‘Mirëdita, dobar dan’ në Prishtinë

Gjatë tri ditëve të edicionit të tetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Prishtinë u mbajtën debate, promovime librash e dokumentarësh, koncerte dhe shfaqje filmash në një atmosferë të qetë, për dallim nga tensionet që kanë shoqëruar edicionet e viteve të fundit të mbajtura në Beograd.  

0
295

Këtë vit festivali “Mirëdita, dobar dan!” nikoqir kishte Prishtinën gjatë tri ditëve prej 14 deri më 16 tetor. Ndryshe nga vitet e tjera kur ky festival u organizua në Beograd në situatë të tendosur nën thirrjet nacionaliste serbe dhe me forca të sigurisë që ruanin pjesëmarrësit, këtë herë festivali u zhvillua në një atmosferë të qetë. 

Me tensionet në Veri të Kosovës gjatë kësaj kohe, siç tha organizatori i këtij festivali, Kushtrim Koliqi, festivali u organizua në “rrethana të jashtëzakonshme pandemike e një ambienti tejet toksik politik”.  Megjithatë, sipas tij, ky festival është një nga të paktat iniciativa bashkëpunuese ndërmjet dyja vendeve që i ka qëndruar kohës. 

Ivan Đurić, nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriu, theksoi se është pikërisht “Mirëdita, dobar dan!” hapësira ku shqiptarët dhe serbët mund të zgjidhin problemet mes vete, por jo në mënyrën se si bëjnë politikanët. 

“Ne nuk ëndërrojmë që do të vijë një e ardhme kur shqiptarët dhe serbët do të pajtohen për gjithçka, por ëndërrojmë për një moment kur shqiptarët dhe serbët do të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe do të gjejnë një zgjidhje për problemet e tyre. Por, jo të bisedojmë sikurse po bisedojnë sot Vučić me Kurtin duke e nënçmuar njëri-tjetrin apo ngjashëm, por që të bisedojmë vërtetë edhe të gjinden rrugë të përbashkëta dhe zgjidhje të përbashkëta”, tha Đurić. 

Gjatë tri ditëve të festivalit u mbajtën debate, promovime librash e dokumentarësh, koncerte dhe shfaqje filmash. 

Në mbrëmjen e hapjes, të enjten, u shfaq për herë të parë në Kosovë filmi dokumentar “Më shëro” (Zaceli me), i autores Danijela Štajnfeld, që flet për dhunën seksuale përmes rrëfimeve personale të të mbijetuarve, por dhe kryerësve të asaj dhune. Përmes këtij dokumentari ritregohet e ridëshmohet dhe një herë se dhuna seksuale ndodhë ndaj çdokujt, pavarësisht moshës, gjinisë, profesionit apo pozitës që ka.

Një nga ngjarjet kryesore të festivalit ishte diskutimi rreth librit të botuar së fundmi “Sërbia Tjetër” të përpiluar nga Shkelzen Gashi. Ky botim i parë i një projekti më të madh përqendrohet në pikëpamjet e arkitektit serb Bogdan Bogdanović, krijuesit të monumentit të Trepçës në Mitrovicë dhe një kritik i hapur i politikës serbe për Kosovën, dështimit të saj për të respektuar të drejtat e njeriut të shqiptarëve atje.

Ai është një shembull i serbëve që përpiqen të kuptojnë situatën në Kosovë, banorët e atij vendi, të cilët respektojnë punën dhe jetën së bashku, por ka shumë të tjerë si ai. Edhe New Perspektiva ka shkruar për shembullin e rëndësishëm të këtij arkitekti serb. Siç u tha, ky është një proces i dyanshëm. Nga ana e Kosovës ka shumë që kanë pikëpamje të ngjashme për fqinjët e tyre serbë.

Ky diskutim i rëndësishëm rreth “Sërbisë tjetër” ngriti problemin e stereotipizimit të tjetrit, për të bërë një komb të tërë përgjegjës për mëkatet e disa prej shtetasve të tij. Ky është një problem tjetër të cilin New Perspektiva e ka trajtuar po ashtu.

Siç e tha Bogdanović në 1991 aq me vend: Interesi ynë kombëtar është të jemi miq me ju shqiptarët dhe ta mbajmë atë pjesë të popullsisë serbe që dëshiron të jetojë atje, dhe gjithashtu që monumentet tona atje të jenë në shtëpinë e miqve.

Dita e dytë e “Mirëdita, dobar dan!” vazhdoi me debatin “Cila është Sërbia tjetër?” që kishte synim të shpaloste një Serbi tjetër, ndryshe nga ajo që mësohet e njihet sot. 

Aktivistja serbe, Sofija Todorović, tha se Serbia tjetër do të thotë që mundemi ndryshe. Sipas saj, kjo Serbi nënkupton një të vërtetë pa shqetësime, keqkuptime e konflikte.

“Kur them Serbia tjetër, ajo nënkupton që ne mundemi më mirë, sepse në përgjithësi mendoj që ne si njerëz, pavarësisht moshës, meritojmë më mirë se sa ajo që na ofrohet dhe nuk besoj që njerëzit nuk janë të pasprovuar ose të marrë, por besoj se me të vërtetë, nëse u tregojmë njerëzve diçka të ndryshme, më mirë, që nuk sjell ndonjë shqetësim, keqkuptim, konflikte dhe pasiguri apo brengë në jetën e përditshme, besoj se këtë njerëzit do të përkrahin”, tha ajo duke theksuar se mediat në Serbi dhe në Kosovë nuk pasqyrojnë në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ndërsa, Veran Matić, që ka udhëhequr për një kohë të gjatë Radiotelevizionin B92 në Beograd, thotë se ky festival është shembull për mënyrën e çuarjes përpara të marrëdhënieve ndërmjet dy popujve.

“Nuk guxojmë të presim që disa nga elitat të marrin nisma për normalizim dhe pajtim dhe diçka që do të përcaktohej si miqësi. Mendoj se është koha që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që ekzistojnë dhe paralelisht të vendosen në nivel institucional. Mendoj se festivali “Mirëdita, dobar dan” është një shembull i rrallë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe”, tha ai.

Megjithëse edicioni i festivalit në Prishtinë u organizua pa protesta, qoftë në vendin nikoqir qoftë në Beograd, e as nuk u raportua për ndonjë incident, dita e fundit e festivalit filloi ndryshe pasi organizatorët e këtij festivali u bënë thirrje politikanëve që të reagojnë ndaj kërcënimeve që gazetari Pero Jovović kishte marrë pas raportimit të bërë në Prishtinë. 

Jovović tha se ai nuk është gazetari i parë e as i fundit që etiketohet në këtë mënyrë nga, siç i quan ai, “forcat e djathta serbe”:

“Këto ditë jam cak i tabloideve dhe forcave të djathta nga Serbia që nuk mendojnë se është në rregull pse unë kam përdorur lokacionin Prishtinë dhe kam vendosur flamurin e Kosovës. Por, s’jam gazetari i parë e as i fundit që etiketohet në këtë mënyë. Është me rëndësi që të flitet për këto gjëra. Kurse, njerëzit sikur unë dhe ju që jemi mbledhur në këtë festival, të jemi një simbol i një të ardhme më të mirë”, tha gazetari serb.