Shënimi i muajit

0
40

Takimi i nivelit të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në Bruksel, më 18 gusht, në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), nuk dha rezultat menjëherë. Por, i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajčak, i shoqëruar nga i  dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, intensifikuan përpjekjet duke vizituar Prishtinën dhe Beogradin. Disa ditë më vonë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrel, bëri të ditur se ishte gjetur “një zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin midis Kosovës dhe Serbisë, që është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”. Borrell falënderoi Kurtin dhe Vučićin për lidershipin e tyre dhe theksoi “bashkëpunimin e shkëlqyeshëm praktik BE-SHBA”.

Duke falënderuar “ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan [në Kosovë, Jeffrey] Hovenier për angazhimin dhe kontributin”, Kurti njoftoi se “qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”. Ai shtoi se “zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”.

Nga ana e tij Vučić tha se “marrëveshja ishte gojore. Ajo me shkrim ishte arritur më 2011. Ne kemi luftuar që të përmirësojmë diçka dhe kemi arritur të përmirësojmë diçka. Nuk mund të angazhoheni për Ballkanin e hapur e të mbyllni gjithçka për të tjerët.”

Në një reagim të tij, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se beson që “Dialogu është një kanal dhe një mekanizëm përmes të cilit Serbia dhe Kosova arrijnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që do të zhbllokojë të ardhmen evropiane për të dyja vendet.”

Marrëveshja filloi të zbatohet më 1 shtator ndërsa njoftimet nga vendkalimet kufitare bënë të ditur se “qytetarët e të dyja anëve po e kalojnë kufirin pa problem, me dokumentet e tyre personale”. 

Kjo është marrëveshja e dytë që u arrit brenda pak më shumë se dy muajsh. Në qershor palët miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, por disa afate të përcaktuara tashmë janë shkelur nga kompania “Elektrosever”, e licencuar sipas marrëveshjes. BE e pranon se ka vonesa në zbatimin e këtij udhërrëfyesi dhe fajin për këtë, sipas njoftimeve, ua lë “teknikaliteteve”.

Po më 1 shtator nisi edhe zbatimi i shtyer i vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin me targa RKS (Republika e Kosovës) të automjeteve që deri tani kanë mbajtur targa të qyteteve PR, KM, PZ, GL, PE, UR dhe ĐA, të lëshuara nga Serbia.  Afati për riregjistrim do të zgjasë dy muaj. Targat janë një çështje për të cilën ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare mes palëve përkundër bisedimeve që u intensifikuan në tetor të vitit të kaluar me synimin për të gjetur një zgjidhje brenda një afati prej gjashtë muajsh. Shefi i BE-së për politikë të Jashtme, Borrell, thotë se është optimist për zgjidhjen e kësaj çështjeje edhe pse e vlerësoi si më të vështirë se ajo e dokumenteve të udhëtimit. “Kemi një periudhë dymujore [për ndërrimin e targave]. Nuk është diçka që do të ndodhë nesër. Kurti ka pranuar procesin rreth dymujor, për të shmangur çdo situatë që mund të krijojë më shumë rrezik,”  tha Borrell.

Lajčakut dhe Escobarit pritet t’u vijnë në ndihmë nga ky muaj edhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Në letrat që u dërguan Kurtit dhe Vučićit, Scholz dhe Macron thonë se “normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.”

Këshilltarët, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, janë ngarkuar për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, dhe që të tre pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin nga fundi i kësaj jave, për të “eksploruar opsionet për përparimin në dialog”.