Non bis in idem

Është e qartë se nuk ka më kthim në të vjetrën dhe disa zgjidhje të ardhshme duhet të kërkohen në marrëveshje, por në një marrëveshje më të sinqertë dhe më të drejtë sepse e kemi parë në praktikë që kjo nuk ka shkuar si duhet deri më tani.  

0
41

Është plotësisht e panevojshme të flasim në fillim për gjithçka që po ndodh aktualisht në veri të Kosovës, sepse kjo është e qartë për të gjithë, dhe ka qasje të mjaftueshme në informata sa që është e pamundur të konstatohet ndonjë fakt i ri në këtë drejtim. Por ajo që nuk është e qartë për të gjithë është se ku po shpie e gjithë kjo dhe sa të mençura dhe të përshtatshme janë lëvizjet e të gjithë pjesëmarrësve në këto ngjarje. Përderisa si njëra ashtu edhe tjetra palë nuk po heqin dorë nga synimet dhe kërkesat e tyre, situata po bëhet edhe aq më e ashpër e më e ndërlikuar sa edhe prognoza më optimiste është në thelb e keqe dhe si e tillë brengos secilin prej nesh që i bartim pasojat e gjithë kësaj. Pa pasur qëllimin që të fajësojmë askënd, duhet të pyesim veten me kokë të ftohtë se sa kanë të drejtë të dyja palët dhe se, bazuar në fakte, bile pak të përpiqemi të kontribuojmë që situata të kuptohet më mirë, sepse është e qartë se tani për tani zgjidhje nuk ka dhe se sado që të përpiqemi, ne nuk mund të ndikojmë në atë zgjidhje.

Me braktisjen e institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve në veri u krijua një boshllëk politik i cili në vetvete as nuk mundet dhe as nuk duhet të zgjasë përgjithmonë sepse kjo në praktikë është e pamundur, por fajtori për gjithë këtë duhet të kuptojë se zgjidhja është në duart e tij. Natyrisht, sado e vështirë të jetë për dikë ta kuptojë apo ta pranojë, në radhë të parë fajtori për këtë, të paktën sipas mendimit tim modest, është kryeministri aktual i Kosovës. Duke refuzuar të përmbushë pjesën e Marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me formimin e AKS-së, ai ka dhënë shkas që të braktisen institucionet e Kosovës nga të gjithë serbët, të cilët u integruan në to pikërisht si peng për formimin e Asociacionit të sipërpërmendur. Është plotësisht e qartë se kryeministri duhet të ketë qenë në dijeni të kësaj, kur në disa raste ka deklaruar qartë se nuk do të ndodhte formimi i AKS-së, kështu që shtrohet pyetja pse ka lëvizje të tilla nëse dëshirohet paqe dhe pajtim dhe mbi të gjitha arritje e një shkalle të tillë të marrëdhënieve që do të kurorëzoheshin me një dokument ligjërisht të detyrueshëm. Kërkesa për të marrë fillimisht njohje nga Serbia dhe vetëm më pas për të formuar AKS-në është, para së gjithash, joreale dhe e paarritshme sepse gjatë gjithë procesit të negociatave u vendos radha e veprimeve në zbatimin e marrëveshjes në tërësi. Kjo renditje nuk po respektohet prej kohësh dhe prej kohësh kjo është e qartë për të gjithë. Por, sido që të jetë, pasojat janë aty.   

Nga ana tjetër, largimi nga institucionet ishte, sipas shumëkujt, një goditje e fortë për tërë procesin e normalizimit të marrëdhënieve, por sigurisht e vetmja lëvizje e mundshme, megjithëse ka edhe nga ata që mbrojnë këndvështrimin se një veprim i tillë ishte i panevojshëm. Por, sido që të jetë, është e qartë se nuk ka kthim në të vjetrën dhe disa zgjidhje të ardhshme duhet të kërkohen në marrëveshje, por në një marrëveshje më të sinqertë dhe më të drejtë sepse e kemi parë në praktikë që kjo nuk ka shkuar si duhet deri më tani. Barrikadat dhe reagimi ndaj tyre janë diçka që sigurisht nuk kontribuon në qetësimin e tensioneve, e me retorikën nxitëse, e cila nganjëherë është e provokuar e nganjëherë e stërtheksuar, e tërë situata ndonjëherë duket shumë më e rëndë se sa që është në të vërtetë. Kërcënimet se barrikadat duhet të hiqen me forcë dhe se ka shumë gjasa që mund të ketë viktima njerëzore gjatë atij procesi janë diçka që e ngrijnë gjakun në vena, ndaj shtrohet pyetja se kujt i duhen të gjitha këto. Mbetet të shihet nëse pas kësaj në terren na presin vendime të vështira në frontin politik, por fakti është se as barrikadat nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë, e as çelësi i zgjidhjes nuk duhet kërkuar në barrikada, ato janë vetëm pasojë e diçkaje që nuk shkon mirë  në procesin politik. Se kush e ka fajin mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt, pa marrëveshje më të sinqertë dhe një qasje më të sinqertë ndaj gjithë procesit dhe respektimit të asaj që është nënshkruar, as që do të ketë zgjidhje të përhershme.  

*Non bis in idem – (lat.) Jo dy herë për të njëjtën gjë, formulim juridik i pranuar si rregull që për një çështje juridike nuk mund të gjykohet dy herë.  

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.