt mund të shndërrohet në një kompromis me progresin në rugën drejt strukturave evropiane.

Kosova dhe Serbia duket se kanë një lloj konkludimi të përbashkët ndoshta të paevitueshëm të ndërlidhur me dialogun. Bëhet fjalë për të ardhmen evropiane të të dy shteteve. Një perspektivë e tillë është e qartë dhe, mbi të gjitha, injorimi i dy shteteve për të kuptuar këtë realitet mund të vazhdojë të sjellë pasoja të ndryshme e mbi të gjitha mohimin e të drejtës së natyrshme për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.