Thaçi: Sivjet, marrëveshja finale historike me Serbinë

“Jam i bindur se sivjet do të arrihet marrëveshja përfundimtare historike mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ndodh sivjet, do ta humbasim edhe një dekadë. Derisa Kosova dhe Serbia nuk rregullojnë këto cështje të hapura mes tyre, do të jemi peng i njëri-tjetrit në të ardhmen europiane”

0
602

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pret që brenda këtij viti do të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, meqë sipas tij humbja e këtij momentumi do të thoshte edhe shumë vjet mbetje peng e njëri-tjetrit në kontekst të të ardhmes europiane.

Në Zona e Debatit në Klan Kosova, ai ka deklaruar se dialogu nuk është i lehtë por është i domosdoshëm, se takimet me presidentin serb Aleksadar Vuçiq janë të vështira, jo të lehta, dhe se ata që mendojnë se problemet mes dy vendeve kanë marrë fund me mëvetësimin e Kosovës kanë marrë fund – gabohen.

“Nuk mund të them se problemet e trashëguara në Ballkanin Perëndimor mund të zgjidhen në një paketë. Por është duke u punuar që ato të zgjidhen. Shtytja më e madhe është e ardhmja europiane, ndaj secili po reflekton në rrafshin e të ardhmes dhe nuk po mbetet viktimë e kujtimit të së kaluarës. Unë kam diskutuar edhe me liderë të tjerë të rajonit. Të gjithë kanë vështirësi të veta, por rajoni ka gati probleme të njëjta. Lypset reformë, reformë, reformë. Normalisht çdo takim me Aleksandar Vuçiq është i vështirë. Është ballafaques, me mospajtime të shumta, por me vullnet të mirë për zgjidhjen e atyre cështjeve që kanë mbetur të hapura. Kushdo që mendon se problemet me Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës – gabohet. Ata që mendojnë se Kosova nuk duhet të dialogohet me Serbinë janë naivë. Edhe ata që mendojnë se është i lehtë dialogu me Serbinë – gabohen. Jam i bindur se sivjet do të arrihet marrëveshja përfundimtare historike mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ndodh sivjet, do ta humbasim edhe një dekadë. Derisa Kosova dhe Serbia nuk rregullojnë këto cështje të hapura mes tyre, do të jemi peng i njëri-tjetrit në të ardhmen europiane”.

“Kosova nuk ka pasur vetëm miq dhe partnerë në shtetbërje. Por ka pasur pengesa, kundërshti, për të mos thënë armiqësi. Duke mos pasur mundësi që të kalojë dokumentin e Marti Ahtisaari në qershor dhe korrik të vitit 2007 në Këshillin e Sigurimit, ka vazhduar punën me partnerët që në mënyrë të koordinuar ta shpallë pavarësinë. Kemi 115 njohje, jemi organizuar në mbi 200 organizata ndërkombëtare, gati cdo vit pas pavarësisë kemi pasur rritje ekonomike prej 4 për qind, kemi investime të fuqishme nga jashtë, infrastrukturën ndoshta më të mirë në rajon. Jo rastësisht qytetarët e Kosovës janë ndër më optimistët në rajon dhe Europë”.

“Nëse veprojmë në mënyrë unike, me një ekip të përbashkët në negociata, mendoj se do të arrijmë në një zgjidhje, që Kosovës i hap rrugë drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Marrëveshja me Serbinë nënkupton heqjen e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E ardhmja jonë nuk kalon përmes Serbisë, por kjo është në funksion të ndërtimit të fqinjësisë së mirë”.

“Nëse arrijmë marrëveshje me Serbinë, atëherë nuk do të ketë më pesë vende që nuk e njohin Kosovën, sepse ne do të jemi pjesë e Kombeve të Bashkuara. Kjo marrëveshje ndihmon në të gjitha aspektet integruese dhe zhvillimore për Kosovën, por edhe për Serbinë”.

(klankosova.tv, 02/02/2018)