Sipas raportimeve të fundit, takimi i zhvilluar në Ohër këtë muaj mund të themi që, më tepër se sa të perceptohet si një sukses i radhës në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një valë të re të konfuzionit në këtë proces mes dy shteteve. Më saktë, duket që në vend se të kemi arritje të një natyre ligjërisht obligative bëhet fjalë për një marrëveshje e cila në rastin më të mirë paraqet zotim për të vepruar, por që lehtësisht mund të degradojë në retorikë.
Së pari, duhet theksuar që marrëveshja mes shteteve nuk është nënshkruar edhe pse është bërë presion nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian që ta nënshkruajnë si marrëveshjen ashtu edhe aneksin për zbatimin e saj. Kjo nënkupton që në këtë pikë nuk bëhet fjalë për një arritje e cila është ligjërisht e obligueshme dhe që, rrjedhimisht, duhet bërë përpjekje indirekte për të shndërruar një marrëveshje të tillë në një dokument obligativ sa i përket implementimit. Kjo do të duhet të arrihet për Serbinë përmes Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian duhet të përdorë parimisht metodën klasike të kushtëzimit të dy shteteve përmes pengesave ose lehtësimeve eventuale në drejtim të procesit të anëtarësimit të dy shteteve në këtë strukturë. Megjithatë, një gjë e tillë në të njëjtën kohë arrin që të minojë rëndësinë e një dokumenti që për momentin të jetë baza e rregullimit të raporteve mes shteteve.
Që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë (të paktën deri në këtë fazë) rrezikon të jetë vetëm retorikë në një formë apo tjetër na konfirmohet edhe nga deklarata e Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. “Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha Borrell, duke aluduar në një natyrë obligative të kësaj marëveshje. Megjithatë, në lidhshmëri me tezën e këtij shkrimi që një marrëveshje e tillë rrezikon të jetë tani për tani vetëm retorikë është e kaluara e këtij procesi në përgjithësi. Shtetet në këtë proces të tillë jo rrallë herë kanë ditur të mosrespektojnë marrëveshjet e arritura së bashku dhe kjo më pas ka ndikuar direkt që procesi i dialogut të përballet me pak progres.
Një element tjetër që duhet konsideruar në këtë drejtim është edhe fakti që të dyja shtetet kanë një tendencë për të interpretuar marrëveshje të tilla. Në fakt, deri më tani, në procesin e dialogut jo rrallë ka patur probleme të natyrës konceptuale ku shtetet kanë ditur që të bëjnë eksperimente lidhur me atë se si duhet të emërtohen apo edhe konsiderohen procese të ndryshme në kuadër të dialogut. Edhe vetë marrëveshja e arritur inkorporoi termin “vetëmenaxhim” i cili praktikisht aludonte për formimin e asociacionit të komunave. Një gjë e tillë jo vetëm që ka lënë shumë hapësirë për diskutim nga përfaqësuesë të ndryshëm të partive politike dhe analistë por, në të njëjtën kohë, ka afirmuar edhe natyrën jo rrallë shumë fluide të marrëveshjeve të tilla. Kur kësaj i shtohet (deri në këtë pikë) mungesa e obligimit ligjor, atëhere kemi të bëjmë me rrezik real për injorimin e një marrëveshjeje të tillë.
Marrëveshja e arritur në Ohër, ndonëse e parë me tone optimizmi nga pjesëmarrësit, duket që vërtetë nuk ka substancë. Më saktë, duhet patur parasysh që ende nuk kemi të bëjmë me një dokument të nënshkruar por veçse të dakorduar – kemi shumë hapësirë që një arritje e tillë lehtësisht mund të injorohet nga shtetet. Historia e dialogut deri më tani dhe progresi i ngadaltë janë argumente të forta për të qenë skeptikë ndaj zotimeve të palëve të përfshira deri më tani dhe vetëm përmes mekanizmave të fortë ligjorë mund të shpresojmë për implementim të suksesshëm.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
Rreziku i reduktimit të arritjeve mes Kosovës dhe Serbisë në retorikë
Historia e dialogut deri më tani dhe progresi i ngadaltë janë argumente të forta për të qenë skeptikë ndaj zotimeve të palëve të përfshira deri më tani dhe vetëm përmes mekanizmave të fortë ligjorë mund të shpresojmë për implementim të suksesshëm.