Fushata zgjedhore e SHBA-së krijon rrëmujë diplomatike për Beogradin e Prishtinën

Në vend të përpjekjes për një marrëveshtje të madhe mes Kosovës dhe Serbisë, ajo u kthye në hiç më pak se një projektim i fuqisë gjeopolitike të SHBA-së - duke shënuar epërsi ndaj Rusisë dhe Kinës, duke goditur terroristët ndërkombëtarë, duke forcuar shërbimin amerikan të zbulimit, dhe duke ndihmuar Izraelin. Kjo është marrëveshja të cilën Uashingtoni do të donte që çdo shtet ta firmoste.

0
589

(Ky artikull është shkruar nergut për botim në New Perspektiva. Autori është profesor vizitor në London School of Economics.) 

Krijimi i paqes nuk është asnjëherë i lehtë. Por është një si rregull i mirë praktik që nëse do të tentosh, atëherë përpiqu të mos i bësh gjërat më keq për protagonistët kyç.

Marrëveshja – nëse mund ta quajmë ashtu – e ndërmjetësuar së fundi nga SHBA midis Kosovës e Serbisë sigurisht ia doli të bëjë një situatë të keqe edhe më të keqe për Beogradin dhe Prishtinën – por jo bash ashtu siç mund të pritet. Marrëdhëniet e tyre dypalëshe mbesin pak a shumë ashtu siq kanë qenë. Megjithatë, marrëveshja ka minuar raportet e tyre respektive me thuajse gjithë pjesën tjetër të botës.

Pra, çfarë ndodhi?

Së pari, ia vlen të bëjmë një hap prapa dhe të shikojmë se si u zhvilluan ngjarjet.

Në korrik pati spekulime se Shtetet e Bashkuara po përgatitnin një shtytje të fortë për të siguruar një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse për këtë nuk kishte gjasa, vetëm disa ditë para se të takoheshin dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vučić, Prokurori i Gjykatës Speciale të Kosovës lëshoi bombën e papritur se kishte dorëzuar një aktakuzë kundër Presidentit Thaçi. Si rezultat, takimi i Uashingtonit u anulua.

Në atë pikë, përgjithësisht e mendua se ky ishte fundi i përpjekjeve të SHBA-së – të paktën për momentin. Derisa presidenti Trump po ngecte në anketa, shumë vetë menduan se tani Administrata do të fokusohej në ri-zgjedhjen e tij në nëntor. Madje edhe i dërguari special i SHBA-së, Richard Grenell, dukej se e kishte pranuar disfatën dhe po ia kalonte bisedimet e mëtutjeshme Bashkimit Evropian.

Por, situata papritur ndryshoi në muajin gusht. Lajmi i madh se Emiratet e Bashkuara Arabe kishin njohur Izraelin – duke u bërë kështu vetëm anëtari i pestë i Ligës Arabe, dhe i pari shtet arab për më shumë se njëzet vjet që bënte këtë – u duk se i ndryshoi gjërat. Përgjithësisht e konsideruar si fitore madhore e politikës së jashtme për Administratën e Trumpit, të paktën në sytë e votuesve të tyre kryesorë, ajo u duk se ofroi një shtytje për të siguruar edhe një fitore tjetër në politikën e jashtme para zgjedhjeve. Serbia dhe Kosova u bënë tani objektiv i përsosur.

Një marrëveshje e madhe e paqes që do të vendoste statusin e Kosovës njëherë e përgjithmonë në bazë të njohjes reciproke dhe anëtarësimit në KB do të ishte një sukses jashtëzakonisht i madh – dhe definitivisht i vlefshëm për lëvdata. Problemi është se kjo gjithmonë dukej se nuk kishte gjasa.

Duke kuptuar këtë, Shtetet e Bashkuara muajt e fundi filluan të theksonin se po përqendroheshin në çështje ekonomike. Por, sado e rëndësishme që të jetë kjo për ata që jetojnë në regjion, për opinionin e gjerë amerikan nuk do të kishte pothuajse kurrfarë kuptimi. Një marrëveshje mes ca shteteve ballkanike që t’i shesin njëri-tjetrit biskota dhe verë nuk do të ishte e mjaftueshme. Duhej diçka më e madhe.

Në këtë pikë puqen të gjitha. Në vend se të fokusohen në diçka të paarritshme ose të parëndësishme në aspektin politik, Uashingtoni e rishkroi skriptin për ta bërë atë për SHBA-të.

Në thelb, marrëveshjet e ndara të nënshkruara nga Serbia dhe Kosova me SHBA-në – në vend se me njëra-tjetrën – kishin hiç ose pak të reja mbi çështjet që në fakt kanë të bëjnë me këto dy vende. Në një pjesë të madhe, dhe siq e kanë vërejtur të tjerë, ajo ishte thjeshtë një ripërdorim i disa pikave për të cilat tashmë kishin rënë dakord. Palët, në thelb, përsëritën se zotoheshin t’i zbatonin marrëveshjet për gjëra të tilla si transporti dhe njohja e diplomave. Ato poashtu ranë dakord të kufizonin betejën e tyre rreth njohjeve për një vit.

