Fshati Jasenovik, në komunën e Novobërdës, është i banuar me shqiptarë dhe serbë. Në këtë fshat, në një ndërtesë funksionon shkolla “Sveti Sava”, për fëmijët që vijojnë mësimin në gjuhën serbe, dhe paralelja e ndarë e shkollës “Minatori”, për ata që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Përveç shqiptarëve dhe serbëve, në këtë shkollë mësojnë edhe nxënës të komunitetit rom, ashkalinjë dhe egjiptianë nga fshati Bostan.
New Prespektiva ka qëndruar në shkollën e fshatit, ku shqiptarët dhe serbët për rreth 20 vite me radhë i kanë lënë anash dallimet etnike dhe po i shfrytëzojnë të njëtat hapësira të shkollës së fshatit për mësim.
Që katër vite, mësimdhënësit shqiptarë dhe ata serbë e kanë fituar një projekt nga USAID-i që të kenë një orë të përbashkët në javë për nxënësit e tyre.
“Bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë; e kemi edhe një projekt ku çdo të premte e mbajmë një orë mësimore – aktivitet – ku merremi me punime të ndryshme. Unë e kam përfundu këtë trajnim në Shkup, ata të cilët na kanë mundësu, e kemi fitu projektin me mësuesen Sunçica në ciklin e ulët”, thotë mësuesja Morina në një bisedë për New Prespektivën.
Ajo shton se ky aktivitet i përbashkët është pritur mirë nga prindërit nga të dy komunitetet.
“Këtë aktivitet e kanë pritur mirë mësimdhënësit serbë, po ashtu edhe prindërit shqiptarë dhe ata serbë janë pajtuar që ta mbajmë këtë aktivitet. I kanë lejuar fëmijët e tyre dhe nuk kanë bërë probleme”, thekson mësuesja Morina.
“Punojmë së bashku me kolegët në gjuhën shqipe. Puna jonë e përbashkët është në rregull mes nesh. Pajtohemi mirë; nuk kemi asnjë mosmarrëveshje”, thotë drejtoresha Ristić.
Përndryshe, mësimi në këtë shkollë zhvillohet me ndërrime, siç tregon mësuesja Morina.
“Ne punojmë në ndërrimin e paraditës, cikli i ulët prej parafillor deri në klasën e katërt, kurse komuniteti serb punojnë pasdite prej orës 12:00 deri në orën 17:00. Klasët i kemi të ndara, kati poshtë ne punojmë, kurse ata në katin nalt, ndërsa zyrën e kanë poshtë. Shërbimet si tualetin, fushën e sportit, të gjithë bashkarisht i kemi”, thotë ajo dhe shton se asnjëherë nuk kanë patur probleme.
“Nxënësit luajnë futboll bashkë – kur vinë ata më herët ne kemi edukatë fizike, i bashkangjiten dhe luajnë pa problem”, tregon mësuesja Feime Morina.
Nëntëvjeçari Orges Selmani thotë për New Perspektivën se në orët e aktiviteteve të përbashkëta kalojnë mirë.
“Mirë po kalojna edhe në aktivitete shumë bukur po kalojmë. Lujna në ditën e premte, vizatojna. Folim shqip kapak, edhe ata kapak po folin shqip. Disa prej tyre i kam bërë shokë”, thotë vogëlushi nga fshati Tullar i Novobërdës, që vijon shkollën në Jasenovik.
Ndërsa mësuesja Hysnije Hamiti – Beqiri tregon se gjatë një ore që punojnë së bashku me komunitetin serb realizojnë aktivitete të ndryshme.
“Kemi pasur aktivitete për stinën e dimrit, festat e fundivitit. Bashkëpunimi është shumë i mirë, nxënësit çdo herë shprehin interesim që të bashkëpunojnë ndërmjet vete”, tregon mësja Hamiti–Beqiri, e cila thotë se interesimi i nxënësve është i madh për bashkëpunim.
Drejtoresha Verica Ristić thotë se kjo shkollë mund të jetë shembull i bashkëpunimit për të tjerët.
“Gjithmonë kemi punuar së bashku. Po, po, gjithçka është në rregull, nuk ka kurrfarë problemi. Nuk ka mosmarrëveshje. Respektojmë njëri-tjetrin. Mund të jemi shembull për të tjerët se si mund të shkojnë mirë serbët e shqiptarët”, thotë ajo, duke shtuar se ka disa kërkesa që duhet të plotësohen për këtë shkollë që të ketë kushte më të mira për të gjithë.
“Shkolla jonë ka pak nxënës, 17 gjithsejt. Vërtetë kemi nevojë për kushte më të mira. Edhe ne edhe mësimi në gjuhën shqipe. Që ta rregullojmë oborrin e shkollës… kohët e fundit shpesh nuk ka rrymë, na duhet një agregat. Komuna nuk tregon kujdes të mjaftueshëm as për shkollat në shqip, as për ato në serbisht”, thotë drejtoresha Ristić.
Ristić thotë se deri tani vetëm KFOR-i u ka dalë në ndihmë.
Në hapat e parë që bën për të hyrë në këtë shkollë vërehet vjetërsia e ndërtesës me kushte jo të mira.