Kujtimet ballkanase të luftës

Ndoshta, sikur për një çast të iknim nga të gjitha ato storje të imponuara nga mediat, ndoshta më në fund do të zgjohej ajo e njerëzishmja në ne. Ndoshta nuk do t’i numëronim viktimat sipas palës që i takojnë, nuk do të debatonim për to, por do të ndienim keqardhje dhe do t’u bënim homazhet të cilat u takojnë.

0
1003

Pothuajse nuk kalon asnjë muaj në Ballkanin tonë të vogël që të mos e kujtojmë ndonjë luftë apo konflikt. Për fat të keq, të tillë e kemi historinë, të tillë e kemi trevën e si duket edhe një lloj tradite të tmerrshme. Fatkeqësisht – edhe një herë, sepse nuk është e mjaftueshme të thuhet vetëm një herë se sa keqardhje duhet të ndiejmë për të gjitha ato ngjarje fatkeqe dhe luftëra dhe sa duhet të përpiqemi që të ndryshojmë diçka.

Korriku është muaji kur i kujtojmë viktimat e Srebrenicës. Edhe një krim në vargun e krimeve të tmerrshme në Ballkan. Edhe një në vargun të cilin duhet ta kujtojmë. Gjatë muajit që lamë pas, në të gjitha mediat, në të gjitha rrjetet sociale, Srebrenica ishte tema kryesore. E natyrisht edhe në politikë. Ku është këtu problemi? I pari në rend janë të gjitha ato diskutime rraskapitëse, të panevojshme se si të quhet krimi që ka ndodhur në Srebrenicë. Gjenocid apo nuk është gjenocid, është tema kryesore që inicohet çdo vit në të njëjtën kohë dhe që harrohet disa ditë pas 11 korrikut. Një numër i pabesueshëm komentesh, postimesh, debatesh të kota online… Derisa secili mbron “të vërtetën e vetme” të veten, derisa zhvillohen beteja virtuale rreth numrit të viktimave dhe kush e filloi i pari, po e harrojmë atë më të rëndësishmen. Po harrojmë që njerëzit kanë pësuar. Po i harrojmë familjet e tyre dhe të afërmit të cilët çdo vit e përjetojnë të njëjtën gjë. Po harrojmë që ne nuk jemi asgjë tjetër pos njerëz, që jemi të barabartë pa marrë parasysh të gjitha ndarjet e mundshme të krijuara në bazë të religjionit, përkatësisë nacionale dhe ndarjeve të tjera në bazë të të cilave njerëzit bëjnë dallime dhe i diferencojnë në “tanët dhe të tyre”. Sa herë që nis historia se sa njerëz “tanë” kanë pësuar, sa herë që fillon edhe një diskutim krejtësisht “i ri”, ne hedhim hije mbi viktimat e pafajshme të politikës luftënxitëse e cila i shkatërroi të gjitha ato që dikur ishin një shtet. Të gjitha ato që e hijeshonin një popull. 

Problemi tjetër, hiç më i vogël, është marrja e pikëve politike duke i shfrytëzuar po të njëjtat viktima. Shkuarja në përkujtim ose jo, bërja e nderimeve ose jo, gjenocid ose jo… Krijimi i bujës mediale, prapë duke harruar ata që kanë humbur jetën pa faj. Situata bëhet edhe më e keqe e më rëndë për t’u duruar në atë çast kur të gjitha ato deklarata vijnë nga ata që kanë qenë në favor të politikës së luftës gjatë atyre viteve të përgjakshme të të nëntëdhjetave. 

Çka mund të mësojmë nga të gjitha këto? Nëse i japim vetes pak hapësirë, por edhe liri që të shtrojmë pyetje, atëherë bëhet shumë e thjeshtë. E para, do të duhej të kujtohemi që jemi njerëz. Përkundër ndarjeve, të njëjtë – i pëlqeu kjo dikujt apo jo. E dyta, të përpiqemi që të kujtohemi se çka ishte humaniteti. E çka empatia. Ndoshta, sikur për një çast  të iknim nga të gjitha ato storje të imponuara nga mediat, ndoshta më në fund do të zgjohej ajo e njerëzishmja në ne. Ndoshta nuk do t’i numëronim viktimat sipas palës që i takojnë, nuk do të debatonim për to, por do të ndienim keqardhje dhe do t’u bënim homazhet të cilat u takojnë. 

Në fund na mbetet historia. Por jo për atë që ajo po përdoret në  baza ditore, që ekskluzivisht të mbrojmë “tonën” dhe të besojmë që vetëm ajo histori është e drejtë. Na mbetet për atë për çka do të duhej me të vërtetë ta përdornim, që të na paralajmërojë, që kjo të mos na përsëritet kurrë. A nuk është pikërisht kjo histori “mësuesja e jetës”? A nuk është pikërisht për këtë arsye këtu, që të mos i përsërisim gabimet e tmerrshme të së kaluarës? Unë do të thosha që po. Për këtë arsye edhe dua të besoj që i mbetet gjeneratave të reja, që deri diku i shmangën vitet e tmerrshme të të nëntëdhjetave, që të ndryshojnë diçka. Neve na mbetet që të mos lejojmë që politika të na e imponojë se kush të na dhimbset e kush jo, cilat viktima t’i numërojmë. Neve na mbetet që të kujtojmë, që kurrë mos të harrojmë dhe të lejojmë që të na paralajmërojë që mos ta përsërisim kurrë. Neve na mbetet që të kujtohemi se jemi njerëz.