Nis riregjistrimi me targa RKS

0
31

Në Qendrat e regjistrimit të automjeteve, në të katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, janë kryer të gjitha përgatitjet për riregjistrimin e automjeteve, konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të lëshuar në orët e vona të 1 shtatorit, në Prizren është riregjistruar makina e parë në targa RKS.

Zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin me targa RKS (Republika e Kosovës) të automjeteve që posedojnë targa të qyteteve, i cili nisë më 1 shtator dhe që do të zgjasë 61 ditë, do të bëhet në bazë të Udhëzimit administrativ 03/2022 të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili ishte publikuar më 8 korrik të këtij viti.

Ardita Ademi – Istrefi, udhëheqëse e Qendrës për regjistrimin e automjeteve në Mitrovicën e Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë, se qendra që ajo drejton, por edhe qendrat në tri komunat tjera, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë në gatishmëri të plotë për t’i pritur qytetarët për regjistrimin e automjeteve, që kanë targa jolegale, me targa RKS.

Me të hyrë në fuqi Udhëzimi administrativ 03/2022, në të gjitha qendrat komunale të regjistrimit të automjeteve, jemi të pajisur me materiale të nevojshme dhe jemi në shërbim të plotë për qytetarët, në të gjitha komunat (në veri të Kosovës)”, tha Ademi-Istrefi.

Në Udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për riregjistrimin e mjeteve me targa RKS, për pronarët e automjeteve të pajisura me targa PR, KM, PZ, GL, PE, kërkohen këto dokumente: certifikata origjinale e regjistrimit të automjetit, certifikata e rregullsisë teknike (në rastet kur nuk ekziston certifikata e regjistrimit me afat të vlefshëm), polisa e sigurimit, dokumenti i identifikimit i Republikës së Kosovës, patentë-shoferi me afat të vlefshëm, si dhe dëshmia mbi pagesën e taksave rrugore dhe ekologjike.

Pronarët që riregjistrojnë automjetet e tyre do të lirohen nga tarifa doganore, tarifat administrative, tarifa për targat dhe tarifa për certifikatën e regjistrimit të mjetit.

Ku gjenden Qendrat për regjistrimin e automjeteve në komunat veriore?

Qendra e regjistrimit të automjeteve në Mitrovicën e Veriut është në objektin e Komunës, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.

Qendra e regjistrimit të automjeteve në Zveçan gjendet në pjesën qendrore të qytetit, në objektin e Qendrës për regjistrim civil, në rrugën Prote Stojan.

Në Zubin Potok, qendra e tillë gjendet në afërsi të Stacionit të Policisë së Kosovës, ndërkaq në Leposaviq, qendra e tillë gjendet në katin e parë të objektit të Stacionit të Policisë së Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të gjitha këto qendra qytetarët në vazhdimësi kanë mundur të pajisen me fletushka, në të cilat shpjegohet procedura e riregjistrimit të automjeteve të tyre.

Mëdyshjet e qytetarëve serbë në veri

Përderisa qendrat për regjistrimin e automjeteve janë të gatshme për punë që i pret në komunat e veriut të vendit, qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë atje, ende janë në mëdyshje lidhur me riregjistrimin e automjeteve të tyre, por ka edhe të tillë që refuzojnë ta bëjnë këtë.

Ivani tha se nuk do ta riregjistrojë automjetin e tij.

“Nuk ka nevojë, e rëndësishme është që ngasim[automjete] me targa KM”, tha ai.

Mirjana theksoi se nuk do ta riregjistrojë automjetin e saj, derisa një gjë e tillë të mos jetë e domosdoshme.

“Në momentin që një gjë e tillë do të jetë kusht për të drejtuar automjetin tim këtu, atëherë do t’më duhet ta bëj këtë. Këtë nuk e vë në pikëpyetje për shkak të arsyeve praktike. Unë shpesh shkoj edhe në Prishtinë dhe në Graçanicë për shkak të punës. Në fakt, për mua do të ishte lehtësim në qoftë se do t’i kisha targat e tilla (RKS). Por, për momentin, siç është, vetura ime ka targa KM dhe aktualisht me këtë vetyrë qarkulloj vetëm në veri. Derisa të mos e kem të domosdoshme, nuk do t’i ndryshoj”, tha Mirjana.

Bobani tha se e ka riregjistruar automjetin e tij më herët, për shkak se ka familjen në anën jugore të lumit Ibër, ku nuk mund të qarkullohet me targa KM. Megjithatë, riregjistrimin e automjeteve, ai e sheh si proces të komplikuar.

