Kuleta serbe vazhdon të rëndojë shtetësinë e Kosovës

Pavarësisht zotimeve për normalizim marrëdhëniesh, sipas shifrave zyrtare, kuleta serbe ka vazhduar të rëndojë njëjtë mbi shtetësinë e Kosovës. Pak ndryshime ka shënuar edhe vlefshmëria juridike e vendimeve të lëshuara nga strukturat e saj administrative.

0
1257

E projektuar të vendoset në një tokë publike mes komunës së Mitrovicës Veriore dhe asaj të  Zveçanit, “Lugina e Diellit”  këtë vit pret dorën e Serbisë. Por, projekti për një lagje banimi për rreth 1500 serbë të zhvendosur që ka nxitur shumë polemika e tensione mes Kosovës e Serbisë nuk e ka ende të sigurt mbështetjen për t’u formësuar.

Kostoja e tensioneve

Qeveria e Serbisë ka ndarë për këtë vit mbi 40 milionë euro për komunat paralele të Serbisë në Kosovë, kryesisht për ato veriore, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Por, ende nuk dihet sa para do të mund të ndahen për lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”. Mbikëqyrësi i këtij projekti, Slobodan Mihajlović,  nuk është përgjigjur në pyetjet  se sa mjete do t’i ndajë qeveria e Serbisë për këtë  projekt dhe nëse ato do të  alokohen këtë vit. Ai nuk ka pranuar të flasë as për donatorët e tjerë të mundshëm.

Ky vendbanim, që nga qeveria në Prishtinë është quajtur “përpjekje për një koloni serbe në Kosovë”,  e nga ata në Beograd “një përkushtim për kthimin e serbëve  të zhvendosur”, sipas dizajnuesve të tij, do të kushtojë së paku 35 milionë euro. Në ndjekje të një diskursi agresiv, matur në shifra, Serbia nuk ka ulur financimin e sistemit të vetë paralel, pavarësisht 6 viteve dialog,  përpjekje për normalizim marrëdhëniesh të ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian. Tridhjetë e dy marrëveshje të nënshkruara me Kosovën, gati gjysma e të cilave përfshin  shuarjen e strukturave paralele, nuk kanë bërë që investimi serb për to të shënojë ndonjë ndryshim. Administrata paralele serbe rrah ende fuqishëm në zemër të shtetit të Kosovës.

Askush në kabinetin e kryeministrit Aleksandar Vučić, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth buxhetit të ndarë, financimit të sistemit paralel dhe  vendet e punës në Kosovë. Ata kanë refuzuar të përgjigjen edhe në pyetjet për financimin e  projektit “Lugina e Diellit”. Duke ushqyer ndarjet e thella ndëretnike, Serbia ka vazhduar të derdhë miliona euro në mbajtjen e serbëve të Kosovës jashtë kontrollit të Prishtinës. Buxheti për Kosovën ka mbetur konstant, pavarësisht nëse pushteti ka ndërruar duar në Serbi. Në vitin 2016 Serbia ndau 41 milionë euro për strukturat e veta paralele në Kosovë. Aq kishte ndarë  edhe në 2015.

Por, shifrat zyrtare ndryshojnë qenësisht nga hulumtimet e pavarura dhe raportimet mbi investimin serb në Kosovë. Një hulumtim i Qendrës për Politikë Praktike (CPP) të Beogradit, i vitit 2015  flet për 450 milionë euro investime që Serbia bën brenda një viti në Kosovë. Sipas të dhënave të kësaj qendre,  mjetet janë kryesisht për të  paguar administratën paralele e cila në të shumtën ka një  ndikim thelbësor në jetën e serbëve të Kosovës. Sipas këtij hulumtimi në vitet 2012, 2013 dhe 2014 qeveria serbe shpenzoi në projekte të ndryshme në Kosovë 834 milionë euro.

Ndërsa një hulumtim i BIRN, i vitit 2016 thotë se në vitet 2013-2014 Serbia ka shpenzuar 635 milionë euro në Kosovë. Millovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, u ka thënë medieve serbe se financimi i sistemit paralel dhe ndërmarrjeve publike bën që të “ruhen vendet e punës dhe nxitet kthimi i të zhvendosurve “. Ai po ashtu ka përmendur se një pjesë e buxhetit të këtij viti do të përdoret për  lagjen “Lugina e Diellit”.

