Gjërat që vijnë pa zhurmë

Anëtarësimi në BE duket se nga qytetarët e vendeve tona është perceptuar si një lidhje direkte me vendet Perëndimore, pa kaluar fare nga fqinjtë. Epo, gabim! Bashkimi Evropian nënkupton, në rend të parë, marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

0
1253

Më 12 korrik u mbajt Samiti i katërt në kuadër të Procesit të Berlinit për integrimin në Bashkimin Evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Si herëve tjera, morën pjesë kryeministrat, ministrat e ekonomisë dhe ministrat e punëve të jashtme të Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Republikës së Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Ndër tjera, u diskutua edhe ideja e bashkimit ekonomik mes vendeve të tashmëpërmendura. Një bashkim që do të rriste tregun, dhe do të mundësonte lehtësira të ndryshme për bizneset e këtyre vendeve. Pra, është fjala për krijimin e një tregu më të madh. Marrë parasysh sistemin ekonomik në të cilin bëjmë pjesë, ideja në fjalë del të jetë tepër e natyrshme dhe e pritshme. Por në Kosovë kjo temë përgjithësisht u shpërfill. Edhe ata që folën për të u treguan mjaft shpërfillës e joserioz deri në absurditet.

Fillimisht u përmend fakti që Kosova nuk është njohur si shtet ende nga Serbia (dhe Bosnjë e Hercegovina). Dhe për rrjedhojë, do të trajtohej si e pabarabartë në relacion me të. Një amnezi e çuditshme! U harrua përnjëherë se Serbia ka marrëdhënje të ngushta ekonomike me Kosovën qe dy dekada – pavarësisht fërkimeve të shumta politike. Serbia është eksportuesi më i madh në Kosovë me 15,2% të eksportit të përgjithshëm. Dhe ky eksport rritet për çdo vit nga rritja e ndjeshme e konsumit.

Një tjetër reagim i çuditshëm ishte edhe përmendja e ‘Jugosllavisë së Re’. Pra, u tha se BE-ja dëshiron të krijojë një ‘Jugosllavi të Re’ por pa e artikuluar më tej këtë qëndrim. ‘Jugosllavia’ për kosovarët është e lidhur me shtypjen, dhunën, pabarazinë sociale, dhe shumë të këqija tjera. Por edhe këtu është e nevojshme të bëhen disa vërejtje. Së pari, ky bashkim nuk e përfshin Kroacinë dhe Slloveninë, dy shtetet më të fuqishme (bashkë me Serbinë, natyrisht) të Jugosllavisë së dikurshme, dhe e përfshin Shqipërinë, një shtet që ishte jashtë saj. Së dyti, sistemi ekonomik e politik në atë Federatë ishte krejtësisht i kundërt me të sotmin: pra, komunizëm. ‘Jugosllavia e Re’ është një reagim që lidhet me mënyrën ciklike të të konceptuarit të historisë: përsëritja e vazhdueshme e së njëjtës.

Përtej këtyre qëndrimeve absurde, pati vetëm përshkrime të thata dhe heshtje.

Tash e një kohë, Kosova në përgjithësi i ka shpërfillur qëndrimet dhe propozimet që vinin nga Bashkimi Evropian. Duhej të luftonim korrupsionim, nuk e bëmë. Duhej të miratonim demarkacionin, po ashtu nuk e bëmë. Negociatat me Serbinë ndërkohë janë lënë në gjysmë, dhe është e qartë nga zhvillimet e fundit politike se rinisja e tyre do të jetë shumë e zorshme.

Në samitin e Triestes, vëmendje të madhe mori edhe paraqitja e çuditshme e Edi Ramës, i cili kishte mbathur patika në njërin prej takimeve. Nuk dihet motivi i një veprimi të tillë por sidoqoftë më e pakta që mund të thuhet është se kryeministri shqiptar u tregua joserioz. Në politikë, në këtë hapësirë imazhesh e simbolesh, nuk ka gjëra të paqëllimshme. As mënyrat përshëndetëse, grimasat e fytyrave, veshja apo mbathja. Asgjë. Pra, Rama ishte qëllimshëm i shkujdesur e joserioz.

BE-ja është e mirënjohur për burokracinë e saj. Qasjen burokratike edhe të vetë liderëve. Jo një gjë shumë e dashur për masat ballkanike, që duan tronditje, argëtim, zhurmë. Dhe, jo aq argëtuese as për elitat politike, që gjithnjë kanë qenë në një mendje sa i përket kultivimit të urrejtjes dhe ndarjes mes vendeve tona. Anëtarësimi në BE duket se nga qytetarët e vendeve tona është perceptuar si një lidhje direkte me vendet Perëndimore, pa kaluar fare nga fqinjtë. Epo, gabim! Bashkimi Evropian nënkupton, në rend të parë, marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

Prandaj, në parim duhet të jemi pro këtij bashkimi. Dhe të përfitojmë nga kjo gjë.

“Ngjarjet më të mëdha nuk janë orët tona më të zhurmshme, por ato më të heshturat.
Bota nuk rrotullohet përreth zbuluesve të britmave të reja, por përreth zbuluesve të vlerave të reja; e rrotullohet në heshtje.”
– Nietzsche, Kështu foli Zarathustra