Mbi tensionet në veri të Kosovës

Veriu i Kosovës është një kazan ku zihet çorba e Kosovës, vend ku kryqëzohen politikat e Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit. Ai është trualli ku jeta është në mënyrë konstante nën presion, ku duhet pritur gjithçka. Këtu gjithçka mund të ndryshojë brenda natës. Mjaftojnë disa lëvizje të pamatura të njëanshme dhe ja ku na vjen kaosi i ri.

0
34

Tensionet e pandërprera në veri të Kosovës po i shqetësojnë banorët e katër komunave e gjithnjë e më pak ka të tillë që janë optimistë, të tillë që besojnë se e tërë kjo që po ndodh do të sjellë normalitet. Reciprocitete, barrikada, konflikte fizike dhe verbale, probleme me dokumente, probleme me ujin, kufizime të energjisë elektrike, tollovi në postblloqe, arrestime, mosdurim shumë i madh. Krahas gjithë kësaj edhe shumë probleme tjera përcjellëse të grumbulluara, për të cilat nuk duhet fajësuar njerëzit që jetojnë këtu. Shumë e kanë humbur besimin se situata në veri mund të përmirësohet. E kush do të besonte në një të nesërme më të mirë pas gjithë asaj që ka ndodhur dhe asaj që qartazi po përgatitet?

Prandaj, nuk është çudi që shumë po largohen nga këtu. Kushdo që ishte pa punë dhe mund të ikte nga këtu, e bëri këtë. Thjesht, e gjithë kjo po ndodh për shkak të keqtrajtimit të popullit dhe manipulimit përmes metodave të ndryshme politike. Është krijuar një klimë frike, mbretëron droja se mund të përsëritet një 17 mars 2004 i ri. Ditët e fundit edhe politikanët vendas e kanë përmendur braktisjen e institucioneve të Kosovës. Të shantazhuar si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina, serbët në veri e gjejnë veten midis çekanit dhe kudhrës. Nëse ka mosbindje civile ndaj Beogradit, kjo do të kërcënojë sigurinë e tyre financiare, dhe nëse ajo mosbindje kthehet në drejtim të Prishtinës, atëherë vihet në pikëpyetje siguria e tyre. Ky popull gjendet në një nyjë gordiane dhe nuk do të jetë në gjendje që të ndikojë ndjeshëm në zgjidhje. Për jetët tona po vendosë dikush që është larg – kjo është diçka tejet e çmendur.

Prishtina dëshiron të rrumbullakësojë pavarësinë e saj duke integruar Veriun, por më duket sikur Kurti nuk ka durim sa duhet, andaj ndërmerr edhe metoda radikale. Veriu i Kosovës është i vërshuar nga policia, kështu që është çështje kohe se kur mund të vijë deri tek përshkallëzimi. Më heret në këtë pjesë të territorit nuk kanë patrulluar autoblinda të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, dhe tani ata janë këtu, të armatosur “deri në dhëmbë” dhe është fare e qartë se qëllimi i tyre i vetëm nuk është të parandalojnë kontrabandën. Sërish, si më parë, kemi disa pika kontrolli ku ndodhen ushtarët amerikanë të KFOR-it. Të gjitha këto janë tregues se atmosfera është e ndezur dhe që është më se e nevojshme të qetësohen pasionet. 

Sa i përket Beogradit, sa herë që firmosë diçka ai shpall „fitore“, gjë që është ironike. Marrëveshja e fundit, kur Serbia pranoi të heqë letrat hyrëse-dalëse për poseduesit e dokumenteve të Kosovës, dhe Kosova u pajtua që të mos vendosë dokumente të tilla për ata që kanë letërnjoftime të Serbisë. Kjo gjithsesi ishte një çështje e ndërlikuar, por për serbët e veriut, ky dhe çdo lëshim tjetër i bërë Prishtinës është disfatë. Është si të shikosh një shfaqje pas çdo marrëveshjeje të Brukselit, dhe disi aktorët serbë në atë shfaqje gjithmonë korrin, siç e thonë ata, “fitoren”. Dhe mund të thuhet se Serbia, duke pranuar gradualisht gjithçka që kërkon Prishtina, po rrëshqet dalëngadalë kah njohja e pavarësisë së Kosovës. Beogradi së pari përpiqet të blejë kohë me barrikada ose të arrijë një pozicion më të mirë në negociata, dhe pastaj megjithatë bën marrëveshje, lëshim. 

Veriu i Kosovës është një kazan ku zihet çorba e Kosovës, vend ku kryqëzohen politikat e Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit. Ai është trualli ku jeta është në mënyrë konstante nën presion, ku duhet pritur gjithçka. Këtu gjithçka mund të ndryshojë brenda natës. Mjaftojnë disa lëvizje të pamatura të njëanshme dhe ja ku na vjen kaosi i ri. Rebelizmi që është mbjellur në këtë popull po fillon të zhduket, të shuhet – mbase shumë prej tyre janë lodhur nga informatat me të cilat na bombardojnë dhe ngjarjet në terren të cilat janë shumë dinamike. Mirëpo, ka ende nga ata që janë gati të dëshmohen dhe të bëhen heronj të popullit të tyre – të tillët  gjithnjë duhet frenuar.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.