Shënimi i muajit

0
221

Një takim i nivelit më të lartë pritet të mbahet më 18 gusht në Bruksel në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd.

Borrell njoftoi se kishte ftuar Kurtin dhe Vučićin për takim pas tensionimit të gjendjes në veri të Kosovës, një ditë para fillimit të zbatimit të vendimeve të qeverisë së Kosovës për riregjistrim të automjeteve me targa RKS dhe për masën e reciprocitetit në vendkalimet kufitare për të pajisur me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të identifikimit “çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.”.

Për të ulur tensionet, fillimi i zbatimit të këtyre masave u shty për datën 1 shtator, pas kërkesës  së qeverisë së SHBA për të mundësuar që vendimet e qeverisë së Kosovës të kuptohen më mirë “sepse duket se ka keqinformim, keqkuptim dhe dezinformim”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, theksoi se “nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës këto vendime janë plotësisht me vend dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë brengë ose shqetësim për këto vendime.” Vërejtjeve të opozitës kosovare se nuk kishte pasur koordinim me SHBA-në, Hovenier iu përgjigj në twitter duke theksuar se masat “ishin koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare”.

Një takim mes Kurtit dhe Vučićit ishte paralajmëruar se mund të zhvillohej edhe në korrik por ai nuk ndodhi.

Në korrik, për Dialogun u bisedua edhe në Uashington, në takimin që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Kurti. Me këtë rast u theksua “rëndësia e tij për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën drejt integrimit euro-Atlantik”.

Para tensionimit më të fundit të situatës, përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, të cilit këtë muaj iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera (deri më 31 gusht 2024), tha se “janë tri ose katër marrëveshje në një fazë shumë të afërt të finalizimit”.

Një prej marrëveshjeve të mundshme është ajo për të pagjeturit, për të cilën Lajčak tha se “jemi dy fjalë afër ose larg marrëveshjes”. Se për cilat fjalë ishte fjala, këtë e bëri të ditur kryeministri Kurti, në një konferencë për media, në Prishtinë. Ai tha se dallimi mes palëve ishte rreth termit “të zhdukur me dhunë”, sepse “Beogradi insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ne kërkojmë që kjo të theksohet që është bërë me dhunë”.

Gjatë korrikut u njoftua se kompania “Elektrosever”, e licencuar sipas marrëveshjes, ka shkelur disa afate të përcaktuara me Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të cilin palët e miratuan në muajin qershor.