Raporti më i fundit i Qeverisë së Kosovës mbi procesin e normalizmit vlerëson se procesi ka shënuar “përparim shumë të mirë”, por gjatë gjithë raportit mund të vërejmë se ai përparim ka dështuar në heqjen e shumë prej pengesave në implementim, dështim ky që zakonisht i atribuohet palës serbe. Raporti është i qartë në këmbënguljen e tij se strukturat paralele serbe ende nuk jane hequr tërësisht.
Autorja e raportit, Znj, Edita Tahiri, në përgjithësi thekson se dialogu i Brukselit është i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, normalizimin e marrëdhënieve bilaterale, integrimin e plotë të komunitetit serb në sistemin e Kosovës, për përparimin në procesin Euro-Atlantik, por ajo nuk duket se e përmend që ky proces është i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së njerëzve. Kjo pikë e fundit ishte një nga dy objektivat kyç të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Këto raporte sigurisht që janë të vlefshme por ky i fundit ofron pak të reja që nuk i kemi ditur. Keq që nuk ofron një vlerësim më të thellë të implikimeve të progresit dhe se si po e përmirësojnë ato jetën e qytetarëve të Kosovës. Integrimi duhet të jetë një arritje shoqërore e jo vetëm sistemike.
Znj. Tahiri ka ofruar hollësi interesante rreth punësimit që është gjetur për ish-pjesëtarët e Mbrojtjes Civile që operonte më parë në veri. Ky është një shembull i mirë se si Qeveria e Kosovës i ka implementuar obligimet e saj dhe ka bërë përpjekje me përkushtim për t’i hapur dyert për punësimin e këtyre njerëzve, siç edhe kanë thënë se do të bëjnë. Ajo gjithashtu jep informacion rreth implementimit të Marrëveshjes për Gjyqësorin por thekson me të drejtë se ka probleme rreth stafit mbështetës të gjykatës. Kjo është e vërtetë dhe mbase është një dështim nga marrëveshja origjinale pasi që këto nivele nuk jane diskutuar në Bruksel. Gjithashtu vlen të përmendet se si Qeveria deshi një ndryshim në formulimin e konkurseve për postet ende të paplotësuara për gjykatës dhe prokurorë. Ky mund të jetë një pranim se ek-skluziviteti etnik i raundit të parë ka qenë një gabim.
Sa i përket Marrëveshjes për parimet themelore për krijimin e Asociacionit të komunave me
shumicë serbe, AKS, autorja e raportit thekson sërish se është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës por nuk shkon më larg për të bërë përpjekje për të shpjeguar pse është kështu. AKS përshkruhet si një institucion i cili do t’i ndihmojë “komunat në realizimin e çështjeve lokale”. Nuk është një organ vendimmarrës. Opozita kosovare, në veçanti Vetëven-dosje, po përdorë metoda ekstreme joparlamentare jo vetëm për të kundërshtuar Marrëveshjen por për të kërkuar që Qeveria të tërheqë nënshkrimin nga kjo marrëveshje. Është e çuditshme se si znj. Tahiri nuk ka dhënë një argument më të fortë në favor të qeverisë në këtë raport dhe në fakt vetëm ka përsëritur përmbajtjen e dokumentit të saj përmbledhës të fundit të gushtit. Roli i Asociacionit është i qartë në ligjet e Kosovës, duke përfshirë Statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës i cili e përshkruan këtë institucion si organizatë joprofitabile që i përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj.
Opozita po e akuzon Qeverinë për krijimin e një situate ku po krijohet një nivel i ri i qeverisjes në Kosovë, por kjo akuzë është e bazuar kryesisht në deklarata dhe supozime pa analizë të vërtetë a hollësi, pa argumente reale. Ky politizim i cekët është duke minuar çdo bashkëjetesë ekzistuese mes komuniteteve apo integrim dhe po nxit nacionalizëm, e rrjedhimisht edhe jostabilitet. Pajtohem plotësisht me vërejtjet në analizën e ECMI-së më herët këtë muaj që shpreh keqardhje për parullat sipërfaqësore pro ose contra të atyre deklaratave.
Kjo marrëveshje është nënshkruar më 25 gusht këtë vit dhe përmban një klauzolë që thekson se një statut duhet të hartohet brenda 4 muajve nga data e nënshkrimit, nga Ekipi Menaxhues, i cili përbëhet nga njerëz të emëruar nga Beogradi. Kjo ishte para gadi dy muajsh. Raporti nuk thotë asnjë fjalë në lidhje me përparimin në këtë drejtim.
