Thënë sinqerisht, unë personalisht e kam shikuar propozimin e bashkësisë së komunave serbe përmes prizmit të Republika Srpska-s. E di që ky mendim i imi personal i ka shqetësuar të gjithë lexuesit, por çdo model apo koncept tjetër përveç këtij, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, nuk mund të jetë plotësisht i favorshëm për komunitetin serb në Kosovë. Ndoshta, sikur ne si përfaqësues të serbëve ta kishim pranuar planin e Ahtisaarit shumë kohë më parë, Republika Srpska e re në Ballkan do të ishte e sigurt. Kështu, në vitin 2023, atë ide mund ta harrojmë.
Megjithatë, pas një vargu të gjatë të viteve të monitorimit intensiv të zhvillimit të situatës politike në Kosovë, unë jam i mendimit se ideja e krijimit të një bashkësie të komunave serbe, sipas cilitdo model, është prapë një fitore e korrur dhe duhet ta vlerësojmë. Unë e di dhe e kuptoj absolutisht se bashkësia nuk do të funksionojë në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe aktet nënligjore të Republikës së Serbisë, por atyre të Kosovës, por pa marrë parasysh të gjitha këto, bashkësia i jep një mundësi minoritetit serb në Kosovë për të udhëhequr, krijuar dhe projektuar jetën e tij të përditshme rreth gjërave që kanë të bëjnë me jetën e banorëve të atij territori në mënyrën më të mirë të mundshme dhe është një parim që mund të jetë i favorshëm për të gjithë.
Nëse do të formohet apo jo, kjo varet nga zbatimi i marrëveshjes gjermano-franceze dhe aneksit për zbatim, të cilin të dyja palët e pranuan në parim para disa ditësh në Ohër, edhe pse zyrtarisht nuk e kanë nënshkruar, kështu që do të shohim në periudhën në vijim se kur dhe në cilin vend i njëjti do të verifikohet. Shansi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në takimin e zhvilluar me ndërmjetësuesit perëndimorë në dialogun në Maqedoni, kësaj radhe u humb. Por një gjë e rëndësishme që dihet përgjithësisht është se ne si serbë nuk kaluam aq mirë një herë kur e nënshkruam Marrëveshjen e Kumanovës në vitin e largët 1999, të cilën në atë moment të gjithë e shikonim dhe e konsideronim si një marrëveshje shpëtimi, dhe pas 20 vitesh, të gjithë ne kolektivisht e kuptuam se ajo ishte gjithçka tjetër veçse jo një marrëveshje shpëtimtare dhe e mirë. Për fat të keq, ajo doli të ishte e pafavorshme. Situata është e ngjashme edhe tani. E njëjta marrëveshje të cilën ne të gjithë e shohim si një marrëveshje shpëtimtare përsëri u desh të nënshkruhej në Maqedoni, por vetëm se këtë herë në një qytet tjetër.
Sido që të jetë, unë jam i mendimit se e vetmja gjë që ka rëndësi është se diçka po ndodh dhe që ka përpjekje në çdo mënyrë që të ecet përpara dhe të ndryshohen gjërat. Më e keqja nga e gjithë kjo është kur situata është në status quo, ku asgjë nuk ndodh dhe koha shkon e rrjedh kot. Duke dëgjuar Gabriel Escobar-in, duket qartë se pritet që shumë shpejt t’i vihet pikë gjithë kësaj historie. Në dëm të përfaqësuesve serbë, ai e bëri të qartë se bashkësia e komunave serbe nuk do të jetë një Republika Srpska e re dhe ne mund ta heqim kolektivisht atë iluzion nga kokat tona. Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të përcaktohet me status dhe ajo do të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por ai gjithashtu vuri në dukje se ekziston një mënyrë për të krijuar një model për Bashkësinë që nuk krijon një Republika Srpska. Escobar thekson se i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajčak, ofroi 16 modele të rregullimeve të ngjashme brenda Bashkimit Evropian që nuk ndikuan në funksionalitetin ose kushtetutshmërinë e atyre vendeve. Ai shton se një nga gjërat më të rëndësishme në të cilat do të çonte Bashkësia është krijimi i lidhjeve mes popullatës, e cila, siç tha ai, ndonjëherë ndihet e izoluar dhe e margjinalizuar, dhe Qeverisë qendrore. Ai theksoi se në fakt fjala është për shërbime komunitare dhe jo për funksione ekzekutive. “Ne po flasim për ofrimin e shërbimeve për njerëzit në gjuhën e tyre. Pra, Bashkësia do të merrte përsipër shërbimet e siguruara aktualisht nga Serbia dhe do t’i vendoste ato nën kornizën ligjore të Kosovës. Kështu duhet të jetë dhe kështu do të jetë,” shpjegon Escobar.
Po ashtu, ai ka theksuar se do të ketë presion ndaj Serbisë që të ndalojë përkrahjen e strukturave paralele, sepse kështu është cekur në marrëveshje, por shton se ekziston mundësia që Serbia të financojë aktivitete kulturore dhe arsimore.
Duke i lexuar të gjitha këto deklarata, arrihet deri tek konkludimi që ndërmjetësuesit në negociata dëshirojnë të përjashtojnë Beogradin zyrtar nga ndikimi mbi popullatën në pjesën veriore të Kosovës dhe enklavat, kurse nga ana tjetër dëshirojnë që atë aktivisht ta përfshijnë në jetën e tyre kulturore dhe në financim, që do t’u ndihmonte në një lloj mbijetese në vatrat e tyre.
Nga këndvështrimi im, kjo është shumë e vështirë për t’u bërë sepse mendoj se për çdo situatë që nuk është e pranueshme për Kosovën do të pritet që serbët t’i mbështesë Beogradi zyrtar, financiarisht ose në ndonjë mënyrë tjetër. Domethënë Kosova ndonjëherë do të sillej ndaj serbëve si nënë e ndonjëherë si njerkë kështu që, në këtë rastin e dytë, nëna “biologjike” do të duhej të ndërhynte për t’u ndihmuar. Unë personalisht shpresoj që çështje të tilla të rëndësishme të mos mbeten të pashprehura deri në fund dhe që ato të përcaktohen në një nga ato 16 propozimet në mënyrë të qartë dhe të vendosur.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.