Ushtria serbe në gjendje gatishmërie, për shkak të “situatës në Kosovë”

2
67

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të, siç u shpreh, situatës në Kosovë.

Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Vuçeviq nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhet me situatën në Kosovë.

Ministria që udhëheq ai, nuk iu përgjigj as kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Lajmi vjen pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës, nga 1 nëntori, nis me zbatimin e planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe.

Ky plan ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada.

Me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, zbatimi i tij është shtyrë për datën 1 nëntor.

Plani i ri i Qeverisë, i publikuar më 28 tetor, pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Vuçeviq tha për Televizionin Happy në Serbi se Vuçiq, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre.

“Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviq.

Ai shtoi se, mëngjesin e së martës, është bërë qortimi i parë për targat.

“Kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se ne jemi të dobët, se mund të na maltretojnë dhe poshtërojnë. Ajo që duhet ta dijë populli, është se ushtria serbe është shumë herë më e fortë seç ka qenë, meriton respekt… Ne duhet të punojmë për më shumë staf, për armatim më të madh, për trajnim të forcave rezervë. Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh”, tha Vuçeviq.

Targat që i lëshojnë autoritetet serbe, konsiderohen të paligjshme në Kosovë, por ato janë toleruar në veri të Kosovës që nga paslufta, më 1999.

Serbët në pjesë të tjera të Kosovës ka vite që i kanë regjistruar automjetet e tyre me targa që i lëshon shteti i Kosovës.

Javën e kaluar, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës shtyrje të zbatimit të planit edhe për dhjetë muaj të tjerë.

Ato janë shprehur “të zhgënjyera” me mosveprimin e Qeverisë sipas kërkesave të tyre.

(evropaelire.org, 01/11/2022)