NP Interview: Augustin Palokaj, korrespondent, Bruksel

0
211


Në kuadër të një cikli bisedash, New Perspektiva ka zgjedhur të bisedojë këtë herë me dy korrespondentë që raportojnë nga Brukseli: me Augustin Palokajn, korrespondent i KOHA-s së Prishtinës, dhe Jutarnji Listit, të Zagrebit, si dhe me Dušan Gajić-in, korrespondent i RadioTelevizionit të Serbisë. Tema që kemi zgjedhur për bisedë është aplikimi kohë më parë i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Fillimisht Augustin Palokaj i përgjigjet pyetjes cilat janë të rejat më të fundit në lidhje me këtë aplikim:

Palokaj: Në fakt nuk ka të reja. Qëkur Kosova ka bërë aplikimin, duhet pritur tash procedurat brenda strukturave të Këshillit të Evropës. Është një organizatë e cila i ka disa procedura; diku përfshihet Asambleja e Përgjithshme, diku Këshilli i Ministrave dhe tash duhet pritur që Këshilli i Evropës ta vë në shqyrtim aplikacionin e Kosovës. Sekretariati e ka marrë këtë përsipër, por duhet të vendoset në rend të ditës nga ana e Këshillit të Ministrave. Kjo nuk ka ndodhur në takimin e fundit, pasi që, sipas disa burimeve diplomatike, ai rend dite ka qenë i caktuar shumë përpara dhe gjithsesi ka komplikime brenda strukturave të Këshillit të Evropës për shkak të përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë. Natyrisht se ky ka qenë një vendim politik, i bazuar në veprimet e Rusisë, e cila në një mënyrë, e ka përjashtuar vetveten pasi nuk respekton as parimet më themelore të kësaj organizate. Por, për struktura kjo ka pasojë, pasi që, mes tjerash, Rusia është edhe paguesi i madh në buxhetin e Këshillit të Evropës. Diplomatët kanë thënë se kanë pasur disa pika shumë të rëndësishme të rendit të ditës dhe kjo është arsyeja se pse Kosova nuk është përfshirë në rend dite, ndonëse Kosova ka insistuar që që atëherë të nis procedura. Gjithsesi duhet pritur që procedurat të vazhdojnë e ato nuk janë procedura të shpejta. 

NP: Çfarë kishin përfituar qytetarët e Kosovës prej anëtarësimit në Këshillin e Evropës? 

Palokaj: Edhe Kosova si shtet, edhe qytetarët e Kosovës do të përfitonin shumë. Së pari, kjo do të subjektivizonte shtetësinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare, sepse Kosova nuk është anëtare në shumë organizata ndërkombëtare. Do të ishte një hap historik në atë që quhet integrime evropiane, edhe pse Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian nuk janë e njëjta organizatë dhe nuk kanë shumë lidhje, pa u anëtarësuar në Këshillin e Evropës nuk mund të bëhet askush anëtar i Bashkimit Evropian, pasi që anëtarësimi në Këshillin e Evropës nënkupton se ai shtet i respekton parimet më themelore të të drejtave të njeriut, të demokracisë, të sundimit të ligjit. Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës do të përfitonin shumë, sepse do të kishin të drejtë, ndër të tjera, të kërkojnë edhe drejtësi para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë moment, qytetarët e Kosovës nuk e kanë këtë mundësi dhe nuk mund t’i drejtohen këtij institucioni, pasi nuk janë shtetas të një shteti anëtar të Këshillit të Evropës. Natyrisht, nëse do të donte dikush që të paraqitej para këtij institucioni si shtetas i Serbisë, do ta kishte këtë mundësi. Por, të gjithë e dimë që Kosova e ka shpallur veten si shtet dhe qytetarët e saj e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre dhe nuk mund të aplikojnë në këtë organizatë për të kërkuar drejtësi si shtetas të Serbisë. Në anën tjetër, si pjesëmarrës në këtë Këshill të Evropës, Kosova dhe diplomatët e Kosovës do të merrnin pjesë në takime ndërkombëtare, ku do të mund të zbatonin ato parimet për të cilat angazhohet Këshilli i Evropës. Pra, do të ishte një përfitim shumë i madh, si për Kosovën si shtet ashtu edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët do të mund të kërkonin të drejtat e tyre në këtë organizatë. 

NP: Domethënë, kundërshtimi nga ana e Serbisë ka të bëjë kryesisht me atë që e the, subjektivizimin e mëtejshëm të Kosovës si shtet i pavarur, apo jo?

