Targat sërish problem ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

0
16

Banorët e Mitrovicës së Veriut, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë të hutuar nga situata e re e krijuar pas vendimit të Kosovës për të mos lejuar lëvizjen e veturave me targa KM, të cilat janë regjistruar pas pajtimit të arritur në nëntor, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lidhur me këtë çështje.

Në deklaratat për Radion Evropa e Lirë, ata thonë se nuk e dinë se çfarë të presin më tej.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi, vlerëson se Serbia po i bishtnon pajtimit të arritur në Bruksel për targat.

Ndërkaq, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd thotë se “tani ekziston rreziku që çështja e targave të kthehet sërish në një lloj keqpërdorimi politik dhe në krizë të re të sigurisë”.

Lidhur me vendimin e autoriteteve të Kosovës kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Ku lindi problemi?

Kosova dhe Serbia sërish po e interpretojnë në mënyra të ndryshme atë për të cilën u pajtuan. Ndërmjetësuesi i dialogut ndërmjet dy palëve, Bashkimi Evropian, u bëri thirrje atyre që ta respektojnë plotësisht dhe pa kushte marrëveshjen dhe aranzhimet e arritura vitin e kaluar për targat.

“Kjo do të thotë që Kosova të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe të mbajë në mënyrë efektive staus quo-në, derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja KM”, ka sqaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 19 janar.

Deklarata e Stanos pasoi vendimin e Kosovës, më 18 janar, që të mos lejojë lëvizjen e automjeteve me targa KM (Mitrovica e Kosovës), të cilat janë regjistruar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, pra, pas arritjes së marrëveshjes së nëntorit.

Për çfarë u arrit pajtimi?

Marrëveshja lidhur me targat e regjistrimit, që lëshohen nga Serbia për qytetet e Kosovës, është publikuar më 23 nëntor, në formë të deklaratës nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Ai asokohe tha se Kosova tërhiqet nga procesi i riregjistrimit të automjeteve me targa KM në targa të Kosovës, ndërkaq Serbia nuk do të lëshojë më targa të reja.

Në vitin 2020, ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka marrë vendim që targat të mos ndërrohen, pra të jenë të përhershme, përveç në rast se ato humben, dëmtohen ose vidhen.

Para këtij vendimi, targat në Serbi janë ndërruar së bashku me lejen e qarkullimit, e cila ka qenë e vlefshme për nëntë vjet.

Po ashtu, targat në Serbi ndërrohen nëse pronari ndërron vendbanimin, që do të thotë se qytetarët në veri, të cilët blejnë vetura të reja, nuk mund t’i regjistrojnë me targa KM.

Mirëpo, në deklaratën e nëntorit të vitit të kaluar, Borrell nuk e ka përcaktuar qartë se çfarë do të ndodhë me ripërtëritjen e regjistrimit, i cili bëhet çdo vit.

Pamje nga takimi i 23 nëntorit. I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak (në mes), kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (djathtas) dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq (majtas).

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të regjistruara me targa KM.

Çfarë bëri Serbia?

Më 6 dhjetor, Qeveria e Serbisë miratoi një rregullore, në bazë të së cilës u lejon automjeteve me targa “KM”’ (Mitrovica e Kosovës) të lëvizin pa etiketën e regjistrimit, e cila ngjitet në xhamin e përparmë të automjetit dhe bart të dhënat e regjistrimit të automjetit.

Ngasësit e këtyre automjeteve duhet t’u tregojnë zyrtarëve vetëm policën e sigurimit dhe certifikatën e kontrollit teknik.

Në atë rregullore shkruhet se etiketës i “zgjatet” vlefshmëria deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën për targa.

Ndërkaq, Kosova pretendon se Serbia në këtë mënyrë po e ripërtërinë regjistrimin e automjeteve që kanë etiketat e veturave me targa KM dhe se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen nga Brukseli.

Përgjigja e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se automjetet, të cilat gjatë dhjetorit të vitit të kaluar kanë ripërtërirë regjistrimin me targa KM, nuk do të lejohen të hyjnë apo të qarkullojnë në territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka regjistruar vetura të tilla në dy pika kufitare në veri të Kosovës dhe se ato nuk do të tolerohen më, sepse “janë jolegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, si dhe që “Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim” .

“Ftojmë të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Interpretimi nga BE-ja

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se BE-ja ka marrë parasysh vendimin e Serbisë, të 6 dhjetorit të vitit të kaluar – që etiketat e regjistrimit për targat KM nuk do të ripërtërihen.

“Ne e kuptojmë që ripërtërimi i sigurimit dhe i kontrollit teknik ka të bëjë me automjetin dhe jo me targën dhe si i tillë, nuk mund të konsiderohet ripërtëritje e targës”, theksoi zëdhënësi i BE-së.

Ai, gjithashtu, tha se të gjitha çështjet, lidhur me interpretimin e asaj për të cilën u arrit pajtimi më 23 nëntor, duhet të shqyrtohen në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja dhe jo me “veprim të pakoordinuar në terren, i cili mund të destabilizojë më tej situatën tashmë të brishtë atje”.

Chollet: Duam të dalim nga punët e diplomacisë së krizave

Ndaj vendimit të fundit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të paligjshme serbe – KM dhe që kanë ripërtërirë regjistrimin, ka reaguar këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se “fatkeqësisht, ky është hapi që nuk kemi dashur ta shohim”.

“Kur kam qenë në rajon, javën e kaluar, e kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara, duke punuar me partnerët evropianë, duan të dalin nga punët e diplomacisë së krizave – ne, thjesht, kalojmë nga një krizë në tjetrën – dhe të ecim përpara në dialogun që udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE-ja, drejt normalizimit që bazohet në njohje reciproke”, ka deklaruar Chollet.

