Që nga 14 dhjetori, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovë nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.
Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se shteti i Serbisë në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës nga viti 2008 e deri më 2019, dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro. “Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, ka thënë Shala.
Dragisa Mijačić, koordinator i Konventës Nacionale, trup konsultues ndërmjet shoqërisë civile dhe qeverisë së Serbisë në procesin e pranimit të Serbisë në BE, i cili merret me çështje në lidhje me procesin e negociatave me Kosovën, i tha kanalit televiziv N1 se si pasojë praktike e këtij hapi, Serbia nuk do të jetë në gjendje të shpërndajë energji elektrike në veri të Kosovës pa konsultime me KOSTT.
Deri para 14 dhjetorit, Kosova ka importuar 500 megavatë energji elektrike nga Serbia. Por, menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve. Këta megavatë të bllokuar nga Serbia janë zëvendësuar pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.
Ky veprim prek sidomos komunat e veriut me shumicë serbe. Serbët në veri të Kosovës janë furnizuar me energji elektrike nga Kosova dhe në rast nevoje nga edhe nga Serbia. Megjithatë, për 20 vjet rresht, qytetarët që jetojnë në komunat me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999 nuk kanë paguar asnjë faturë që është lëshuar nga Kosova. Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e energjisë së shpenzuar në këto komuna me shumicë serbe. Deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët tjerë të Kosovës. Qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga ‘Elektrokosmet’ i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale.
Në një artikull për New Perspektiva-n, Nevena Radosavljević shkruan se lajmi për pavarësimin elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia ka ngritur shumë pyetje tek serbët në veri. Sipas saj, ky lajm ishte tronditës për serbët e Kosovës pasi nuk i informoi askush. ‘Derisa të gjithë jemi duke pritur që dikush të na shpjegojë pse ndodhi kjo, sepse kjo nuk i është shpjeguar asnjëherë popullatës së zakonshme, ne gjithashtu jemi duke pritur që dikush të na shpjegojë si të veprojmë më tutje, a do ta paguajmë rrymën dhe kujt do t’i paguajmë.’
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, më 16 dhjetor, takoi përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, me të cilët, siç njoftoi Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, arriti “përfundime për veprim të përbashkët në ruajtjen e të gjitha interesave jetike kombëtare në Kosovë dhe interesave më të rëndësishme të Serbisë”. Arsyeja e takimit nuk u bë e ditur, por Radio Evropa e Lirë raportoi se gjykuar nga pjesëmarrësit mund të supozohet se është biseduar për situatën pas fillimit të punës së pavarur të sistemit energjetik të Kosovës. Në takim morën pjesë ministrja e Energjetikës dhe Minierave e Serbisë, Zorana Mihajlović, drejtori i ndërmarrjes publike “Elektroprivreda Srbije“, Milorad Grčić, dhe drejtorja e ndërmarrjes “Elektromreža Srbije”, Jelena Matejić. Ndërkohë, opozita serbe e ka akuzuar qeverinë e Beogradit që po e dorëzon sovranitetin e energjisë në Kosovë.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petković, në një komunikatë për media, ka thënë se Serbia për herë të pestë ka paraqitur kërkesën për regjistrim dhe licencim të dy ndërmarrjeve serbe, siç parashihet me marrëveshjen e vitit 2013, me kompetenca për tregtim, shërbime distribuimi dhe furnizim me energji elektrike në veri të Kosovës. Radio Evropa e Lirë citon Petkovićin se ka thënë që “për këtë arsye Serbia filloi aktivitete diplomatike në bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që ne të ishim në gjendje të vazhdonim furnizimin e pandërprerë të energjisë elektrike në veri të Kosovës”. Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić nuk u ka dorëzuar asgjë shqiptarëve “por, Serbia po bën gjithçka për të siguruar një furnizim të pandërprerë të energjisë elektrike në veri të Kosovës”.
Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë nënshkruar marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe. Siç njofton koha.net, shtatë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për energji mes Kosovës dhe Serbisë, një kompani nga veriu i Kosovës, “Drustvo Elektrosever”, ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë të ditur se tashmë ka krijuar një komision për shqyrtim të aplikacionit, i cili do ta bëjë vlerësimin në bazë të ligjeve dhe rregullave në fuqi për rregullimin e këtij aktiviteti.