Palokaj: Gjithçka në sjelljen e Serbisë shkon në drejtim të mohimit të shtetësisë së Kosovës dhe kjo vlen qoftë për njohjet nga shtetet tjera qoftë për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale apo për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Shpesh kemi parë se Serbia bën pengesa aty ku mundet, edhe në organizatat ndërkombëtare sportive, siç ishte rasti në pengimin e pjesëmarrjes së reprezentacionit të Kosovës në ping pong, në një garë evropiane në Beograd apo në Kampionatin Evropian të Boksit. Nga aspekti i kuptimit të qytetarëve se Kosova është shtet, nganjëherë më shumë ka efekt pjesëmarrja në gara sportive sesa pjesëmarrja në takime apo tubime politike. Ta zëmë, Serbia kishte bërë çmos që Kosova të mos bëhej anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s në futboll dhe kjo u arrit, dhe kur e shohim Kosovën duke luajtur kundër skuadrave të tjera kombëtare, e kanë më shumë përshtypjen se Kosova është shtet. Sa i përket aplikimit në Këshillin e Evropës, Serbia natyrisht mundohet ta lidh këtë edhe me një marrëveshje që Kosova ka pasur me administratën e presidentit amerikan të shkuar Donald Trump, ku Kosova ishte zotuar se do të ketë një moratorium për kërkesa për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të ndërpresë lobimin për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Por, ky afat ka kaluar dhe Kosova ka aplikuar. Kështu që, Kosova duhet të avancojë qoftë edhe nëse mendon se nuk ka gjasa reale për t’u bërë anëtar. Kosova duhet të aplikojë në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Në anën tjetër, duhet edhe miqtë e Kosovës të jenë të sinqertë dhe të mos sillen edhe ata sikur kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Tash vijmë te një problem tjetër, tek organizatat ku vendoset me konsensus. Të tilla janë NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Në Bashkimin Evropian janë pesë shtete që nuk e njohin Kosovën ndërsa në NATO janë katër. Kjo do të thotë se Kosova i ka dyert e mbyllura për NATO-n dhe për Bashkimin Evropian në këtë moment, deri sa nuk hiqet kjo pengesë politike. Por, në Këshillin e Evropës, vendimet merren me parime demokratike, ku mjafton shumica, e Kosova e ka shumicën në Këshillin e Evropës. Tash është çështje e vullnetit politik apo gjetje e momentit të duhur që këto shtete të kenë gatishmëri për ta formalizuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe këtu Serbia mund të bëjë përmes lobimit ndonjë pengesë por jo edhe ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. 

NP: Por në lidhje me këtë kundërshtimin e aplikimit nga ana e Serbisë, desha ta theksoj që edhe qytetarët serb të Kosovës do të përfitonin nga një anëtarësim i këtillë, teksa Serbia ankohet tërë kohën se të drejtat e tyre nuk po respektohen. Do të thotë, kjo do të ishte një përfitim edhe për qytetarët serb të Kosovës, apo jo?

Palokaj: Do të ishte gjithsesi përfitim për të gjithë qytetarët e Kosovës, e për serbët e Kosovë edhe më shumë, sepse ata do të mund të kërkonin mbrojtjen e të drejtave të tyre edhe si pjesëtarë të një pakice kombëtare apo të një komuniteti jo-shumicë, siç shprehen shpesh, për të mos e nënvlerësuar këtë komunitet për shkak të numrit të vogël apo diçka tjetër. Pra, Këshilli i Evropës mbron të drejtat themelore të njeriut, por edhe të drejtat e pakicave, të drejtat e komuniteteve jo-shumicë, lirinë e shprehjes dhe shumë gjëra të tjera. Dhe ata, si qytetarët të Kosovës, me përkatësi etnike serbe, do të kishin një mbrojtje edhe më të madhe, edhe nëse Kosova do të ishte anëtare e Këshillit e Kosovës. Por, serbët e Kosovës janë viktimë e politikës së Serbisë, dhe ndjenjës se përmes tyre po mbrohet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën. Kemi një situatë mjaft bizare në Kosovë, ku kemi edhe anëtarë të qeverisë, deputetë të Parlamentit të Kosovës, të cilët kur thonë “qeveria jonë” mendojnë në qeverinë e Serbisë e jo të Kosovës, aty ku janë pjesëtarë. Kjo duhet të rregullohet sepse nuk ka rast tjetër në botë kur dikush thotë “qeveria ime” e është zëvendës kryeministër në një qeveri tjetër. Pra, ata si qytetarë të Kosovës do të kishin më shumë përfitime nga anëtarësimi i Kosovës. Por, për këtë duhet të mos jenë vegël politike e Beogradit. Kemi rastin e ngjashëm për shembull tek liberalizimi i vizave për udhëtim në vendet e Bashkimit Evropian. Liberalizimi i vizave godet të gjithë qytetarët e Kosovës sepse edhe ata qytetarë të Kosovës që kanë pasaportat e Republikës së Serbisë, për ata nuk kanë vlen liberalizimi i vizave që vlen për qytetarët e Serbisë sepse në pasaportat e tyre, që mund të lëshohen vetëm në një zyre në Beograd, janë shenja që i dallojnë ato pasaporta nga pasaportat që janë lëshuar për rezidentë të Serbisë. Ata mund të jenë shtetas të Serbisë, të kenë dy shtetësi, por ata e kanë rezidencën në Kosovë. Si rezidentë të Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa liberalizim të vizave në vendet e Bashkimit Evropian. Prandaj, edhe ky është një rast si në Këshillin e Evropës, që nga anëtarësimi i Kosovës si shtet do të përfitonin të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe serbët e Kosovës. 

