Në ditën e parafundit të prillit u njoftua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ishin ftuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, për vizitë në Berlin, për të diskutuar, siç u tha zyrtarisht, për koordinimin e mëtejshëm “mbi luftën dhe agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe për çështje dypalëshe dhe rajonale”.
Sipas njoftimeve, Scholz ka thënë se është e rëndësishme që, në kohën kur Rusia po bën luftë në Ukrainë, Prishtina dhe Beogradi të punojnë që t’i zgjidhin mospajtimet. Ai tha se “të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen brenda dialogut, që kërkon guxim dhe vendosmëri, dhe të gjitha detyrimet e dakorduara duhet të respektohen.¨ Scholz u citua se ka thënë që njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Kurti nga ana e tij shprehu përkushtimin “për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë.” Ndërkaq Vučić tha se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi.”
Takimet e ndara të kancelarit gjerman me Kurtin dhe Vučićin, u pasuan me një darkë të të dy liderëve ballkanik me përfaqësuesin special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajčak, i cili e mirëpriti këtë rast “për diskutim joformal për Dialogun”. Ditët në vazhdim ka të ngjarë të dalin më shumë hollësi.
Gjatë prillit në rajon u zhvilluan vizita nga përfaqësuesë të Senatit amerikan dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit. Pas takimit me kryeministrin Kurti, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Karen Donfried, tha se “gjendja e tanishme është e paqëndrueshme; jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por nga ajo përfiton Kremlini.” “Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve flagrante të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë,” tha ajo, duke shtuar se “Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe urgjentisht të ri-angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me mbështetje të fortë të SHBA-së.” Donfried tha se me Kurtin kishte diskutuar hapat e ardhshëm në Dialog dhe rëndësinë e tij për Shtetet e Bashkuara. “Qëllimi ynë është qëllimi juaj: marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen e ndërsjellë,” tha Donfried.
Përndryshe, prilli ishte muaji kur skadonte afati i synuar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave. Përkundër takimeve të rregullta mujore që nga tetori i vitit të kaluar – vetëm gjatë prillit u zhvilluan tri për këtë çështje – prapëseprapë palët nuk arritën të merren vesh për t’u përcaktuar për një nga disa opsionet e shqyrtuara gjatë kësaj periudhe.
Lehtësuesi i Dialogut, përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajčak, tha se nga të gjithë aktorët presin “që të përmbahen nga veprimet të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren,” dhe i ftoi kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petković, që në ditët në vazhdim të bien dakord për rrugën përpara dhe të vazhdojnë diskutimet mbi çështjet e tjera aktuale. Ndërkohë ka vazhduar zbatimi i marrëveshjes së përkohshme të regjimit të letrave ngjitëse për të dyja palët.
Pas konsultimeve me Bislimin dhe Petkovićin, Lajčak njoftoi se kishin rënë dakord që më 13 maj, në Bruksel, t’i vazhdonin diskutimet për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave.