Në Muzeun e Burgut të Prishtinës, më 13 korrik, u promovua libri “Hije të shtrembëruara”, i cili sjell njëmbëdhjetë rrëfime të ish të burgosurve politikë shqiptarë që kanë vuajtur dënime në Goli Otok, burgun më famëkeq të shtetit komunist jugosllav të periudhës 1945–1989.
“Prej këtij libri mësojmë shumë, mësojmë shumë prej rrëfimeve të të burgosurve politikë, për torturat e rënda fizike e psiqike që ata i kanë përjetu në burgun e Goli Otokut. Për kushtet e rënda nëpër dhomat e burgut, për ushqimin e keq, për detyrimin për punë të rënda kundrejt një pagese të mjerë, për vizitat e rralla të familjarëve edhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjeve të të burgosurve, për imponimin që bisedat me familjarë t’i zhvillonin në gjuhën serbe”, tha publicisti dhe politologu, Shkëlzen Gashi, njëri nga panelistët në debatin e zhvilluar me rastin e promovimit të këtij botimi.
Të përfshirë në librin “Hije të shtrembëruara” janë ish të burgosurit politikë Hasan Kastrati, Jeton Radoniqi, Pajazit Jashari, Sabri Novosella, Teki Dervishi, Fadil Bajraktari, Basri Ibrahimi, Masar Shporta, Rrahim Rama, Ali Aliu dhe Ibrahim Kryeziu.


Kronologjikisht, periudhat dhe çështjet për të cilat janë arrestuar janë fillimi i viteve ”50 – për shkak të kundërshtimit të regjimit komunist jugosllav, viti 1953 – për shkak të kundërshtimit të dëbimit të shqiptarëve për në Turqi, vitet 1955–56 gjatë fushatës së grumbullimit të armëve në Kosovë, ose siç ndryshe njihet në popull, “n’kohë të Rankoviqit”, dhe koha kur pushteti jugosllav ushtron trysni mbi shqiptarët e Kosovës dhe aplikon procesin e turqizimit të tyre.
Në debatin “E kaluara para së kaluarës”, që shoqëroi promovimin, e në të cilin morën pjesë edhe historiania Mrika Limani Myrtaj dhe sociologia Aurela Kadriu, u vlerësua mbledhja e njëmbëdhjetë rrëfimeve të ish të burgosurve politikë shqiptarë të Goli Otokut, por u tha gjithashtu se ishin të pamjaftueshme, duke pasë parasysh numrin që, ndonëse ende nuk dihet i saktë, mendohet të jetë shumëfish më i madh.
“Këto rrëfime janë shumë të rëndësishme për me e kuptue të kaluemen tonë, por për një tablo më të plotë të kësaj periudhe, këto nuk mjaftojnë”, vlerësoi Gashi.
Përderisa gjatë viteve “60, “70 dhe “80 ka dominuar narracioni i atyre që ishin në pushtet në shtetin komunist jugosllav, në tri dekadat e fundit, sipas z. Gashi, kemi vetëm narracionin e ish të burgosurve politik dhe na mungon narracioni i atyre që kanë qenë kundërshtarë politikë të veprimtarëve të përfshirë në këtë libër.
“Duhet po ashtu të shohim edhe se si paraqitej veprimtaria e këtyre të intervistuarve nëpër shtypin legal e ilegal të kohës, si dhe nëpër dokumente të rëndësishme, siç janë aktakuzat e organeve të drejtësisë kundër të intervistuarve, deklaratat e të intervistuarve gjatë hetimeve, fjalët mbrojtëse të tyre në gjykata, si dhe verdiktet finale”, vërejti Gashi.
Vërejtjeve të publicistit Gashi iu përgjigën sociologia Aurela Kadriu dhe historiania Mrika Limani Myrtaj me argumentin se është shumë e vështirë qasja në burime të tilla.
“Në Kosovë nuk e kemi lluksin shumë me lypë referenca të sakta. Mendoj që duhemi me e përqafu, duhemi me e bërë më të mirën që mundemi me i mbledhë rrëfimet e këtyre njerëzve”, thotë sociologia Kadriu.
Edhe historiania e gjeneratës së re, Limani Myrtaj, shprehë pajtueshmëri se me ato burime që kanë në dispozicion, qofshin edhe histori gojore, duhet të shkruhen dhe t’u referohen madje edhe për nevoja studimi.
“Pa dashur të justifikoj askë, është e vërtetë se ne jemi të penalizuar shumë sa i përket burimeve që kanë provenancë lokale. Ato që i gjejmë nëpër arkivat tona lënë shumë për të dëshiruar. Për këtë arsye, botimet që kanë për bazë rrëfime, që janë histori gojore, janë suplement i mirë për me e mbulu deri diku atë boshllëk që ne e hasim si studiues”, argumenton Limani Myrtaj.
Rrëfimet e ish të burgosurve politikë shqiptarë të burgut të Goli Otokut janë marrë me dekada vonesë.
“Kur e kam marr materialin, nuk kam dashtë as datat të cilat janë thënë gabim me i përmirësu, për shkak se rrëfimet gojore, hulumtimet të cilat bazohen në kujtesë janë të tilla për një arsye, unë personalisht nuk preferoj me ndërhy. Momenti, koha, vendi ku rrëfimtari e tregon rrëfimin e vet, është shumë i rëndësishëm dhe e determinon krejt mënyrën se qysh e tregon rrëfimin, dhe fakti që ata bëjnë gabime dhe nuk bëjnë ndërlidhje faktuale ndërmejt periudhave, ndërmejt ngjarjeve është një nuancë që tregon diçka”, shprehet sociologia Kadriu.
Në pyetjen e moderatorit të debatit se si paraqitet kjo periudhë dhe çfarë ka për ish të burgosurit politikë në tekstet shkollore të historisë, Gashi tha se “nuk ka asgjë në tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme, për të burgosurit politik. Kemi njeriun që ka bërë 10000 ditë burg, Adem Demaçin, dhe këta s’e përmendin kurrkund në tekstet mësimore, nuk ua mësojnë fëmijëve hiç.”
Ai bëri edhe një varg vërejtjesh për strukturimin dhe organizimin e rrëfimeve në këtë libër si mungesa e biografive të shkurtëra me të dhëna relevante të shoqëruara me fotografi të protagonistëve të rrëfimeve, mosrenditja në mënyrë kronologjike e intervistave; mungesa e tabelës së përmbajtjes dhe indeksit të emrave dhe e të dhënave për vet burgun e Goli Otokut.


Libri “Hije të shtrembëruara” është botuar nga OJQ Integra, me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.