Res Britannica

Gjatë këtij muaji kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje ashtu ta quajmë historike për të gjitha vendet e regjionit – natyrisht bëhet fjalë për vizitën e çiftit mbretëror britanik, Princit trashëgimtar të fronit dhe bashkëshortes të tij, Dukeshës së Kornuollit.

0
1071

Gjatë këtij muaji kemi qenë dëshmitarë të një ngjarjeje ashtu ta quajmë historike për të gjitha vendet e regjionit – natyrisht bëhet fjalë për vizitën e çiftit mbretëror britanik, Princit trashëgimtar të fronit dhe bashkëshortes të tij, Dukeshës së Kornuollit.

Vizita në regjion nënkuptoi vizitën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që dolën nga shpërbërja e RSFJ-së. Duhet të pranojmë që vizita nuk përfshiu Slloveninë, BeH dhe Maqedoninë, por vendet që gjatë disa viteve të fundit kanë qenë më aktive në procesin e anëtarësimit në BE.

Ajo çka mund të duket interesante është edhe ajo që si pjesë kryesore e vizitës u zgjodh Beogradi në të cilin çifti mbretëror qëndroi dy ditë gjatë të cilave i vizitoi shumë pika me interes të qytetit, si dhe atë që gjatë vizitës në Serbi çifti i përmendur vizitoi edhe disa manastire jashtë Beogradit. A bëhet fjalë këtu vetëm thjesht për kureshtje turistike apo për diçka tjetër nuk do ta marrim vesh kurrë sepse vetë vizita gjatë tërë kohëzgjatjes së saj ishte e mbuluar me një vello të fshehtësisë. Sido që të jetë, vizita në Serbi mbeti me përshtypje të pashlyeshme për këtë.

Takimet me Kryetarin dhe Kryeministrin mbetën në hije të takimit të Princit Çarls dhe Partiarkut Irinej. Ai takim, me sa pamë ne, ishte shumë më tepër se protokolar, sepse duhet të cekim që trashëgimtari i fronit, Çarls, është njohës i mirë i ortodoksisë, por edhe i religjioneve tjera, si dhe atë që ai gjatë tërë jetës së tij aktivisht është angazhuar për të drejtat e komuniteteve religjioze në botë. Takimi me Patriarkun ishte i vetmi që përfshiu edhe një shëtitje të shkurtër, nëse nuk e marrim parasysh vizitën në Kalemegdan. E tërë kjo na sjell tek dilema nëse vizita ishte e karakterit politik apo religjioz sepse duhet të cekim që edhe gjatë vizitës në Kosovë Princi Çarls vizitoi edhe kishën ortodokse të Zonjës së Bekuar Levishka, e cila është nën mbrojtjen e UNESKO-s dhe e cila u dëmtua gjatë valës së dhunës në mars të vitit 2004.

E tërë kjo nuk do të ishte aq interesante po qe se krejt kjo nuk do të mund të shikohej edhe si një lloj promovimi i regjionit si një vend ku ia vlen të jetohet edhepse të gjithë kemi kaluar nëpër një kohë vuajtjesh dhe krajatash pa marrë parasysh nacionalitetin, përkatësinë fetare apo çkado tjetër. A ka nevojë që këtë të na e tregojë dikush nga anash apo edhe ne vetë jemi të vetëdijshëm për këtë, mbetet ta shohim në të ardhmen sepse distanca kohore është gjithmonë e dëshirueshme kur gjykojmë për gjëra të tilla. Edhe çifti mbretëror gjatë vizitave në Zagreb, Beograd, Podgoricë dhe Prishtinë shumë herë e vuri këtë në dukje, edhepse kjo për fat të keq nuk pati jehonë të madhe gjë që vetëm tregon se në çfarë mënyrë raportohet për ngjarje të tilla. Derisa në Zagreb gardën e nderit e përshëndeti në gjuhën kroate, ashtu edhe në Beograd pjesën hyrëse të fjalimit të tij e tha në gjuhën serbe. Kjo flet për madhështinë e atij vetë, por edhe për neve, për gjuhën tonë, kulturën dhe të gjitha të tjerat. Për fat të keq, derisa për të tjerët gjuha dhe kultura jonë është tejet interesante, të njëjtat për neve janë gur në të cilin marrim në thua. Ndoshta kjo është pikërisht arsyeja që pjesën më të madhe të historisë e kemi kaluar nëpër llogore dhe në luftë se sa në paqe dhe liri. A do të ndihej edhe ai i cenuar nëse p.sh. gjatë vizitës në Kosovë do t’i thoshte disa fjalë në gjuhën serbe, apo nëse në Beograd ekspozenë e tij ta fillonte në shqip? Sinqerisht të them nuk besoj, sepse te huajit i tolerohet gjithçka kurse fqinjit asgjë. Fatkeqësisht kështu është, deshëm ne ta pranojmë këtë apo jo. E tërë ajo urrejtje dhe përbuzje edhe na kanë sjellë në këtë gjendje që jemi, por ne këtë nuk duam ta kuptojmë dhe pranojmë.

Gjatë vizitave nëpër qytetet e lartpërmendura dhe pikave me interes për t’u parë, çifti mbretëror u prit me respekt të madh të cilin gjithsesi edhe e kanë merituar me punën dhe angazhimin e tyre, por shihet se vizita në Kosovë kaloi mjaft e pavërejtur dhe me një ton disi të ftohtë i cili aspak nuk i përgjigjet rëndësisë dhe lartësisë së ngjarjes, edhepse është dashur të jetë krejtësisht e kundërta. Fatkeqësisht nuk ishte ashtu. Natyrisht që gjatë vizitës në Kosovë trashëgimtari i fronit u prit nga presidentja dhe me këtë rast u dekorua, por gjithsesi kjo është pak në krahasim me tërë atë që ai ka bërë për Kosovën. Edhepse jam serb dhe do të duhej të jem i kënaqur që është kështu, jam i brengosur për arsyen e thjeshtë që faktorët politik që na udhëheqin nuk e njohën momentin dhe nuk vepruan në përputhje me atë moment. Natyrisht jam i kënaqur që edhe gjatë vizitës në Kosovë Princi Çarls vizitoi tempullin ortodoks dhe u takua me Peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosijen, dhe që, edhepse shkurtazi, u njoftua me vuajtjet e popullit tim dhe kulturës sime në Kosovë, por vizita e tij ka pasur një rëndësi shumë më të madhe se e tërë kjo.

Kosova ka pretendime që në një të ardhme të afërt të jetë në shoqërinë e vendeve të zhvilluara e të qytetëruara të Evropës, por një gjë edhe tani është e sigurt, me përfaqësuesë të këtillë as shqiptarët e as serbët nuk do të shkojnë shumë larg. Ndoshta fjalët e mia janë tepër të ashpra, por edhe njëri edhe tjetri jemi të vetëdijshëm për këtë, vetëm se dallimi është se cili është më i gatshëm t’ia pranojë atë vetes, apo, për më tepër, kush është i gatshëm ta ndryshojë këtë.