Neutrale sa i përket statusit?

Edhe një herë lejuam që politikanët të na tregojnë përralla e ne të mos reagojmë ndaj tyre. Gjyqësia serbe para syve tanë u integrua në atë të Kosovës, gjykatësit tanë dhanë betimin e ne do ta "hamë" tregimin se bëhet fjalë për një deklaratë neutrale. Neutrale sa i përket statusit po aq sikur Serbia që po korr fitore në Bruksel.

0
778

Pas një pritjeje të gjatë, më 24 tetor gjykatësit serbë dhanë betimin para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, gjë që shënoi integrimin përfundimtar të kësaj dege të pushtetit në sistemin e Kosovës. Prej kur kemi marr vesh se do të ndodh kjo, pas zhvendosjes së datës së saktë të mbajtjes, e deri tek shkuarja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Prishtinë, lirisht mund të themi që nuk është folur edhe aq shumë për integrimin. Marrëveshja e Brukselit u përvodh nëpër media dhe shumë shpejt pas lajmit se integrimi i gjyqësisë më në fund do të ndodhë, kaluam në disa tema tjera, “shumë më të rëndësishme.” Po fitohet përshtypja se serbëve të Kosovës në një  mënyrë as nuk u është dhënë informata e saktë se çka do të ndodhë apo se cila është poenta e integrimit të gjyqësisë. Por kjo është një temë krejtësisht tjetër.

Pasi kaluam nëpër dhënien e betimit, pasi presidenti i Kosovës mbajti një fjalim para gjykatësve dhe prokurorëve serbë dhe pasi të gjithë e kuptuam se prej tani në hapësirat e komunave serbe në Kosovë do të gjykohet sipas ligjeve të Kosovës, nuk pati nevojë të komentohet shumë për këtë. Në momentin kur ne, serbët e Kosovës, e pranuam këtë si diçka që na pret, sepse kaherë asgjë nuk mund të na befasojë, u lajmërua kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić. Dhe atë përmes twiter-it. Deklarata e saj ishte aq kompetente saqë unë do t’i iki çfarëdo ritregimi të saj me fjalë të mia, meqë është më së miri të citohet. Në fakt, “gjyqtarët tanë nuk kanë dhënë kurrfarë betimi, porse kanë dhënë një deklaratë të veçantë, neutrale sa i përket statusit. E vërteta është me rëndësi,“ tha kryeministrja e Serbisë. Pajtohem, natyrisht që e vërteta është me rëndësi!

Absolutisht nuk keni nevojë për asnjë njohuri të së drejtës për të interpretuar aktin e gjyqtarëve serbë dhe pastaj të pyesni veten për çka shërbeu kjo deklaratë e Ana Brnabić-it. Para së gjithash, po flasim për fillimin e përdorimit të mjeteve juridike të një shteti që nuk është Serbi, pastaj ne po flasim për ardhjen tek presidenti që nuk është president i Serbisë dhe dhënjen e betimit shtetit i cili nuk është Serbi. Në fund të tërë kësaj, dikush në të cilin ju duhet të keni besim, sepse e drejton qeverinë e shtetit në të cilin ju, mbase ende, besoni, ka guxim t’ju thotë se deklaratat e gjyqtarëve që nuk punojnë më sipas sistemit serb janë neutrale sa i përket statusit!

Çfarë ju mbetet juve, si dikujt që i beson, ose të paktën përpiqet t’i besojë, Qeverisë së Serbisë? Jo edhe aq shumë, do të thoja. Juve ju mbetet që, për të kushedi të satën herë, të pranoni se deklaratat e politikanëve serbë janë kryesisht në kundërshtim me atë që jetoni. Sepse jemi mësuar me këtë. Dhe pikërisht për shkak të kësaj shprehie, deklarata e Ana Brnabiç-it kaloi pa u vënë re. Edhe një herë lejuam që politikanët të na tregojnë përralla e ne të mos reagojmë ndaj tyre. Gjyqësia serbe para syve tanë u integrua në atë të Kosovës, gjykatësit tanë dhanë betimin e ne do ta “hamë” tregimin se bëhet fjalë për një deklaratë neutrale. Neutrale sa i përket statusit po aq sikur Serbia që po korr fitore në Bruksel.

Problemi nuk qëndron aty se Serbia po përpiqet të mbrojë politikën e vet ndaj Kosovës, sepse kjo është diçka që mbase edhe do të duhej ta bënte. Problemi është se për kushedi të satën herë, po ata njerëz të njëjtë, për të cilët politikanët serbë gjoja po luftojnë, po mashtrohen dhe po gënjehen. Si është e mundur që askujt nuk i shkon mendja se edhe ne mendojmë, se jemi të vetëdijshëm se ku po jetojmë dhe çka po ndodh? Si është e mundur që askush nuk mendoi para se ta përmendte neutralitetin ndaj statusit në momentin kur pothuajse të gjitha institucionet nga veriu i Kosovës po integrohen në sistemin e Kosovës? Si mundet ashtu që deklaratat të jenë neutrale, Kosova të jetë Serbi, kurse sistemi të jetë pjesë e shtetit të Kosovës? Nuk di, sipas të gjitha gjasave përgjigjja do të ishte gjithçka tjetër vetëm jo neutrale sa i përket statusit.