“Nuk e di se cili do të jetë fundi, por më së miri është që të gjendet një zgjidhje, e cila nuk do të jetë në dëm të serbëve. Por, në rrethanat e tanishme, mendoj se kjo është e vështirë”, u shpreh Bobani.

Arsenijeviq: Afat i pamjaftueshëm për riregjistrimin e automjeteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS – Republika e Kosovës – teksa më 1 shtator ka nisur afati dymujor për riregjistrim.

“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR, PE dhe ĐA janë trashëgimi e Millosheviqit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon t’ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kurti përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe të postuar në rrjetet sociale më 1 shtator .

Ai tha se riregjistrimi do t’u mundësojë qytetarëve serbë që me makinat e tyre të qarkullojnë në tërë territorin e Kosovës.

Kurti tha se afati për riregjistrimin e automjeteve do të vazhdojë deri me datën 31 tetor.

Por, Aleksandar Arsenijeviq, kryetar i Iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe” nga Mitrovica e Veriut, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se afati prej 61 ditësh, të cilin e ka vendosur Qeveria e Kosovës, për riregjistrimin e automjeteve është i shkurtë, marrë parasysh numrin e madh të automjeteve që kanë targa KM në veri të Kosovës.

Sipas tij, situata komplikohet edhe më tej për shkak se për riregjistrimin e automjeteve nevojitet dokumenti i identifikimit apo letërnjoftimi i lëshuar nga autoritetet e Kosovës.

“Në këtë rast, kjo e vështirëson mjaft riregjistrimin, veçanërisht për gjeneratën e re, e cila nuk ka pasur nevojë të nxjerrë dokumentet e Kosovës. Po e marr shembull veten. Unë, si 30-vjeçar, vetëm më 25 gusht të vitit 2021 kam marrë dokumentet e Kosovës dhe vetëm në momentin kur kam pasur nevojë për një gjë të tillë. Njerëzit, këtu në veri, nuk i kanë marrë dokumentet derisa nuk kanë pasur një nevojë serioze për hapje të kompanisë, për konkurrimin në projekte të caktuara”, tha Arsenijeviq.

Ai shtoi se marrë parasysh që afati për riregjistrimin e automjeteve është i shkurtë, siç beson ai, ekzistojnë gjasat që afati të shtyhet sërish, në mënyrë që të krijohen mundësitë për të gjithë ata që dëshirojnë t’i riregjistrojnë veturat e tyre në targa RKS.

Megjithatë, ai theksoi se mbetet e paqartë nëse do të jenë të vlefshëm edhe patentë shoferët, të cilët janë të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, por me emrat e qyteteve të Kosovës, ngjashëm siç ka qenë situata me targat e automjeteve me akronime të këtyre qyteteve, të cilat janë lëshuar po ashtu nga autoritetet serbe.

Në Udhëzimin administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për riregjistrimin automjeteve me targa RKS, në Nenin 4, ku përshkruhen procedurat e riregjistrimit të automjetit, në paragrafin 1.5, thuhet se është i domosdoshëm “Patentë shoferi me afat të vlefshëm”, pa e specifikuar nëse ky dokument duhet të jetë i lëshuar nga autoritetet e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk kanë dhënë sqarime.

Marrëveshja e Brukselit për lirinë e lëvizjes e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 dhe ajo parashihte që në Kosovë të përdoren vetëm targat me shenjat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (Kosovë, neutrale ndaj statusit).

Në marrëveshje thuhej se “si masë e përkohshme autoritetet e në Kosovë do të zgjasin vlefshmërinë e targave KS për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh”.

Kosova dhe Serbia, në vitin 2016 sërish janë marrë vesh për vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që do të thotë se “afati i përdorimit” të tyre ka skaduar në vitin 2021.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në vitin 2020 ka anuluar Udhëzimin administrativ për regjistrimin e automjeteve me targa KS, në mënyrë që ato të mos lëshohen më nga shtatori i vitit 2021.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, ashtu sikurse edhe për dokumentet personale, ka shkaktuar revoltën e serbëve në veri të Kosovës, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit të sivjetmë.

Me sugjerimin e partnerëve ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit për targat për 30 ditë, pra deri më 1 shtator.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve, por jo edhe për targat.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat konsiston në riregjistrimin e automjeteve që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

(evropaelire.org, 01/09/2022)