Ndër ankesat kryesore që ka pala kosovare është ajo që ata e shohin si qasje jo e sinqertë e qeverisë serbe e cila publikisht e mbështetë Marrëveshjen e Brukselit, ndërsa në terren ende i përkrahë dhe financon strukturat paralele. Kjo pa dyshim që është e vërtetë por është për të ardhur keq që raporti nuk ia ka dalë të ofrojë më shumë prova siç e pranon – Qeveria e Koso-vës “nuk ka qenë në gjendje të gjejë prova të hollësishme”. Nuk mund të thuash se diçka është duke ndodhur e pastaj të mos ofrosh prova për ta dëshmuar atë. Kjo është disi e pabesueshme, dhe gjithsesi duhet shtruar pyetja përse. Instituti GAP duket se ia ka dalë të ofrojë informacion më relevant në raportin e tij të fundit mbi qeverisjen në katër komunat e veriut.
Raporti përsërit atë që znj. Tahiri e ka thënë publikisht se Asociacioni nuk do të themelohet derisa nuk hiqen tërësisht strukturat paralele. Ajo gjithashtu thekson në raport se BE-ja i kup-ton kërkesat e Kosovës dhe është përgjigjur pozitivisht duke lejuar Grupin Punues trepalësh të mblidhet në Bruksel për të zgjidhur këtë çështje. Por jo më shumë.
Si gjithmonë në vlerësimet e mia mbi këto raporte janë dy pika të cilave unë gjithmonë u kthehem. Njëra është Fondi i Zhvillimit të Veriut. Tahiri nuk thotë më shumë sesa që ne dimë nga mediat; në fakt thotë më pak. Ajo thotë se komuna e Mitrovicës Veriore do të marrë 1.5 milion euro për zhvillimin socio-ekonomik të asaj komune. Por, ne e dimë se të katër krye-tarëve të komunave u është kërkuar të dorëzojnë propozimet e tyre fillestare në maj. Pse raporti nuk e përmend se çfarë ka ndodhur në tri komunat tjera, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok? Progresi apo mungesa e tij nuk mund të trajtohet përciptas.
Pika tjetër është marrëveshja për njohjen e diplomave universitare, e nënshkruar para pak ditësh, e që është thelbësore për të rinjtë kosovarë që të mund të gjejnë punë. Raporti thotë se marrëveshja e 2011-s ka dështuar plotësisht, duke e fajësuar ekskluzivisht Serbinë. Kjo është disi për të ardhur keq pasi që vetë pala kosovare ka mundur të marrë më shumë iniciativë. Në prill ajo njoftoi se kishte një koncept dokument rreth diplomave të Universiteti të Prishtinës të bartur në Mitrovicë por pas kësaj nuk u tha më asgjë. Ky ishte një rast i humbur i Prishtinës për të treguar përkushtim real për integrimin. Megjithatë, kjo marrëveshje e re për diplomat është arritur, edhepse jo shumë e përshtatshme për të diplomuarit. Ajo u kërkon poseduesve të diplomave të cilët duan të aplikojnë për punë ose të punësohen (që quhet njohje profesionale) të bëjnë një aplikim formal për njohje të diplomës për të cilën duhet të paguhet dhe mund të zgjasë deri në tre muaj. Njohja akademike u kërkohet të diplomuarve që duan të bëjnë stu-dime pasuniversitare, e ky proces mund të zgjasë deri pesë muaj.
Ky raport ishte i shkruar në anglisht dhe më duhet të pranoj se kishte vende ku kisha vështirësi ta kuptoja. Gjuha është e fryrë dhe e paqartë. Gjithashtu pata përshtypjen se ishte shkruar, ose thënë më mirë, hartuar me nxitim dhe më la përshtypjen e kopjimit dhe bartjes së tekstit. Kjo është disi për të ardhur keq sepse nëse është i paqartë në origjinal ai do të pësojë edhe më shumë gjatë përkthimit.
Si përfundim dua të them se përderisa këto raporte janë sigurisht të vlefshme, paqëndrueshmëritë e tyre dhe herë-herë mënyra sipërfaqësore e të shkruarit i shtojnë lexuesit mosbesim tek përmbajtja. Do t’ia vlente që të shtohet informimi, duke ofruar më shumë hol-lësi dhe vlerësim të impaktit, posaçërisht duke pasur parasyshë që publiku ende ndihet i painformuar dhe beson se ka mungesë të transparencës.
12 tetor 2015