Ishte pjesa në vazhdim ku gjërat filluan të bëheshin interesante. Këtu Serbia dhe Kosova nënshkruan një listë gati të pamaskuar dëshirash të SHBA-së: më pak energji ruse; jo pajisjeve kineze të telekomunikacionit; nxjerrjen jashtë ligji të grupeve terroriste të mbështetura nga Irani; kyçjen në rrjetet amerikane të zbulimit. Përfshinte madje edhe një pikë për dekriminalizimin e homoseksualitetit në mbarë botën. Ndonëse një kauzë jashtëzakonisht e vlefshme, pa marrë parasysh ajo u duk si një shtesë çuditërisht jashtë konteksti. Për shumëkë, kjo dukej si një listë dëshirash e objektivave të politikës së jashtme të SHBA-së për çdo vend në botë!

Por ishte pjesa e fundit që i la shumicën e vëzhguesve me gojë hapur.

Në një lëvizje vërtetë të papritur, u njoftua se Izraeli kishte njohur Kosovën. Për më shumë, dhe që është thelbësore, Kosova dhe Serbia gjithashtu ranë dakord që t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem. Kjo menjëherë nxiti reagime. Siç u vërejt me shpejtësi, një hap i tillë është në kundërshtim me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Është po ashtu në kundërshtim me politikën e partnerëve të tyre më të afërt. Ishte domethënës fakti se Bashkimi Evropian shpejt i shprehi shqetësimet e veta në lidhje me lajmin.

Por, ky njoftim u bën shumë dëm të dyja shteteve edhe në mënyra të tjera.

Për Kosovën, që u përshkrua si vend me shumicë myslimane, do të bëjë pashmangshmërisht shumë dëm në botën islamike. Turqia, një aleat i fortë i Kosovës që ka bërë shumë për të mbështetur shtetësinë e saj që nga viti 2008, ishte sidomos kritike. Në një deklaratë të formuluar rreptë, Ankaraja thjesht i tha Prishtinës që nëse nuk i respekton të drejtat e palestinezëve, ajo mund të harrojë solidaritetin nga shtetet myslimane.

Por nuk është vetëm Kosova që del keq. Edhe Serbia del keq – ndoshta edhe më shumë. Vërtetë nuk duket mirë për një shtet që përpiqet të ngulë këmbë në respektimin e rezolutave të OKB-së – përkatësisht Rezolutën 1244 – dhe për një shtet që po përpiqet të hyjë në BE.

Në fakt, e tërë kjo po del të jetë një turpërim i vërtetë për Beogradin. Kosova të paktën fitoi njohjen nga Izraeli. Serbia jo vetëm që pa një shtet tjetër duke njohur Kosovën – i pari në gati tre vjet – por pastaj në mënyrë shumë publike, dhe me një kosto të madhe për veten, shpërbleu Izraelin për këtë  hap mbrapa në fushën e diplomacisë. Mbase nuk është për t’u çuditur shumë që disa njoftime tani sugjerojnë se Serbia në fakt nuk do të hapë ambasadë në Jerusalem nëse Izraeli e njeh Kosovën.

Megjithatë, kjo do të jetë një hollësi e vogël për më vonë. Në Uashington do të jenë kënaqur me këtë rezultat – që solli mbulim medial në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Trumpi siguroi edhe një tjetë fitore në politikën e jashtme.

Në këtë kuptim, marrëveshja ishte një vepër mjeshtërore. Në vend të përpjekjes për një marrëveshtje të madhe mes Kosovës dhe Serbisë, ajo u kthye në hiç më pak se një projektim i fuqisë gjeopolitike të SHBA-së – duke shënuar epërsi ndaj Rusisë dhe Kinës, duke goditur terroristët ndërkombëtarë, duke forcuar shërbimin amerikan të zbulimit, dhe duke ndihmuar Izraelin. Kjo është marrëveshja të cilën Uashingtoni do të donte që çdo shtet ta firmoste.

Ndërkohë, Serbia dhe Kosova largohen duke çaluar me shumë pak për të treguar përpos që i kanë komplikuar raportet e tyre me shumicën e partnerëve të tjerë kyçë të tyre nëpër botë.

James Ker-Lindsay është profesor vizitor në Fakultetin e Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) dhe autor i një numri librash mbi Ballkanin Perëndimor dhe çështjen e njohjes. Ai është në Twitter http://www.twitter.com/JamesKerLindsay dhe YouTube http://www.youtube.com/c/JamesKerLindsay

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.