Instituti për Krime të Luftës duhet të jetë i pavarur

Unë besoj se është e rëndësishme që statusi i institutit që do të ishte në kontrollin e qeverisë duhet rishqyrtuar dhe puna e institutit nuk duhet të vonohet nga procedura e gjatë parlamentare.

0
174

“Problemi themelor rreth institutit është mungesa e pavarësisë; ai është institucion qeveritar, prandaj nuk ia vlen të lexohet drafti,” tha një avokat i njohur i të drejtave të njeriut kur po e shihte projektligjin për Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

Në muajin shtator, dy vite pas njoftimit për krijimin e një Instituti dhe katër vite pasi një i tillë u mbyll më 2018, qeveria e Kosovës i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës një projektligj mbi krijimin e një Instituti të ri të Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Megjthëkëtë, ligji përmirëson pak formulimet në krahasim me legjislacionin e mëparshëm rreth çështjeve të ngjashme, ngase thekson se mund të hulumtohen e të dokumentohen edhe krimet e kryera pas luftës, pra, pas 20 qershorit gjer më 31 dhjetor 2000. Kjo është e rëndësishme sepse krimet e mëvonshme mëtohet se lidheshin me konfliktin dhe nganjëherë kishin një aspekt më të gjerë etnik.

Është jetike që kjo temë të mos ngec në vend apo të shënojë regres. Unë besoj se është e rëndësishme që statusi i Institutit që do të ishte në kontrollin e qeverisë duhet rishqyrtuar dhe puna e institutit nuk duhet të vonohet nga procedura e gjatë parlamentare.

Ekziston edhe një vijë tjetër e punës së qeverisë në Ballafaqimin me të Kaluarën dhe kjo është që të zhvillojë një Strategji mbi Drejtësinë Kalimtare. Duket sikur kjo strategji kryesisht është zhvilluar, por akoma nuk është vënë në diskutim publik nga Ministria e Drejtësisë.

Puna e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, fillimisht e nisur nga Hashim Thaçi, është parashikuar se mund të bëhet pjesë e kësaj strategjie, ndonëse fjala pajtim nuk duket se është e parapëlqyer nga ata që mund ta kenë fjalën e fundit për këtë, Zyra e Presidentit. Pajtimi është një koncept i vështirë. Ne duhet t’i kujtojmë vetes, megjithatë, se pajtimi është proces, nuk është cak. Vendet e tjera në rrethana të pasluftës e kanë përdorur këtë me sukses deri në një shkallë.

Ky proces nevojitet për të kuptuar se çfarë ka ngjarë gjatë kohës së konfliktit, për të vendosur të vërtetën kudo që është e mundur, dhe të ecim përpara nga e kaluara përmes arsimimit dhe të kuptuarit dhe, mbi të gjitha, për të shmangur çfarëdo gjëje të ngjashme në të ardhmen, për t’i bërë përsëri bashkë të dyja palët. Evropa, për fatin tragjik të saj, tani po e përjeton përsëri luftën dhe shumë prej kësaj që po ndodhë në Ukrainë mund t’i atribuohet dështimit të njeriut për t’u përballur me të kaluarën dhe për ta kuptuar atë.

Siç theksohet në një publikim të fundit të Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë: “Pajtimi nuk nënkupton të harrosh apo të heqësh dorë nga e kaluara, e as nuk kërkon të falësh apo të jesh i butë. Në vend të kësaj, në nivelin individual dhe atë të komunitetit, pajtimi nënkupton të mësosh nga e kaluara dhe të ndërrosh qëndrimet e sjelljet në mënyrë që të garantohet respekti i ndërsjellë dhe kohezioni i qëndrueshëm shoqëror.”

Sulmi i Vladimir Putinit mbi Ukrainën duhet të jetë një sinjal i mirëfilltë për Kosovën që të mos vonojë miratimin e legjislacionit që kërkohet për ballafaqimin me të kaluarën dhe që të jetë e qartë se duart e kujt duhet ta mbajnë timonin e punës. Qeveritë shkojnë e vijnë dhe rëndom kanë një agjendë, por institutet e pavarura të ekspertëve i japin punës së tyre vazhdimësi, dije të përkushtuar dhe përvojë.