Ai ka shtuar se hapat e 24 orëve të fundit, që ka shpallur Prishtina, “nuk janë në përputhje as me letrën dhe as me frymën e marrëveshjeve në fund të nëntorit, të cilat kanë shmangur një krizë të mëparshme”.

Chollet ka theksuar se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme tani.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, me pyetjet se a i ka marrë parasysh sugjerimet e Cholletit, të cilat i kishte adresuar rreth një javë më parë, si dhe a ekziston rreziku që të shkaktohet një krizë e re në veri të vendit. Deri në publikimin e këtij teksti, përgjigjet nuk janë kthyer.

Çfarë thonë banorët lokal?

Sanja nga Mitrovica e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e përtërirjes së regjistrimit është rregulluar me dekret të Qeverisë së Serbisë dhe shton se pjesëtarët e komunitetit serb në veri tashmë janë në një “pozitë të vështirë”.

Ajo shpreson që një zgjidhje lidhur me targat të arrihet sa më shpejt.

“Të zgjidhet kjo në çfarëdo mënyre. Jemi në pozitën që nuk mund t’i ngasim automjetet tona. Ne kemi dhënë para për siç thuhet, regjistrimin, por tani kjo nuk vlen dhe duhet të gjejmë një zgjidhje, çfarëdo që të jetë ajo”, thotë Sanja.

Miodragut i skadon regjistrimi i veturës në muajin maj dhe pret që do të krijohen mundësitë që të përtërijë regjistrimin në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel, si dhe në bazë të rregullore së Qeverisë së Serbisë.

“Siç e kam kuptuar, unë mund të ngas në bazë të policës së sigurimit. Kjo të respektohet nga të dyja palët. Por, siç duket, kjo po interpretohet ndryshe. Të dyja palët po e interpretojnë në mënyra të ndryshme”, thotë ai, duke shtuar se sërish pret që të arrihet “një marrëveshje tjetër ndërmjet palëve”.

Miftaraj: Serbia i bishtnon marrëveshjes

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thekson se Serbia po e keqpërdorë pajtimin e arritur në nëntor në Bruksel, lidhur me targat.

Sipas tij, Serbia, përmes rregullores së miratuar më 6 dhjetor, për automjetet me targa KM, po i bishtnon marrëveshje së arritur dhe njëkohësisht po e keqpërdorë edhe Bashkimin Evropian.

“Bashkimi Evropian, fatkeqësisht, me qëllimin që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dëm të Kosovës po mundohet ta ruajë një lloj status-quoe. Ky është standard i dyfishtë, fatkeqësisht. E toleron Serbinë dhe nuk e konsideron fare si veprim të njëanshëm rregulloren e dhjetorit të vitit të kaluar (të miratuar nga Qeveria e Serbisë). Nuk e konsideron veprim të njëanshëm lëshimin e dokumenteve, përmes së cilave, në njëfarë mënyre, u vazhdohet regjistrimi i tabelave aktuale”, thotë Miftaraj.

Megjithatë, ai fajëson edhe Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tij, nuk ka reaguar me kohë në Bruksel, menjëherë pas miratimit të rregullores për targat KM nga ana e Qeverisë së Serbisë, në dhjetor të vitit të kaluar.

“Pala kosovare, fatkeqësisht, nuk e ka analizuar si duhet procesin, procedurën e policave të sigurimit dhe të regjistrimit të makinave, të cilat lëshohen (nga Serbia) për territorin e Kosovës. Kosova nuk i ka pasur të qarta të gjitha këto. Serbia e ka pasur më lehtë të manipulojë, t’i bishtnojë marrëveshjes. Por, është fakt i pakontestueshëm që në këtë rast është i mashtruar edhe Bashkimi Evropian, i cili, në njëfarë mënyre, kur arrihen marrëveshjet, ato duhet të arrihen në mirëbesim, në mënyrë që pastaj atyre të mos u bishtnohet ose të mos gjenden rrugë alternative për t’i shkelur të njëjtat”, thekson Miftaraj.

A është i sigurt anulimi i targave KM?

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se heqja e targave KM është mjaft e sigurt dhe se qytetarët nga mbarë Kosova duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë i pret, në mënyrë që të mos ndodhë më përshkallëzimi i situatës.

“Në këtë mënyrë, për çfarëdo që të bien dakord, madje edhe zgjidhja më ideale që do të gjendet, do të përballet me rezistencë të ashpër nga shtresat e publikut. Fatkeqësisht, ky është realiteti. Kur realiteti është i tillë, duhet të ketë shumë më tepër informim, më objektiv dhe sa më pak keqpërdorim e propagandë politike”, thotë Janjiq.

Ai shton se tani mbetet të shihet nëse Beogradi do ta përdorë situatën e re si krizë propagandistike politike, për të shtyrë afatin për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Çështja e targave, të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës, të cilat konsiderohen të paligjshme nga Prishtina zyrtare, shkaktoi tensione në fund të korrikut 2022, para fillimit të riregjistrimit të automjeteve në targa RKS (Republika e Kosovës).

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, kjo çështje shkaktoi dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës. Kjo ndodhi pas shkarkimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ishte suspenduar për shkak se refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim.

Heqja e targave serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës u pranua nga Beogradi me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur në kuadër të dialogut në Bruksel. Në mjediset e banuara me shumicë serbe, në anën jugore të lumit Ibër, ato u shfuqizuan dhjetë vjet më parë, por në veri të Kosovës u toleruan.

(evropaelire.org, 20/01/2023)