Referendumi pa pikëpyetje 

Në Referendum, doli se qytetarët serbë kishin votuar “pro” ndryshimeve kushtetuese. Por, çka ishte i gjithë ky episod? Nuk ma merr mendja se ishte tjetërçka përveçse një tjetër lojë pingpongu, krejtësisht i parëndësishëm, dhe i bërë në mënyrë që të nxirreshin avantazhet e mundshme para popujve respektivë (shqiptarëve dhe serbëve) dhe para Bashkësisë Ndërkombëtare.

0
157

Kur lexova për herë të parë titullin e lajmit se Serbia do ta mbante një referendum për të ndryshuar Kushtetutën, paragjykova mos kjo kishte të bënte me heqjen e preambulës për Kosovën. “A jeni në favor që Preambula për Kosovën të hiqet nga Kushtetuta e Serbisë?” – ishte pyetja imagjinare. Por, jo! Ajo kishte të bënte me mënyrën se si emëroheshin gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Pra, udhëheqësia serbe po e pyeste popullin serb nëse pajtohej që në kuadër të ecjes drejt Bashkimit Evropian (BE), gjyqtarët dhe prokurorët të emëroheshin sipas standardeve evropiane.

Parimisht, nuk duket se ka gjë të keqe në një referendum të tillë. Por, vetëm parimisht. Në të vërtetë, rrethanat na tregojnë që kemi të bëjmë me një banalitet tjetër nga pushteti serb. Kuvendi i Serbisë me 2/3-at e kishte miratuar këtë ndryshim vitin e kaluar, dhe pas pak kohe për të rikonfirmuar vullnetin popullor ishin mbajtur edhe zgjedhjet parlamentare. Për më tepër, në prill do të ketë sërish zgjedhje dhe sërish populli serb do të shprehë vullnetin e tij, mes tjerash edhe për këtë çështje. Çka duhej ky referendum? Përveç kësaj, çështja në fjalë – nëse ndryshimi do të depolitizonte përnjëmend gjyqësorin – nuk mund t’i binte në akord madje as ekspertët e fushës.

Në Mitrovicë të Veriut, ditën e Referendumit, nuk pati ndonjë protestë serioze që vlen të përmendet kundër refuzimit që i bëri Kosova mbajtjes së tij në territorin tonë. Pyetja se si duhen emëruar prokurorët dhe gjyqtarët, se si mund të depolitizohet gjyqësori, ndoshta ishte e pakuptimtë për qytetarët tanë serbë. Si mund të mendoje për kapjen e gjyqësorit nga politika kur edhe vet si njerëz ishin kapur e ndrydhur nga politika?

Por, përkundër mungesës së protestës dhe mungesës së pakënaqësisë te qytetarët serbë, të pakënaqur mbetën zyrtarët e Bashkësisë Ndërkombëtare. Një ditë para Referendumit, ose dy, ambasadorët e vendeve të QUINT-it u takuan me krerët e tri institucioneve kryesore të vendit, kryeministrin, kryekuvendarin dhe presidenten. Nuk dihen arsyet pse ndërkombëtarët e shohin si normale praktikën ku lejohet shkelja e sovranitetit të Kosovës, por paragjykimi se kjo bëhej për të evituar trazirat doli të ishte thjesht një paragjykim. Nuk ndodhi asgjë!

Para se të mbahej Referendumi, në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi prej Kuvendit që me anë të një rezolute t’i kërkonte atij që ta respektonte Kushtetutën për çështjen në fjalë. Ta riformulojmë: Kryeministri i kërkoi Kuvendit që t’i kërkonte atij respektimin e Kushtetutës së Kosovës. Kësaj here, çështja mund të mos ketë qenë thjesht te spektakli dhe folklori. Besohet se e gjitha kishte të bënte me shkarkimin e një pjese të përgjegjësisë për ndalesën nga vetja.

Dhe opozita e mbështeti këtë kurs veprimesh. Në anën tjetër, Kurti u frye se kishte mbrojtur sovranitetin e vendit. Por, cilin sovranitet? Po flasim sërish për të njëjtin shtet dhe për të njëjtin kryeministër që i paguan rrymën serbëve në Veri të Kosovës. Po flasim për të njëjtin shtet që nuk e kontrollon efektivisht pjesën e veriut të Mitrovicës, dhe që është i detyruar të mbajë në kabinetin qeveritar një ministër si Goran Rakić që vazhdimisht bën thirrje anti-kushtetuese.

Në Referendum, doli se qytetarët serbë kishin votuar “pro” ndryshimeve të lartpërmendura kushtetuese.

Por, çka ishte i gjithë ky episod? Nuk ma merr mendja se ishte tjetërçka përveçse një tjetër lojë pingpongu, krejtësisht i parëndësishëm, dhe i bërë në mënyrë që të nxirreshin avantazhet e mundshme para popujve respektivë (shqiptarëve dhe serbëve) dhe para Bashkësisë Ndërkombëtare.  


Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.