Një qytet, dy komuna

Komuna e Mitrovicës së Jugut - Opština Južna Mitrovica – Mu-nicipality of Mitrovica South. Ditë më parë pranova një njoftim me këtë mbishkrim, nga zyra për informim e komunës, që thërriste mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Jugore.

0
1820

Komuna e Mitrovicës së Jugut – Opština Južna Mitrovica – Mu-nicipality of Mitrovica South. Ditë më parë pranova një njoftim me këtë mbishkrim, nga zyra për informim e komunës, që thërriste mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Jugore.

Tashmë edhe zyrtarisht komuna “e vjetër” e Mitrovicës po quhet “Komuna e Mitrovicës së Jugut”, ndërsa komuna e re në veri e krijuar me planin e Ahtisaarit si pjesë e procesit të decen-tralizimit quhet “Komuna e Mitrovicës Veriore”.

Kur e pashë njoftimin me mbishkrimin “Mitrovicë e Jugut” mu rrëqeth mishi. Thash me vete “ky nuk është qyteti im, kjo nuk është komuna ime”. Si qytetare e lindur dhe e rritur në Mitrovicë e kam vështirë ta pranoj këtë ndarje “me letra”. Nuk do të mund ta quaj asnjëherë Mitrovica e Jugut apo Mitrovica e Veriut. Do vazhdoj t’i referohem si një qytet – Mitrovica – apo thjesht veriu i Mitrovicës dhe jugu i Mitrovicës.

Plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, i miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, kishte paraparë që në territorin aktual të komunës së Mitrovicës të krijoheshin dy komuna, Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore. Këto dy komuna do të kishin një bord të përbashkët, përmes së cilit do të bashkëpunonin të dyja palët. Bordi do të përbëhej nga 11 anëtarë, pesë shqiptarë, pesë serbë dhe do të kryesohej nga një ndërkombëtar. Por ky bord nuk u krijua kurrë. Krijimit të komunës së Mitrovicës Veriore i parapriu themelimi i Zyrës Administrative, ndërsa komunës ekzistuese të Mitrovicës iu shtua prapashtesa “Jugore”.

Historikisht Mitrovica nuk ka qenë e destinuar për ndarje. Deri në vitet ‘90, në qytetin që dikur ka funksionuar si një njësi territoriale, nxënësit shqiptarë dhe serbë kanë mësuar në të njëjtat objekte shkollore, në kompleksin industrial “Trepça” kanë punuar punonjësit shqiptarë e serbë, ashtu si edhe në gjykata, spitale, fabrika… Sot ndërkaq dy komunitetet më të mëdha etnike kanë sisteme të ndara të telekomunikimit, të energjisë, planprogram të ndryshëm arsimor, shërbime shëndetësore të ndara, gjykata të ndara… .

Mitrovica de facto u nda menjëherë pas përfundimit të konfliktit në vitit 1999, kur serbët që u zhvendosën nga pjesët tjera të Kosovës, zunë vend në veri të Mitrovicës duke uzurpuar shumë prona të shqiptarëve. Kësisoj ura që do të duhej të shërbente për bashkim njerëzish, u shndërrua në një “kufi” ndarës mes shqiptarëve në pjesën jugore dhe serbëve në pjesën veriore.

Pse dhe si ndodhi kjo, kush e lejoi këtë ndarje, a mund të shmangej ajo? Një kolege imja rreth të gjashtëdhjetave më të cilën dikur ishim edhe fqinje në veri të Mitrovicës, me të drejtë po shprehte emocionet e saj për gjendjen e krijuar duke pyetur “Kush i dha të drejtë vetes t’i falë kujtimet e neve që lindëm, u rritëm dhe u plakëm në atë pjesë. Kush mori të drejtën të luajë me të vdekurit që prehen atje, meqë nuk mund t’ua vizitojmë varrezat. Këto përgjigje një ditë do t’i ofrojë historia. Deri atëherë çmenduria vazhdon.”

Banorët e Mitrovicës, shqiptarë apo serbë, duket se tashmë janë mësuar të jetojnë të ndarë, pavarësisht vuajtjeve që u ka shkaktuar ndarja. Familja ime e cila deri në fund të vitit 2005 ka jetuar në veri, tashmë jeton më e qetë në pjesën jugore të qytetit, larg frikës, ankthit e zhurmave nga përdorimi i armëve të ndryshme që krijoheshin periodikisht si pasojë e tensioneve ndëretnike. Por prindërit e mi, motra dhe unë kemi shumë mall dhe shumë kujtime të pashlyera për kohën që e kemi kaluar në veri, atje ku si adoloshente dilja me shoqe te Berilet apo te Krashi, ku shkoja të dëgjoja muzikën live në kafeterinë Gresa të të ndjerit Haki Misini – i vrarë gjatë luftës, për vizitën te tezja dhe lojën me fëmijët e saj në Kodrën e Minatorëve e shumë e shumë përjetime tjera, që as nuk kthehen, as nuk do të përsëriten më.