NP: A ke pasur rast të vlerësosh se çfarë mendojnë ministrat në Këshillin e Evropës lidhur me kundërshtimin që Serbia i bën këtij aplikimi? 

Palokaj: Kam biseduar me shumë diplomatë nga shumë shtete dhe është shumë lehtë të ndahen ata në taborë. Tabori kryesor mbështet Kosovën pa asnjë rezervë dhe ata janë ministrat që vijnë nga shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet. Përderisa, diplomatët nga vendet siç janë Spanja dhe Qiproja sidomos, deri diku edhe Sllovakia e Rumania e kundërshtojnë dhe thonë duhet pritur epilogun e dialogut që, kur Serbia të pajtohet të pajtohemi edhe ne. Greqia, nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ndoshta ka një qasje më fleksibile dhe ata, për momentin, duket se nuk e kundërshtojnë një gjë të tillë. Por, kemi disa diplomatë të Bashkimit Evropian që do të preferonin që kjo disi të lidhet me dialogun dhe që arrihet një pajtim një kuadër të dialogut sipas të cilit Serbia nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por, për mendimin tim, kjo është një pritje tepër, tepër naive nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, sepse Serbia, ashtu siç kemi parë edhe në këto vitet e fundit, asnjëherë nuk do të pranonte diçka që do t’i ndihmonte Kosovës, nëse Serbia nuk është e detyruar ta pranojë një gjë të tillë. Pra, për të pritur mirësjelljen e Serbisë dhe sjelljen e saj, që të lejojë Kosovën të integrohet në strukturat ndërkombëtare është tepër naive dhe mendoj se Kosova duhet të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare dhe kjo do ta shtynte Serbinë ta njeh realitetin. E realiteti është se Kosova është shtet e jo të pritet që Serbia ta pranojë Kosovën si shtet, e pastaj Kosova të ketë të hapura dyert për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare. 

NP: A mendon se Kosova po bën mjaft në fushatën e saj për këtë anëtarësim në Këshillin e Evropës apo duhet të bëjë diçka më shumë? 

Palokaj: Kosova po bën atë që mund ta bëjë, sepse strukturat, diplomatët e Kosovës kanë punë edhe në drejtime tjera. Por gjithsesi, asnjëherë nuk është mjaft. Nuk mjafton të bisedosh me një ministre, të kërkosh që ai shtet të mbështet anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe pastaj të mos bësh asgjë. Është një proces i cili kërkon një angazhim në vazhdimësi, në kontinuitet, nuk duhet ndërprerë asnjëherë përpjekjet por duhet të punohet me shtetet anëtare, jo vetëm me organizatat sepse, në fund të fundit, edhe në Këshillin e Evropës vendos Këshilli i Ministrave, ku janë ministrat e vendeve anëtare, vendoset në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës ku janë deputetët e vendeve anëtare dhe këtu duhet të gjithë të angazhohen; edhe qeveria, edhe diplomacia, edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës në kontakt me kolegët e tyre por edhe shtetet mike, ato shtete që e kanë njohur Kosovën, edhe Shqipëria si shtet që synon të ndihmojë Kosovën. Kemi shumë shtete mike dhe deputetët dhe diplomatët e tyre po angazhohen në këtë drejtim. Por, duhet të kemi parasysh se ky është një proces i cili kërkon kohë.