Marsi nisi me vizitën e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në rajonin për të cilin, pas një qëndrimi 4 ditor, tha se është i “ekspozuar ndaj shtresave te ndryshme te sfidave dhe tensioneve” dhe “lehtë mund të shndërrohet në fushë shahu” për fuqitë e mëdha. Sa ishte në Kosovë, ajo vizitoi edhe Mitrovicen dhe në fjalimin që mbajti te ura – në renovim e sipër – tha se ajo do të shndërrohet “nga një simbol i ndarjes në simbol të dialogut dhe kontakteve midis njerëzve”. Mogherini shtoi se në takimet që kishte pasur me qytetarë të angazhuar në organizata të shoqërisë civile në veri dhe jug të qytetit u kishte thënë se dialogu që bëjnë ata është shumë më i rëndësishëm se sa dialogu që ajo ndërmjetëson.
Vizita e Mogherinit në rajon u mirëprit, dhe kjo u theksua edhe në bisedën telefonike që më pas zhvilluan presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri serb Aleksandar Vučić. Ata përsëritën ‘përkushtimin e dyanshëm për të vazhduar dialogun’, por dy ditë më vonë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën kërkoi “të pezullohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj”, i cili është ndaluar në Francë në bazë të një fletarresti të vjetër të lëshuar nga Serbia. Veprimi i deputetëve nxiti reagimin e BE-së e cila tha se kjo nuk përputhej me zotimet e Kosovës dhe u bëri thirrje udhëheqësve politik të vendit që të vazhdojnë angazhimin konstruktiv dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tash. Derisa Brukseli thotë se “progresi në Dialog është parakusht për përparimin në rrugën drejt BE-së,” kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri thotë se “pezullimi i dialogut nuk do të ndikojë në raportet e Kosovës me BE-në”! Situata duhet të jetë më e ndërlikuar se kaq por mbase pas vendimit të gjykatës franceze rreth kërkesës për ekstradimin e Haradinajt dhe pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi do të qartësohet edhe puna e vazhdimit të Dialogut.
Ndodhi ashtu që pikërisht në kohën kur dialogu është i pezulluar, në Bruksel zhvillohet takimi i parë i “Grupit të veçantë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës”, ku u shqyrtua progresi i Kosovës në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri tash në kuadër të dialogut teknik dhe atij të nivelit të lartë. Në njoftimin për shtyp pas takimit thuhet se “Në lidhje me Asociacionin/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, Kosova përsëriti angazhimin e saj për të zbatuar këtë marrëveshje.Veprimi i Shërbimit të Jashtëm Evropian (sic) dhe Komisioni Evropian theksoi rëndësinë që Kosova të fillojë punën për hartimin e statutit të Asociacionit/Bashkësisë pa vonesa të mëtejshme”. Ky qëndrim i BE-së u përshëndet nga pjesëtarët e Listës serbe (LS), të cilët pak ditë më vonë bën të ditur vendimin për t’u kthyer në institucionet e Kosovës – diçka që në shënimin e kaluar dukej si situatë e pazgjidhshme për shkak të kushtëzimeve të palëve. Me kthimin në institucione përfaqësuesit serbë thonë se duan që partnerët e tyre në koalicionin qeverisës “t’i pengojnë që të mos shfrytëzojnë justifikimin se LS nuk merr pjesë në institucione dhe për këtë arsye gjoja nuk mund të fillojë formimi i AKS-së”. Arsyeja tjetër e kthimit thanë se ishte “për të kundërshtuar fuqishëm miratimin e Ligjit për transformimin e FSK-së në ushtri,” një çështje kjo e inicuar nga presidenti Thaçi në fillim të muajit e që tërhoqi vëmendjen gjatë gjithë marsit.
Një tjetër zhvillim që ngul këmbë të përfshihet në këtë shënim ishte edhe vendimi i qeverisë së Kosovës që ‘të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të RSFJ, përkatësisht RJ, RSS, RS, dhe të KSAK… të regjistrohen në emër të RK si pronare’. Qeveria e Serbisë tha se e ka anuluar vendimin ashtu siç bëri me Ligjin mbi Trepçën vitin e kaluar, ndërsa në një reagim nga Brukseli, Maja Kocijančič, zëdhënëse, tha se “çështjet e pronave duhej zgjidhur në mënyrë transparente, me përfshirjen e të gjitha komuniteteve”.