Kujtimet e 17 marsit

Kujtimet për data dhe ngjarje të këtilla do të jetojnë gjithmonë me mua. Do të kisha dashur që të mos kishin ndodhur. Do të kisha dashur që të mos kishte ndodhur as e gjithë lufta e as shumë konflikte tjera. Të gjitha këto janë dëshira por për të kaluarën që nuk mund të ndryshohet. Ajo që mund të ndryshohet është e ardhmja. Këtu është ndërlidhja, këtu përputhet kujtimi me ndërtimin e jetës paqësore. Sado që më kujtohen momentet e vështira të cilat i kemi përjetuar të gjithë së bashku, kurrë nuk do të dëshiroja që ato të përsëriten. Nuk dua që gjeneratat e ardhshme t’i përjetojnë ato. Nuk u duhen kujtime të tilla. Po ashtu jam e vetëdijshme që edhe shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar momente të vështira. Pikërisht për tërë këtë, ia vlen që të përkushtohesh për një jetë në paqe. Që kjo të mos i përsëritet më kurrë kurkujt. Që kurrë më të mos kemi kujtime të tilla.

0
1982

Viti 2017. Kanë kaluar tashmë 13 vite që atëherë. Disave gjithnjë e më pak u kujtohet, disa të tjerë nuk do ta harrojnë kurrë. Unë atëherë kam qenë 11 vjeçe. Të them të vërtetën, kujtimet nuk janë edhe nga më të freskëtat, por aty janë. Të gdhendura thellë në pjesë të trurit, vështirë që do të fshihen ndonjëherë. Pamje sporadike të anëtarëve të frikësuar të familjes, tregime të fqinjëve, frika e përgjithshme, largimi i mundshëm nga shtëpia dhe djegiet e kishave dhe manastireve në televizor. Ndoshta pamje të tilla kalojnë fluturimthi, ndoshta  edhe do të harrohen ndonjëherë. Por frika, ajo nuk do të harrohet kurrë. Frika se ndoshta sërish po fillon lufta. Që vetëm disa vite pas bombardimit, të pasojnë konflikte tjera, po fillon një konflikt i ri. Ndonëse atëherë ndoshta edhe as që kam qenë e vetëdijshme se çka po ndodh, kurrë nuk kam mundur t’i fshij nga koka këto pamje të tmerrshme. 

Sot, kur, të jemi real, disa persona po përpiqen që të na çojnë kah pajtimi, na kujtohet kjo. Për vete do të them që jam një nga ata persona. Bile po përpiqem që të jem. Konsideroj se nuk mund të jetojmë të ndarë, në urrejtje. Konsideroj që të gjithë jemi njerëz. Ta lëmë të kaluarën pas, jetojmë për të ardhmen. Dhe ky kujtim i imi i 17 marsit 2004 si është në përgjithësi koherent me procesin e pajtimit? Ndoshta është, ndoshta edhe nuk është. Por aty është. Dhe unë jetoj me të. Nuk mund të iket nga ajo e kaluar, nuk mundet nga frika. Ky kujtim i imi sot ndoshta mund të shpjegojë se pse serbët kundërshtojnë institucionet e Kosovës, pse nuk besojnë, pse kapen bile edhe për fije kashte që vijnë nga Serbia. Le të jemi real, serbët e Kosovës nuk u besojnë as institucioneve dhe politikanëve të Serbisë, por nuk frikësohen prej tyre ashtu siç janë të frikësuar nga ato të Kosovës.  

Trembëdhjetë vjet pas pogromit të serbëve të Kosovës, Kosova tashmë e ka shpallur pavarësinë, është në proces të avancuar të negociatave me Serbinë, serbët e Kosovës gjithnjë e më shumë po integrohen në institucionet e Kosovës… Ky është realiteti. Por kur të na pyesni neve (serbëve të Kosovës) nëse kemi dëshiruar diçka nga tërë kjo, përgjigjjen e dini edhe vetë –  nuk e kemi dëshiruar. Më besoni, askush nuk ka dashur të jetojë në shtetin që e ka emrin Kosovë pasi që janë dëbuar më shumë se 4000 serbë, janë shkatërruar 800 shtëpi dhe 35 objekte fetare. Sidomos kur kurrë nuk e kemi marrë vesh se kush e dha urdhërin për tërë atë që ndodhi atë ditë të 17 marsit. Është vështirë të flasësh se i përket një shteti kur ju kujtohet mashkulli që thyente kryqin mbi manastiret serbe në Kosovë. Qoftë nëse jeni religjioz apo jo, është vështirë të përballesh me atë pamje. Edhe sot e kësaj dite. Pas tërë kësaj na pyesin se pse jemi kundër hyrjes së Kosovës në Unesko, pse nuk kemi besim në praninë e bashkësisë ndërkombëtare, pse jemi kundër institucioneve kosovare? Kujtimi dhe pamjet e 17 marsit janë arsye e mjaftueshme. Nëse duan të jemi pjesë e shtetit të Kosovës, pse kurrë nuk e zbuluan se kush ishte kryesi dhe iniciatori i sulmit të atëhershëm ndaj serbëve dhe pronës së serbëve? Si t’i besojmë bashkësisë ndërkombëtare kur 17 marsi nuk u ndal? Të gjitha këto janë pyetje që shtrohen secilin muaj të marsit. Së paku në veri të Kosovës.  

Mbetet çështja e koherencës së këtyre kujtimeve me pajtimin. Si të harmonizohen këto? Nuk kam ndonjë reçetë. Kujtimet për data dhe ngjarje të këtilla do të jetojnë gjithmonë me mua. Do të kisha dashur që të mos kishin ndodhur. Do të kisha dashur që të mos kishte ndodhur as e gjithë lufta e as shumë konflikte tjera. Të gjitha këto janë dëshira por për të kaluarën që nuk mund të ndryshohet. Ajo që mund të ndryshohet është e ardhmja. Këtu është ndërlidhja, këtu përputhet kujtimi me ndërtimin e jetës paqësore. Sado që më kujtohen momentet e vështira të cilat i kemi përjetuar të gjithë së bashku, kurrë nuk do të dëshiroja që ato të përsëriten. Nuk dua që gjeneratat e ardhshme t’i përjetojnë ato. Nuk u duhen kujtime të tilla. Po ashtu jam e vetëdijshme që edhe shqiptarët e Kosovës kanë përjetuar momente të vështira. Pikërisht për tërë këtë, ia vlen që të përkushtohesh për një jetë në paqe. Që kjo të mos i përsëritet më kurrë kurkujt. Që kurrë më të mos kemi kujtime të tilla.