Normalizimi i dhunës

Ndërsa qëndrojmë në krah të Jelenës, Stefanit dhe Markos, është shumë e rëndësishme të thuhet me zë të lartë se shënjestrimi i tyre duhet dënuar, duhet të karakterizohet si dhunë dhe si diçka që nuk guxon të jetë e pranueshme në shoqëri. Hapi i parë sot është shumë i rëndësishëm dhe do të thotë të mbështesim këta të rinj që janë gjykuar sepse zgjodhën dialogun (atë të vërtetin, jo atë të Brukselit) si opsion e jo urrejtjen dhe dhunën.

0
85

Në rajonin tonë, por edhe në përgjithësi në botë, dhuna dhe përdorimi i dhunës është diçka që është bërë normale dhe në fakt pjesë e jetës së përditshme. Kur flasim për dhunën, nuk mendojmë vetëm në dhunën e drejtpërdrejtë, por edhe atë strukturore dhe kulturore. Tek ne, kjo dhuna e drejtpërdrejt është bërë disi një praktikë dhe përditshmëri. A bëhet fjalë për dhunë fizike apo mendore, rrahje, fyerje, sulme, tradhti, mashtrime – ne mund ta përjetojmë atë në të gjitha format dhe në çdo kohë.

Edhe pse dhuna është bërë normale, kjo absolutisht nuk do të thotë që ne duhet ta pranojmë atë normalizim dhe të jetojmë sipas standardeve të saj. Ne duhet të gjejmë mënyra që t’i kundërvihemi dhe që gjërat në fakt t’i quajmë me emrat e vërtetë që i kanë. 

Në rastin e mëposhtëm, është më se e nevojshme t’i quash gjërat me emrat e vërtetë që i kanë. Në të vërtetë, ditë më parë në Beograd u shfaqën pllakate me fytyrat e profesorëve të Fakultetit të Shkencave Politike, Jelena Lončar, Stefan Surlić dhe Marko Veković, në të cilat ata quhen tradhtarë dhe në të cilat qëndrojnë simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pllakatet u shfaqën në prag të një takimi të planifikuar mes profesorëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit dhe Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Mbledhja ishte planifikuar për 16 mars, por në fund u anulua nga Fakulteti në Beograd. 

Ndërsa shumë vetë u dalin në mbrojtje profesorëve të Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, ndërsa studentët mblidhen për t’u dhënë atyre mbështetje, është ende e nevojshme që ky rast të quhet me emrin e duhur. Më saktë, të thuhet zëshëm se ky është një rast dhune. Rast i dhunës së drejtpërdrejtë drejtuar kundër atyre që duan të ndryshojnë shoqërinë tonë për mirë, të cilët nuk duan të jetojnë në të kaluarën dhe që para së gjithash nuk kanë merituar asnjë lloj shënjestrimi. Përveç kësaj, vlen të theksohet se pavarësisht se bëhet fjalë për profesorë të institucionit që duhet të përfaqësojë bazat e të mësuarit të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, shënjestrimi dhe dhuna ndaj çdo pjesëtari të shoqërisë duhet dënuar dhe ndalur. Për sa kohë ne heshtim dhe nuk kundërshtojmë akte të tilla, ne vetëm kontribuojmë në normalizimin e tyre.

Përveç kësaj, duhet të pyesim se çfarë çoi në këtë shënjestrim? A ishte në fakt konferenca që ishte e planifikuar? Apo takimi me profesorët që do të vinin nga Kosova? A trajtohet kjo si tradhti në shoqërinë serbe? Nëse me të vërtetë bëhet fjalë për këtë, si mund t’i gjykojmë akademikët që duan t’i kontribuojnë normalizimit dhe krijimit të lidhjeve për ndërtimin e paqes e jo ata që na sollën në situatë lufte dhe konflikti të armatosur? Si mund t’i quajmë tradhtarë ata që në mënyrë paqësore përpiqen të na bëjnë jetën më të lehtë dhe t’i kontribuojnë një bashkëjetesë më të mirë e jo ata që mbushin vazhdimisht titujt e mediave me gjuhë të urrejtjes, me paragjykime dhe nënçmime? Kur dhe si e humbëm busullën dhe i dhamë vetes të drejtën të shënjestronim këdo? Nëse vetëm kthehemi pak në të kaluarën, do të kuptojmë se shënjestrimi dhe thirrja e njerëzve me ca emra nuk ka sjellë asgjë tjetër përveç dhunës dhe rrezikimit të jetës së njerëzve. 

Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që sot të qëndrojmë pranë Jelenës, Stefanit dhe Markos. Që ta themi me zë të lartë se trajtimi i tyre nuk mund të quhet asgjë tjetër përveç dhunë. Dhunë e cila nuk guxon të mbështetet dhe të bëhet diçka normale. Pas vitesh dhune dhe normalizimi të saj, është koha të kuptojmë se ajo nuk na ka sjellë ndonjë të mirë dhe vetëm sepse është normalizuar nuk do të thotë se është diçka e drejtë. Që të kuptojmë se ekzistojnë mënyra jo të dhunshme për zgjidhjen e konfliktit. Ndërsa qëndrojmë në krah të Jelenës, Stefanit dhe Markos, është shumë e rëndësishme të thuhet me zë të lartë se shënjestrimi i tyre duhet dënuar, duhet të karakterizohet si dhunë dhe diçka që nuk guxon të jetë e pranueshme në shoqëri. Hapi i parë sot është shumë i rëndësishëm dhe do të thotë të mbështesim këta të rinj që janë gjykuar sepse zgjodhën dialogun (atë të vërtetin, jo atë të Brukselit) si opsion e jo urrejtjen dhe dhunën.  Kurse tjetri hap i menjëhershëm është mbështetja për iniciativat e tyre për të na dhënë të gjithëve opsionin e paqes, e cila na ka munguar prej vitesh dhe që është e domosdoshme. Kurse ai hapi shumë më i madh është ndalimi i normalizimit të dhunës dhe të kuptuarit se sa e rrezikshme dhe shkatërruese është ajo.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.