Rezultati i dialogut si rrjedhim i vullnetit politik të liderëve shtetërorë

Legjitimiteti politik i Kurtit dhe Vučić-it, potenciali për ripërkufizim të procesit nga ana e tyre dhe momentumi pozitiv, sipas BE-së, i këtij procesi duhet të shërbëjnë si motive të qarta për të dy liderët që, ndonëse me kompromise, të punojnë në drejtim të finalizimit të procesit.

0
22

Procesi i dialogut, shikuar nga një kënd idealist, do të duhej të kulmonte me një zgjidhje të përbashkët mes dy shteteve që do përfundonte me njohje reciproke, dhe si rrjedhojë do t’i kontribuonte edhe tërë rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Megjithatë, deri më tani, nuk duket se ekziston një zgjidhje optimale si rezultat i këtij procesi dhe, në çdo kalkulim, të dy palët do të duhej të bënin kompromise, ndoshta edhe të dhimbshme. Në këtë drejtim mund të arrihet një konkludim që zgjidhja eventuale do të jetë e mangët dhe se detyrimisht do të vijë vetëm nga vullneti politik i liderëve të të dy shteteve.

Së pari, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë ardhur në pushtet me fitore përgjithësisht bindëse. Në këtë mënyrë, duke parë që të dy si liderë gëzojnë legjitimitet të lartë në popull dhe duke supozuar që kështu populli ka një lloj “animi (bias) pozitiv” ndaj vendimeve të tyre, mund të shpresojmë që të dy ata kanë hapësirën e mjaftueshme për të marrë vendime për kompromise eventuale që do të mund të shpejtonin arritjen e ndonjë zgjidhjeje në procesin e dialogut. Po ashtu, duke patur parasysh edhe situatën socio-ekonomike të të dy shteteve, mund të hipotezojmë me një shkallë të kënaqshme të sigurisë që vendimet për kompromise do të mund të kalonin pa ndonjë pasojë të rëndë për karrierën politike të të dy liderëve. Shikuar nga ky prizëm, të dy, Kurti dhe Vučić kanë hapësirën e duhur për të zhbllokuar situatën e tanishme.

Po ashtu, në ndërlidhje me argumentin se vullneti politik i liderëve përkatës është kriter themelor për këtë proces është edhe fakti se kjo varet nga vetë mënyra se si do e konceptojnë Vučić dhe Kurti zgjidhjen eventuale të kësaj çështjeje. Njohësi i Bashkimit Evropian dhe procesit të dialogut, Augustin Palokaj, shprehet me tone optimiste lidhur me prirjen fillestare të dy liderëve për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Lidhur me takimin e fundit Kurti-Vučić, Palokaj vazhdon kështu: “Ajo çka është thënë nga BE-ja është se takimi ka qenë shumë i vështirë, që më shumë ka pasur mospajtime sesa pajtime, por se një burim i BE-së ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur takim më të mirë midis Kurtit dhe Vuçiqit sepse për herë të parë kanë shfaqur pikëpamjet e tyre se si e shohin normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe ndonëse nuk është arritur një rezultat konkret, thuhet se vetë fakti se e kanë kuptuar se duhet të punojnë se bashku për t’i ulur tensionet konsiderohet një lajm i mirë për BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare”. Pra, pa marrë parasysh ndërhyrjen ndërkombëtare, dialogu padyshim që do formësohet nga vetë këta dy liderë.

Vullneti politik i të dy liderëve tani duhet të jetë konstruktiv edhe duke parë faktorët e jashtëm në këtë proces. Konsiderohet që tani, më shumë se përpara, ekziston një vullnet i qartë i Bashkimit Evropian për “të filluar diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”. Duhet të theksohet se BE po ashtu konsideron se shumë prej problemeve që shfaqen në terren ndërlidhen me mospajtimet mes shteteve sa i përket normalizimit të raporteve. Kështu, me këtë lloj momentumi të vetëshpallur nga ana e Bashkimit Evropian, Kurti dhe Vučić duhet që tashmë të kenë parasysh që rrethana të tilla politike sa i përket procesit të dialogut mund të mos përsëriten, e edhe më keq, që parashikimet mbi të ardhmen e procesit varen nga shumë faktorë tjerë tashmë të panjohur. 

Liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë veçanërisht të prirur për të vepruar në atë mënyrë që çon përpara procesin e dialogut. Kjo dëshmon se sa i rëndësishëm është vullneti politik i liderëve që një proces i tillë të përmbyllet. Legjitimiteti politik i Kurtit dhe Vučić-it, potenciali për ripërkufizim të procesit nga ana e tyre dhe momentumi pozitiv, sipas BE-së, i këtij procesi duhet të shërbëjnë si motive të qarta për të dy liderët që, ndonëse me kompromise, të punojnë në drejtim të finalizimit të procesit.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.