Gur i kësaj toke

Sendërtimi i lirive politike dhe të drejtave themelore të njeriut do të duhej të ishte bazë e çdo vendi me rregullim demokratik, mirëpo që kjo nuk është kështu u bindëm kah fundi i muajit të kaluar kur serbët nga enklavat, përndryshe ithtarë të partisë politikë që është në pushtet në Serbi, u penguan që të vijnë në mitingun parazgjedhor në Leposaviq.

0
1218

Sendërtimi i lirive politike dhe të drejtave themelore të njeriut do të duhej të ishte bazë e çdo vendi me rregullim demokratik, mirëpo që kjo nuk është kështu u bindëm kah fundi i muajit të kaluar kur serbët nga enklavat, përndryshe ithtarë të partisë politikë që është në pushtet në Serbi, u penguan që të vijnë në mitingun parazgjedhor në Leposaviq. Sipas disa vlerësimeve bëhet fjalë për diku rreth 4.000 persona, që nuk është numër i vogël për kushtet kur në Kosovë jetojnë rreth 150.000 serbë. Disa vlerësime joserioze e ngrisin këtë numër deri në 5.000, por kjo është pak e besueshme dhe vlerësime të tilla nuk duhet të merren si relevante. Por, sido që të jetë, është mëkat dhe gabim i pafalshëm që bile edhe një njeriu t’i mohohet e drejta e lirisë së lëvizjes, e kur të bëhet fjalë për një numër kaq të madh atëherë kjo sipas të gjitha citimeve të mediave paraqet problem rreth të cilit do të duhejt të mblidhemi të gjithë së bashku dhe të përpiqemi që ta zgjidhim me marrëveshje. 

Mirëpo, në disa nga bllogjet e mia kam vënë në dukje, e edhe tani qëndroj pas këtij këndvështrimi, se situata përkitazi me sendërtimin e të drejtave të pakicave në Kosovë është shumë brengosëse, pa marrë parasysh të gjitha përpjekjet që gjendja të përmirësohet dhe të sillet në kufi të së pranueshmes, nëse veç është e pamundur që kjo të jetë ideale. 

Gurët dhe barrikadat që i pamë atë ditë janë vetëm një tregues se ka edhe subjekte të tilla politike në Kosovë që do të donin që gjendjen në terren sa i përket sigurisë ta mbajnë në një nivel i cili më së miri u përgjigjet vetëm atyre, sepse vetëm një situatë të tillë mund ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre politike. Edhe pse e dimë që një nga marrëveshjet e arritura në Bruksel është edhe ajo që zyrtarët e Serbisë, me paraIajmërim të mëparshëm, mund të lëvizin nëpër Kosovë pa kufizime, tani në pah doli edhe ajo që këto kufizime megjithatë ekzistojnë. Shembull klasik i kësaj ishte përpjekja që kryeministrit aktual të Serbisë, e tani edhe fituesit të zgjedhjeve presidenciale, Aleksandar Vučić-it t’i kufizohet kohëzgjatja e vizitës në Kosovë në vetëm 3 orë. A do të fitonte më shumë kohë po të vinte thjesht pa paralajmërim, si qytetar i rëndomtë, kjo mbetet pyetje në të cilën sipas të gjitha gjasave kurrë nuk do të marim përgjigjje.

Është çështje e kulturës elementare që një vizitë e llojit të tillë të paralajmërohet e që nga ana tjetër të marrë respekt të plotë si p.sh. vizita e kryetarit të Shqipërisë Bujar Nishanit shqiptarëve në komunat në jug të Serbisë e cila kaloi pa kurrfarë probleme dhe kufizime, dhe përfundoi siç është më së miri. A janë ngjarjet në Kosovë shembull se si në të ardhmen do të duhej të reagojë Serbia nëse ndonjë zyrtar i lartë i Shqipërisë apo eventualisht i Kosovës do të shprehte dëshirën që të vizitojë ndonjë pjesë të Serbisë. Natyrisht për zyrtarët e Kosovës po flasim me kusht që kundër tyre të mos jetë inicuar ndonjë fletëarrest apo aktakuzë në Serbinë qendrore për krime eventuale gjatë ngjarjeve të luftës së vitit 1999, sepse ka shumë të tillë. 

Në fund, megjithatë, mitingu i përmendur kaloi në atmosferë solemne me rreth 4.000 të tubuar por duke i përmendur vazhdimisht ata që ishin penguar që të vinin, vetëm pse një parti politike vlerësoi se kjo është politikisht e dobishme për ta dhe që ky është rast që ata të tregohen para ithtarëve të tyre si mbrojtës të dëshmuar të sovranitetit të Kosovës, i cili, siç thonë ata, do të cenohej sikur ata serbë do të lëviznin lirisht sikurse të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. Fitohet përshtypja se dikujt në Kosovë serbët prapëseprapë i pengojnë. Qëllimi i këtij blogu nuk është që të etiketojë dikë dhe ta quaj ektremist por që të ftojë të gjithë që t’i thirrin mendjes dhe të kuptojnë që jemi të dënuar të jetojmë me njëri-tjetrin, na pëlqeu kjo apo jo.