Serbia paguan për 5100  vende pune në Kosovë

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, Serbia financon pagat mujore të rreth 5100 punonjësve në administratën paralele dhe ndërmarrjet tjera publike. Raporti hulumtues i BIRN dokumenton se me anë të organeve të quajtura “privremeno veće”, apo “këshillat e përkohshme”, Serbia i paguan mbi  5100 punonjës në tërë territorin e Kosovës. Këta persona punojnë në pushtetin lokal apo në ndërmarrje publike,  në 29 komuna, përfshirë edhe shkollat, gjykatësit dhe spitalet në territorin e Kosovës.

Në këtë numër  Prishtina ka më së shumti punonjës, 840, Mitrovica Veriore 614, Leposaviqi 510, Zubin Potoku 399, dhe Zveçani 242, të tjerat kanë  më pak se 100 të punësuar. Sipas  një sondazhi të fundit të  OJQ  “AKTIV” dhe “Qendrës për Paqe e Tolerancë”, rreth 52 përqind e banorëve në veri mbështeten në të ardhurat e buxhetit shtetëror të Serbisë. Në  realitet këto struktura paralele janë  burim jetese për shumë familje serbe në Kosovë.

Bazuar në marrëveshjen e Brukselit për shuarjen e strukturave paralele të sigurisë në Kosovë  të vitit 2015  institucionet e Kosovës kanë krijuar 483 vende pune për njerëzit që kanë punuar në institucionet  paralele serbe në veri të Kosovës. Deri më tani, sipas qeverisë, marrëveshjet për punësim  janë bërë me  377 persona    cilët përfshihen  direkt në administratën e shtetit. Disa prej tyre supozohet se marrin dy paga.

Ndërsa në rastin e spitalit të Mitrovicës Veriore të dyja qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë plotësojnë njëra tjetrën. Nga 1,560 punonjës të këtij spitali  225 prej tyre  paguhen nga Qeveria e Kosovës ndërsa qeveria e Serbisë  paguan pjesën tjetër.

Sipas Drecun, ndarja e buxhetit  edhe këtë vit mbetet e njëjtë  për Kosovën dhe asnjë vend i punës për serbët nuk do të shuhet.“Të gjitha 29 qeveritë lokale do të vazhdojnë të funksionojnë”, ka thënë Drecun.

Ministrja për Dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, thotë se  Serbia  nuk i është përmbajtur marrëveshjeve dhe nuk ka shuar shumicën e strukturave paralele në Kosovë.

Mes retorikës dhe politikës, a do të munden të gjithë të mbeten të punësuar? Kjo duket se do të varet nga ajo se sa Serbia do të përmbush marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Sipas Tahirit, deri më tani Serbia ka treguar se kjo mbetet politikë  e saj zyrtare dhe jo vetëm retorikë.

Pas një takimi në Rashkë me kryeministrin serb Aleksandar Vučić, u njoftua se kreu i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakić, i ka thënë atij se në të gjitha nivelet Serbia duhet të vazhdojë të mbajë kujdesin e njëjtë për serbët në Kosovë.

Megjithatë përveç  mjeteve që duken ende të pasigurta për “Luginën e Diellit”, edhe shumë të punësuar në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë druajnë se po numërojnë ditët e fundit të punës.

Ministria e Arsimit e Serbisë ka vendosur që prej këtij viti të  reduktojë numrin e  punonjësve të arsimit dhe ka ndarë një buxhet për mësimdhënësit që largohen nga puna. Në mesin e tyre, sipas qeverisë serbe janë  edhe 700 persona nga Kosova që jetojnë në  Serbi. Këta marrin nga 8000 dinarë apo 65 euro. Sipas qeverisë ata janë tepricë dhe plotësojnë kushtet për pension.

Pavarësisht zotimeve për normalizim marrëdhëniesh, sipas shifrave zyrtare, kuleta serbe ka vazhduar të rëndojë njëjtë mbi shtetësinë e Kosovës. Pak ndryshime ka shënuar edhe vlefshmëria juridike e vendimeve të lëshuara nga strukturat  e saj administrative.