Koha e secesionizmit

Kosova ia doli që të shpallë pavarësinë dhe që një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare (jo të gjithë) ta pranojë si të tillë. Pak a shumë e njëjta ajo bashkësi ndërkombëtare e cila e ka pranuar Kosovën në bazë të „së drejtës për vetëvendosje“, edhepse qytetarët e Kosovës as nuk janë deklaruar në referendum lidhur me këtë çështje, porse këtë vendim e mori kuvendi, tani ajo po e kundërshton madje edhe referendumin për pavarësinë e Katalonisë. Pra, nuk ua pranojnë të „drejtën për vetëvendosje,“ pa marrë parasysh rezultatin.

0
1002

Si do t’i shpjegonim zhvillimet politike në botë gjatë disa viteve të fundit? Sa më përket mua, fjala që ndoshta më së miri i përshkruan të gjitha këto ngjarje është – kaosi! Çdo gjë është në kaos dhe çdokush është në kaos. Mund t’i numërojmë tani, që nga kriza ekonomike botërore, kriza greke e borxheve, pranvera arabe (e cila për fat të keq ende po vazhdon), kriza në Ukrainë dhe aneksimi rus i Krimesë, pastaj Brexit-i dhe kriza e migrantëve që  e kanë lëkundur thellë Bashkimin Evropian, e deri te zgjedhja e Donald Trump-it për president të Shteteve të Bashkuara dhe tërë atë që kjo ngjarje bartë me vete. Është e qartë që pjesa më e madhe e botës gjendet në kaos politik, gjë që sjell deri tek fuqizimi i grupeve populiste dhe secesioniste dhe krijimi i problemeve të reja madje edhe atje ku edhe nuk ka bazë reale për probleme të tilla. Po, kur e them këtë mendoj për referendumin e Katalonisë për pavarësi.

Për çka bëhet fjalë këtu? Në të vërtetë, katalonasit qysh nga vdekja e diktatorit Franko po përpiqen që të rrisin shkallën e autonomisë së tyre brenda Spanjës, e edhe të vijnë deri tek pavarësia, duke konsideruar veten si komb historik dhe duke konsideruar se më shumë i japin Spanjës se sa që marrin prej saj. Katalonia është krahina më e pasur e Spanjës e cila me 16% të popullatës kontribuon në Spanjë me 19% të PBB-së. Pikërisht ky është njëri nga argumentet kryesore i katalonasve për të bindur qytetarët e Katalonisë që të mbështesin pavarësinë, duke theksuar që kjo do t’u sjellë një prosperitet ekonomik shtesë. Dhe me të vërtetë, lëvizja për pavarësinë e Katalonisë është tejet e madhe në numër  dhe e fuqishme, do të thoja bile edhe goxha këmbëngulëse. 

Mirëpo, ajo ballafaqohet edhe me një varg problemesh. Kushtetuta e Spanjës nuk parasheh mundësinë e shkëputjes së regjioneve të saj, kështu që me vetë këtë edhe qeveria qendrore spanjolle është shprehimisht kundër një  referendumi të tillë. Kemi qenë dëshmitarë të asaj se Qeveria në Madrid është e gatshme të shkojë deri në fund dhe se është e gatshme të bëjë gjithçka në mënyrë  që të pamundësojë deklarimin e qytetarëve të Katalonisë dhe të pengojë shpalljen e pavarësisë së Katalonisë. Përveç kundërshtimit të shtetit amë, pyetja është nëse forcat secesioniste në Kataloni kanë mbështetje ndërkombëtare për zbatimin e idesë së tyre. Duke vështruar kështu nga anash, nuk duket se e kanë atë mbështetje.

Këtu vijmë tek dallimi kryesor midis kësaj përpjekjeje të shkëputjes kundërkushtetuese nga shteti amë dhe disa përpjekjeve tjera, të cilat ishin pak a shumë të suksesshme. Ajo që për ne është më e njohur është situata e ngjashme në Kosovë, e cila po ashtu njëanshëm e ka shpallur pavarësinë nga Serbia, që është një akt  në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë, krahinë e së cilës është (ka qenë) Kosova. Në të vërtetë, Kosova ka pasur mbështetje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare që edhe ia mundësoi që një veprim i tillë i njëanshëm të kryhet në mënyrë pak a shumë të suksesshme. Duke mos hyrë tani në interpretimet nëse Kosova ka qenë e suksesshme në formimin e  shtetit të saj vetanak dhe të pavarur (personalisht mendoj që nuk është arritur ndonjë sukses i madh në këtë), Kosova ia doli që të shpallë pavarësinë dhe që një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare (jo të gjithë) ta pranojë si të tillë. Pak a shumë e njëjta ajo bashkësi ndërkombëtare e cila e ka pranuar Kosovën në bazë të „së drejtës për vetëvendosje“, edhepse qytetarët e Kosovës as nuk janë deklaruar në referendum lidhur me këtë çështje, porse këtë vendim e mori kuvendi, tani ajo po e kundërshton madje edhe referendumin për pavarësinë e Katalonisë. Pra, nuk ua pranojnë të „drejtën për vetëvendosje,“ pa marrë parasysh rezultatin.

Ajo që dua ta theksoj këtu është dyfytyrësia dhe standardet e dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare, e jo mbështetjen time për lëvizjet secesioniste në cilindo shtet. Për shtetet që betohen në demokraci dhe bëjnë apo kanë bërë aq shumë luftëra me justifikimin e instalimit të demokracisë, është tejet hipokrite që të mbështesin mohimin e së drejtës kulmore demokratike të njerëzve, e ajo është që përmes referendumit të deklarohen për fatin e tyre.