Supremja kthen në rigjykim rastin e Todosijeviqit

0
123

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin ndaj Ivan Todosijeviqit, deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Nebojsha Vllajiq.

Todosijeviq ishte dënuar me dy vjet burgim nën akuza për gjuhë të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik lidhur me maskarën e Reçakut.

Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mbrojtja e Todosijeviqit kishte dorëzuar një ankesë në Gjykatën e Apelit, por e njëjta ishte hedhur poshtë më 24 gusht. Në ankesë, mbrojtja kishte thënë se “konsideron se veprimi me të cilin ngarkohet i akuzuari nuk është vepër penale dhe për këtë aktakuza duhet të hidhet”.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori, William Walker.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosijeviq mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe. Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë.

(evropaelire.org, 28/12/2021)